Një tentim vrasje ka ndodhur dje në Kaçanik. Një person atje ka gjuajtur me armë zjarri në drejtim të dy të tjerëve, por që nuk i kishte qëlluar. Rasti dyshohet të ketë ndodhur për shkak të një kontesti pronësor.
Përmes raportit 24 orësh, Policia bën me dije se njëri prej personave ka pësuar lëndim në kokë pasi ishte goditë me dorëz të pistoletës nga i dyshuari dhe se ka pranuar tretman mjekësorë.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar i cili për shkak të një kontesti pronësor kishte gjuajtur me armë zjarri në drejtim të dy viktimave meshkuj kosovar por nuk i kishte qëlluar. Njëri prej viktimave kishte pësuar lëndim në kokë pasi ishte goditë me dorëz të pistoletës nga i dyshuari dhe ka pranuar tretman mjekësorë”, njofton Policia.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar nëntë gëzhoja të fishekëve, gjashtë të pistoletës dhe tri të pushkës, derisa nga i dyshuari janë sekuestruar një pistoletë me 34 fishekë dhe një pushkë gjuetie me 27 fishekë.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore ku kanë gjete dhe sekuestruar 9 gëzhoja të fishekëve 6 prej tyre të pistoletës dhe tri të pushkës. Nga i dyshuari janë sekuestruar një pistoletë me 34 fishek dhe një pushkë gjuetie me 27 fishek. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë, rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në raport.