×
  • Lajme
  • Lajme

    Ish-ambasadori amerikan Dell: Fushata e NATO-s nuk do të ishte e suksesshme pa UÇK-në në terren

    FrontOnline
    18 Shtator 2020

    Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Christopher Dell, në një intervistë për Oral History Kosova, ka folur për karrierën e tij diplomatike në kuadër të Shërbimit të Jashtëm të Departamentit të Shtetit që nga vitet ’80.

    Ai ka treguar për eksperiencën e tij të parë kur ka arritur në Kosovë menjëherë pas luftës në kohën kur ka qenë zëvendësambasador në Ambasadën amerikane në Sofje të Bullgarisë.

    Dell vizitën e parë të tij në Kosovë e ka realizuar në shkurt të vitit 2000, ku sipas tij shiheshin dëmet e mëdha nga lufta.

    Ai ka thënë se kur është futur në Kosovë nga Maqedonia rrugës për në Prishtinë, ngjyrat e vetme që i ka parë kanë qenë flamujt kombëtarë dhe ata amerikanë, transmeton Gazeta Express.

    “Ngjyra e vetme që e mbaj mend se kam parë ishte flamuri shqiptar dhe ai amerikan. Ngado që shikoje ishin këta dy flamuj”, ka thënë ai.

    Pas kësaj vizite në Prishtinë, ai ishte kthyer në Sofje dhe pas dy javësh kishte ardhur prapë në Prishtinë për të ndihmuar në rregullimin e misionit diplomatik amerikan në Kosovë.

    Dell ka thënë se dy javë pas qëndrimit në Sofje kur ka ardhur e ka gjetur Pallatin e Rinisë në Prishtinë të djegur.

    “Pasi arrita në Prishtinë për të parë nga afër gjendjen dhe për t’u familjarizuar me situatën u ktheva në Sofje ku qëndrova dy javë dhe kur u riktheva prapë në Prishtinë pashë Qendrën Sportive të djegur tërësisht, dhe thashë vetë me vete çfarë ndryshim i madh vetëm për dy javë”, ka thënë Dell.

    Diplomati amerikan tha se intervenimi ushtarak nga NATO-ja ka qenë i nevojshëm në Kosovë dhe është dashur të ndodhë.

    “Në fillim nuk e kam kuptuar situatën agresive të serbëve për spastrim etnik në Kosovë dhe besoj se na duhej ta ndalonim, nuk kam pasur asnjë dyshim për intervenimin në Kosovë. Ne kishim shembullin e Bosnjës, Kroacisë me luftëra dhe nuk mund të rrije ulur dhe të shpresoje se Millosheviqi do të fillonte të sillej mirë”, ka thënë ai.

    Ai u shpreh se intervenimi i NATO-s përmes ajrit ka mundur të mos ishte i suksesshëm sikur të mos kishte bashkërendim me UÇK-në në terren.

    “Nuk jam shumë i sigurt nëse sulmet ajrore do të funksiononin, prandaj nevojitej bashkëpunimi me njerëzit në terren, pra me UÇK-në, dhe kjo bëri që taktikat tona të jenë më të suksesshme në intervenim. Po ashtu edhe pamjet e refugjatëve në trena, duke ikur nga shtëpitë e tyre e demaskuan Millosheviqin dhe taktikat e tij dështuan dhe lejuan që perëndimi të intervenojë”, ka thënë Dell.

    Dell tutje ka kujtuar edhe kohën gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999 kur ai shërbente në Bullgari.

    Ai ka rrëfyer fushatën ajrore të NATO-s kur një raketë e lëshuar nga aeroplanët e aleancës veriatlantike ka përfunduar gabimisht në kryeqytetin bullgar një kilometër nga vendi ku ai po qëndronte pasi raketa kishte huqur cakun si pasojë e fikjes së shpejtë të radarëve nga ana e ushtrisë jugosllave.

    Nga Rubrika
    Lajme05 Prill 2025
    Raportohet se është arrestuar edhe një person tjetër si i dyshuar për rastin e kultivimit të drogës në Sferkë të Klinës. Shkelqim...
    Lajme05 Prill 2025
    Qytetarët s`po përballen vetëm me çmim të lartë të energjisë elektrike. Çmimet e produkteve thonë se janë bërë të papërballueshme, bazuar në...
    Lajme05 Prill 2025
    Një prishje e kabllit 20kV në Daljen Rezonanca të Prishtinës ka lënë pa energji elektrike një pjesë të konsumatorëve në kryeqytet gjatë...
    Të tjera
    Bota/Rajoni05 Prill 2025
    Kina ka marrë masa dhe do të vazhdojë të veprojë kështu, duke thënë se do të mbrojë sovranitetin e vet, sigurinë dhe...
    Lajme05 Prill 2025
    Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, ka udhëtuar drejt Tiranës ku edhe është takuar me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj. Ahmeti ka njoftuar...
    Bota/Rajoni05 Prill 2025
    Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, ka uruar sot 16-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO më 5 prill të vitit...
    Lajme05 Prill 2025
    Çmimet e naftës ranë këto dit mes shqetësimeve se lufta tregtare e nisur nga presidenti Donald Trump do të ngadalësojë ekonominë botërore...
    Bota/Rajoni05 Prill 2025
    Numri i të vdekurve nga tërmeti i madh në Mianmar ka shkuar në mbi 3,300 teksa Kombet e Bashkuara bënë sërish thirrje...
    Lajme05 Prill 2025
    Republika e Kosovës është bërë zyrtarisht shtet mbështetës i Kodit të Praktikave për Shtetet në kuadër të Procesit Pall Mall, një iniciativë...
    -->

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.