
Analisti serb, Dushan Janjiq nga Forumi i Marrëdhënieve Etnike tha se një format i ri i bisedimeve Beograd-Prishtinë ka të ngjarë të hartohet dhe se në të mund të përfshihen “lojtarët e rinj diplomatikë”, si Rusia.
Në një prononcim për gazetën Politika, ai tha se përveç të dërguarit të SHBA-ve, Matthew Palmer, është e mundur që të jetë edhe një përfaqësues i përbashkët i Gjermanisë dhe Francës, por edhe që secila prej këtyre vendeve të ketë përfaqësues të vetin.
“Të gjithë ata, si Palmeri, do të jenë të dërguar të veçantë për Ballkanin Perëndimor që ta përcjellin dialogun Beograd-Prishtinë, do të marrin pjesë në takime por kryenegociatori do të jetë personi i caktuar nga BE në vend të Federica Mogherinit. Ka shumë të ngjarë të jetë Laszlo Trochani, Komisioner për Zgjerim , por kjo nuk është vendosur ende”, tha Janjiq, transmeton Klan Kosova.
“Një nga opsionet është të kesh një sekretariat të veçantë, i cili gjithashtu do të përfshijë Rusinë me përfaqësuesin e saj, gjë që është diçka për të cilën tani është duke u harmonizuar”, shtoi Janjiq./Front Online/