Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka kërkuar nga qytetarët që t’iu përmbahen të gjitha masave të shpallura dhe të respektojnë në përpikëri masat dhe oraret e lëvizjes të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria e Republikës së Kosovës.
Përmes një postimi në faqen zyrtare, IKShP’ja këto janë masa të ndërmarra dhe të aplikuara edhe nga vendet tjera ku është rishfaqur valë e re, e që sipas Institutit i kanë treguar efektet e tyre.
IKSHP’ja ka apeluar te qytetarët që të qëndrojnë në shtëpi, meqenëse kjo ua shpëton jetën.
“Duke qenë se këto masa janë në funksion të ruajtjes dhe mbrojtjes së shëndetit tuaj, të familjes dhe popullatës në tërësi, kërkojmë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj në aplikimin e tyre”, thuhet në postim.
Instituti ka bërë thirrje që të respektohen masat e distancimit fizik, të barten maskat, të mos qëndrohet në grumbuj qoftë edhe në oborret e shtëpive apo para hapësirave tregtare dhe sporteleve.
“Gjithashtu ju lutemi që brenda familjes, të përkujdeseni duke respektuar të gjitha masat higjienike ndaj të moshuarve dhe personave me sëmundje kronike. Te moshuarit dhe personat me sëmundje kronike rekomandohet që nëse duhet domosdoshmërisht të lëvizin, të shfrytëzojnë orët e hershme të mëngjesit”, thuhet në postimin e IKShP’së.