Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, ka ngushëlluar familjet e dy doktorëve që kanë humbur jetën si pasojë e COVID-19.
FSSHK thotë se doktorët Ali Tolaj dhe Sylejman Rexhepi do të kujtohen deri në përjetësi.
“Pas njoftimit të marr për humbjen e betejës me COVID-19 të dy kolegëve të nderuar e shumë të respektuar Dr. Sylejman Rexhepi-reumatolog në Klinikën e Reumatologjisë në QKUK si dhe Dr. Ali Tolaj-Kirurg në Spitalin e Përgjithshëm të Gjakovës, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet e tyre, kolegët dhe institucionet shëndetësor ku kanë vepruar dhe punuar të ndjerët”, thuhet në telegramin e ngushëllimit.
Tutje në telegram thuhet se “puna dhe vet sakrifica e punëtorëve shëndetësor ndër vite,që së fundmi kulmoi edhe në Pandeminë COVID-19 ka mobilizuar mjekët dhe infermierët që si kur më pare të jenë në nivel të detyrës dhe shërbimit ndaj pacientëve, e që, fatkeqësisht po merr edhe jetë. Mjekët i humbëm, për ne mbesin të pavdekshëm. Beteja jonë vazhdon. Ne do ti kujtojmë deri në përjetësi”.
Doktorët Ali Tolaj dhe Sylejman Rexhepi kanë vdekur mëngjesin e sotëm si pasojë e infektimit me COVID-19.