×
  • Lajme
  • Lajme

    Gjykimi për sulmin ndaj Kuvendit, flet dëshmitari që kishte shitur motorin

    FrontOnline
    03 Shtator 2020

    Dëshmitari Eset Ramadani, pasi ka shikuar të akuzuarit në sallë, ka deklaruar se nuk mund të bëj identifikimin e tyre si ndonjë nga personat që u ka shitur motorin, i cili u përdor si mjet transportues për sulmin që u bë ndaj Kuvendit të Republikës së Kosovës.

    Këtë deklaratë ai e ka dhënë në seancën e së enjtes, në rigjykimin e rastit të njohur si rasti ndaj “Aktivistëve të VV-së”, ku Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Egzon Haliti dhe Atdhe Arifi janë duke u akuzuar me pretendimet se ata janë përgjegjës për sulmin në Kuvendin e Kosovës në gushtin e vitit 2014, që është kualifikuar si vepër terroriste, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Ky dëshmitar, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Fikrije Krasniqi-Fejzullahu, ka deklaruar se ka dhënë disa deklarata në polici për këtë rast dhe se ndër deklaratat që ka dhënë, kanë qenë edhe ato të datës 5 e 6 gusht 2016.

    Ai ka deklaruar se i kujtohet përmbajtja e këtyre deklaratave dhe se qëndron prapa tyre, e se nuk ka të shtoj diçka më shumë.

    I njëjti, duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Ramiz Krasniqi, që mbron të akuzuarin Arifi, ka deklaruar se pas rastit të parë të dhënies së deklaratës, prapë është ftuar nga policia dhe nuk e di saktë sa herë.

    Lidhur me këtë, ai tha se ka shkruar gjithmonë sipas ftesave të policisë, por që nuk i di saktë datat se kur, duke shtuar se pas 5 dhe 6 gushtit është marrë në pyetje.

    Tutje, Ramadani tha se është njoftuar nga policia lidhur me faktin se po dyshohet për këtë çështje penale.

    I pyetur nga gjykatësi, se a i kujtohet nëse gjatë deklaratave në polici është dëgjuar edhe në cilësi të dëshmitarit edhe në atë të dyshuarit, dëshmitari tha se nuk di si ta shpjegoj, e se është thirr në cilësi të dyshuarit.

    I njëjti tha se është e saktë se ka bërë identifikimin e të dyshuarve, por se nuk i kujtohet se sa foto i janë prezantuar në polici.

    Tutje, sipas dëshmitarit Ramadani, është e saktë që ka thënë në polici se personat që e kanë blerë motorin i kanë thënë se janë nga rrethi i Rahovecit, e po ashtu edhe dialektin e të folurit e kanë pasur nga kjo anë.

    I njëjti deklaroi se duke pasur parasysh faktin se punon në treg, ka njohuri për dialektet që fliten nëpër vise të ndryshme të Kosovës.

    Ramadani tha se përsëri mund ta bëj përshkrimin e personave që e kanë blerë motorin nga ai.

    “Unë qysh i kam përshkruar atëherë, i përshkruaj prapë. Edhe mbaj mend, çfarë kanë pas vesh”, ka thënë dëshmitari.

    Me kërkesë të kryetarit të trupit gjykues, Beqir Kalludra, dëshmitari është kthyer prapa dhe ka shikuar të pandehurit, ku më pas deklaroi se nuk mund ta bëj identifikimin e të akuzuarve.

    Avokati Florent Latifaj, që mbron të akuzuarin Frashër Krasniqi, ka pyetur dëshmitarin se kur ka dhënë deklaratën e parë dhe të dytë si dëshmitar, a e ka bërë identifikimin po ato ditë të para që ka dhënë deklaratë, apo më vonë, e dëshmitari ka thënë se nuk i kujtohet saktë një gjë e tillë.

    I njëjti shtoi se kur ka bërë identifikimin e personave, e ka bërë përshkrimin se si duken ata, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Ndërkaq, ka thënë se nuk ka pasur presion nga ana e policisë dhe se deklaratat i ka dhënë në bazë të vullnetit të tij.

    Sipas tij, identifikimin e ka bërë në bazë të përshkrimit që ka dhënë për dukjen e personave, si dhe ka thënë se edhe në polici ka thënë se nuk është 100% i saktë përshkrimi i karakteristikave të personave mbi dukjen dhe pamjen e tyre, duke shtuar se kujtesa e tij ka qenë më e freskët në kohën kur ka ndodhur ngjarja, se sa sot.

    “Atë ditë që është shit motori që e kam shit unë, ka qenë ditë e diele. Një natë ma herët, një person më ka marr në telefon për atë motor se a o ende në shitje. Ditën e nesërme më kanë marrë prapë në telefon. Unë ditën e diele zakonisht zgjohem 2 e gjysmë apo 3 pas mesnate për të dal në treg. Atë ditë e diele, shumë jam kan i lodhur edhe i ngarkum tan kohën. Ajo ka ndodh masi u kry tregu, më kanë thirr prapë, nuk e di saktë sa o kon ora, po o kon bajagi vonë masi është mbyll tregu për motorin. Për shkak që jam kon shumë i ngarkum e i lodhur, nuk jam kon në dijeni 100% i sigurt në identifikim e tyre”, deklaroi Ramadani në fund të dëshmisë së tij.

    Vërejtje në dëshminë e tij pati mbrojtësi i Krasniqit, avokati Latifaj, pasi tha se i njëjti sot është ballafaquar me disa deklarata, të cilat sipas tij nuk mund të qëndrojnë për arsye ligjore dhe atë për shkak se edhe deklarata e tij e 26 gushtit 2016 është dhënë në cilësinë e dëshmitarit, përderisa i njëjti ka qenë i pandehur me aktvendimin mbi zgjerimin e hetimeve të datës 7 gusht 2016.

    Sipas tij, gjithashtu dëshmitari Ramadani ka bërë identifikimin e personit përmes fotografive, në cilësi të dëshmitarit, përderisa e ka pasur cilësinë e të pandehurit deri më 16 shtator 2016, kur edhe kanë pushuar hetimet ndaj tij.

    “Andaj, në procedurën penale, një person nuk mund të ketë dy cilësi, në të njëjtën kohë të jetë edhe dëshmitar, edhe i pandehur”, ka thënë Latifaj.

    Tutje, gjykimi ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit Naser Mustafa, i cili ka thënë se lidhur me telefonin që e ka shitur është ftuar nga policia dhe atë me aq sa i kujtohet, ka qenë dy herë.

    Ai ka deklaruar se mbetet në tërësi prapa deklaratave të dhëna në polici, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Dëshmitari Mustafa, për të dhënë deklaratën e tij, ka hyrë nga dera nga vijnë të pandehurit ndaj të cilëve është e caktuar masa e paraburgimit, andaj avokati Ali Beka ka pyetur se pse ka ndodhur një gjë e tillë.

    Mirëpo, kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra nuk e ka lejuar një pyetje të tillë, e as nuk e ka sqaruar se pse ka ndodhur një gjë e tillë.

    Dëshmitari Mustafa ka deklaruar se nuk i kujtohet sa ditë pasi e ka shitur telefonin është ftuar për tu marrë në pyetje nga ana e policisë.

    Ai ka thënë se personin me të cilin e ka ndërruar telefonin e ka pasur klient, e sa i kujtohet i njëjti quhet Mentor.

    “Unë ja kam dhënë një “Nokia”, ma kanë pru prej s’jashti dhe e kam marrë një “Samsung”, ka thënë ai, duke shtuar se nuk i kujtohet sa telefona i ka shitur atë ditë.

    Kurse, tha se telefonin që e ka ndërruar me personin e quajtur Mentor e ka shitur të nesërmen, gjatë së cilës ditë e ka telefonuar, pasi tha se kablla nuk ia ka mbushur telefonin dhe se i njëjti i ka thënë “kontrolloje telefonin, se punon”.

    Pas dëgjimit të dëshmitarit Mustafa, gjykatësi Kalludra e caktoi seancën e radhës për 21 tetor, me fillim nga ora 9:00.

    Ndryshe, në seancën e parë të rigjykimit, e paraparë të mbahej me 4 mars 2020, ish-mbrojtësi i të akuzuarit Krasniqi, avokati Tomë Gashi, kishte kërkuar përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Beqir Kalludra, mirëpo kjo kërkesë ishte refuzuar.

    Trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Beqir Kalludra, më 27 nëntor të vitit 2017, kishte shpallur fajtorë katër të akuzuarit, duke i dënuar me 21 vjet e gjashtë muaj burgim.

    Ish-deputeti Frashër Krasniqi ishte dënuar me 8 vjet burgim, Atdhe Arifi ishte dënuar me 6 vjet burgim, Egzon Haliti me 5 vjet e gjysmë si dhe Adea Batusha me 2 vjet heqje lirie.

    Pas ankesave në Gjykatën e Apelit, kolegji i instancës së dytë gjyqësore, kishte vlerësuar se aktgjykimi i shkallës së parë është bërë me shkelje ligjore dhe e kishte anuluar të njëjtin dhe në këtë mënyrë, lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

    Për rastin e aktivistëve të dënuar të VV-së, më 9 shkurt 2018, ishte diskutuar edhe në Kuvendin e Kosovës, në fund të së cilës seancë, Kuvendi kishte miratuar disa rekomandime ku kërkohej që për rastin e sulmit në ndërtesën e Kuvendit, të kërkohet dhe të mundësohet një hetim i plotë, i pavarur ndërkombëtar i tërë rastit, nga ndonjëri nga vendet perëndimore të BE, përfshirë vendet neutrale të Evropës Perëndimore dhe Zvicrën

    Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në dhjetor të vitit 2016, kishte ngritur aktakuzë kundër, Frashër Krasniqit, Atdhe Arifit, Egzon Halitit dhe Adea Batushës, të cilët i akuzon për kryerjen e veprës penale të terrorizmit.

    Ndaj katër aktivistëve të Vetëvendosjes, PSRK-ja ka ngritur aktakuzë, katër muaj pasi të njëjtit, bashkë më të ndjerin Astrit Dehari, u arrestuan si të dyshuar për sulmin e 4 gushtit të po atij viti, ndaj objektit të Kuvendi të Kosovës, por, që Dehari kishte vdekur në nëntor të vitit 2016 në qelinë e tij në qendrën e paraburgimit në Prizren.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të pandehurit kanë vepruar si grup i organizuar “me qëllim që të shkaktojnë frikësimin serioz të popullsisë dhe shkaktimin e ndjenjës se pasigurisë për qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës”.

    Sipas aktakuzës, të akuzuarit duke pasur për qëllim, që Kuvendi i Kosovës të detyrohet të mos ratifikojë marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi dhe me këtë rast, të shkaktoj frikësim serioz të popullsisë dhe shkaktimin e ndjenjës së pasigurisë tek qytetarët e Kosovës, më datë 4 gusht 2016, rreth orës 23 e 05 nga parkingu përball Kuvendit të Kosovës me raketahedhës dore kanë kryer sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës.

    Nga Rubrika
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku të hënën me bashkëpartiakët e tij, bëjnë homazhe te varri i ish-presidentit historik Ibrahim Rugova....
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga mërgimtarët më shumë vota. Ai thotë se kanë investuar shumë në ushtri e mbrotje,...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka takuar profesorin e tij, Xhaferin dhe pensionistë të tjerë, ku ka premtuar se viti...
    Të tjera
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryetari i Podujevës Shpejtim Bulliqi, ka shprehur pikëllim për vdekjen e Hilmi Ukës, i cili ishte mësimdhënës dhe drejtor shkolle. Ai tha...
    Vip22 Dhjetor 2024
    Ish-konkurrentët e edicionit të tretë të Big Brother VIP Kosova, Arioni dhe Diana janë fotografuar së bashku. Ata krijuan lidhje sa ishin...
    Vip22 Dhjetor 2024
    Leo është bërë nervoz pasi dështoi në sfidën për kapitenin e javës. Madje ai thotë se Fitimit nuk i duhet asgjë avantazhi...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Në pikën kufitare në Merdarë, sot është paraqitur një autobus me targa vendore, ku gjatë kontrollit të mjetit, janë selektuar për skanim...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur se viti 2024 ka qenë viti i pasaportës së vendit tonë. Përmes një postimi në...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Në një bisedë me një gazetar, Ilir Tahiri, kandidati për deputet i PDK-së, shprehu shqetësimin për qëndrimet e Albin Kurtit ndaj UÇK-së....

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.