×
  • Ekonomi
  • Ekonomi

    Efektet e COVID-19 në sektorin bankar: Mbi 77 mijë kërkesa për shtyrje të kredisë

    FrontOnline
    17 Shtator 2020

    Pandemia ka goditur edhe ekonominë e Kosovës, ashtu siç ka goditur ekonomitë në mbarë globin duke shkaktuar krizë ekonomike pothuajse në shumicen e vendeve. BQK gjatë kësaj kohe në vazhdimësi ka qenë ne komunikime të rregullta me institucionet financiare ndërkombëtare për kredi dhe ndihmëfinanciare, teksa ka nxjerrë edhe vendime për të mirën e qytetarëve dhe bizneseve në Kosovë. Tregu i Bankave dhe Sigurimeve sipas BQK është stabil, ndërsa shuma e kredive të aprovuara për shtyrje nga Bankat është rreth 1.52 miliardë euro.

    Megjithatë njohësit e ekonomisë bëjnë apel që të ndihmohet sektori privat nga qeveria meqë gjendja ekonomike është mjaft e rënduar.

    Rastet e para të personave të prekur me COVID-19 në Kosovë të cilat u shfaqën më 13 mars 2020 alarmuan vendin. Në të njëjtën ditë Qeveria e Kosovës thirri Mbledhje Urgjente në orë të vona, me qëllim që të nxjerr masa të reja për të menaxhuar sa më mirë situaten e re që u krijua.

    Nga vendimet e ekzekutivit atëkohë ishin mbajtja e distancës sociale, ndalja e organizimeve apo tubimeve me grumbuj njerëzish, mbyllja e gastronomisë, karantinimi i disa qyteteve etj..

    Si masë preventive ndaj koronavirusit u vendos që tu lejohet të punojnë vetëm disa sektorë ekonomik të cilët ofronin mallra dhe shërbime të domosdoshme për qytetarët siç ishin marketet, mullinjt etj.. Një gjë e tillë ndikoi në ndërprerjen e aktivitetit në shumë sektorë tjerë të ekonomisë duke lënë bizneset pa të hyra. Gjatë kësaj kohe, punonjësit e këtyre bizneseve (kafiteri, restaurante, qendra tregtare) rrezikoheshin që përkohësisht apo edhe në mënyrë të përhershme të mbeten pa vend pune, rrjedhimisht pa të ardhura.

    Një goditje tjetër e ekonomisë kosovare gjatë kohës pandemike ishte edhe sektori i jashtëm. Shteti i Kosovës sipas ekonomistëve ka një varësi të lartë nga remitencat, duke pranuar një shumë prej mbi 10 për-qind të Bruto Produktit Vendor (BPV), në baza vjetore. Mbyllja që pasoi ditët e javët bë vazhdim ndikoi edhe në zvogëlimin e këtij burimi shumë të rëndësishëm për financimin e konsumit në vendin tonë.

    Rënia e aktivitetit ekonomik dhe kriza që kaploi vendet e zhvilluara por edhe Kosovën njëkohësisht shtyri qeverinë që nga situata e panjohur më parë kerkonte që edhe masat të merreshin karshi nevojës. Gjendja ishte emergjente dhe funksionimi normal i ekonomisë ishte i pamundur, andaj edhe duhej që ekzekutivi kosovar të aktivizohej me të gjithë kapacitetet e saj për t’i dalë në ballë kësaj situate.

    Qeveria garantonte se furnizimi me mallra dhe ushqime nuk do të ndërpritej për asnjë moment dhe se ka rezerva të mjaftueshme nëpër depot e furnitorëve, ndërsa edhe kufiri për furnizim me këto produkte nuk do të mbyllej.

    Meqë të hyrat po rrezikoheshin dhe kosovarët paraprakisht vetëm gjatë vitit 2019 sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), kishin marrë mbi 3 miliardë euro kredi nga bankat, atëherë pritej që edhe sektori bankat të ndikohej nga kjo situatë, pasi që kthimi i kredive apo pagesa e kësteve nga klientura të vështirsohej, nga mbyllja e tërësishme që ndodhi në Kosovë.

    Ekzekutivi atë kohë si masë shtesë prezantoi një plan ku rekomandohej shtyrja e kësteve të kredive për të gjithë qytetarët dhe bizneset e ndikuara drejtpërdrejt nga kriza, pasi shumë qytetarë kishin mbetur pa paga e të tjerë kishin humbur edhe vendin e punës.

    Në ndërkohë pas një konsultimi mes Shoqatës së Bankave të Kosovës dhe BQK-së, sektori bankar informoi klientelën e saj për një dritare aplikimi asokohe (deri me 30 Mars) për shtyrjen e kësteve kreditore për ato kategori që ishin goditur nga masat emergjente.

    Masa e ndërmarrë përfshiu shtyrjen e pagesave të kësteve të kredive për tre muaj nga të gjitha bankat në vend. E sipas të dhënave që posedon BQK-ja, shuma e tërësishme e kërkesave për shtyrje të pagesave të kredive vetëm gjatë periudhës 16 mars 2020 – 31 korrik 2020 është 1.52 miliardë euro apo 64.6 për qind e gjithsej portofolios kreditore, me gjithsej 77,629 kërkesa të bëra nga qytetarët dhe bizneset.

    Nga të gjitha kërkesat e bëra bizneseve u janë aprovuar 99 përqind e tyre, ndërsa personave fizik rreth 89 për-qind.

    Pavarësisht gjendjes jo të zakonshme që ishte krijuar pas pandemisë, sipas guvernatorit të BQK-së, Fehmi Mehmeti sektori bankar në Kosovë funksionoi normalisht edhe pse me staf të reduktuar. Një hap pozitiv në këtë drejtim është se që në dhjetë ditë e fundit të muajit Prill filloi edhe kthimi në normalitet i shërbimeve bankare.

    Marrë parasysh që situata pandemike vazhdoi edhe më tej, BQK-ja më 8 Qershor 2020 ka nxjerrë edhe udhëzuesin për Ristrukturimin e Kredive për shkak të COVID-19, me qëllim të vendosjes së kritereve mbi të cilat duhet të bazohet procesi i ristrukturimit të kredive në kushtet dhe rrethanat e krijuara nga pandemia COVID-19, duke synuar që kredimarrësit në vështirësi financiare të kenë mundësi të përmbushin detyrimet e parapara me kontratë dhe të zhvillojnë aktivitetin e tyre biznesor. Në një mbledhje të mbajtur më 27 Gusht nga Bordi Ekzekutiv i këtij institucioni duke u bazuar në këtë udhëzues u vendos për zgjatjen e afatit deri më datë 30 shtator 2020 për paraqitjen e kërkesave për ristrukturim të kredive, meqë i njëjti ishte i caktuar vetëm deri më 31 Gusht 2020.

    Sipas guvernatorit të BQK-së, nuk ka nevojë për panikë nga qytetarët, duke vlerësuar se sipas parashikimeve të bëra nga të dhënat e mbledhura nga të gjithë akterët në nivel vendi, situata pandemike parashihet të sjellë një rënie ekonomike që luhatet mes -2 deri në -4 për-qind. Kjo rënie në versionin më të keq mund të shkojë deri në -5.9 për-qind.

    Në këtë aspekt, BQK-ja mirëpriti interesimin e Qeverisë së Kosovës për hartimin e Pakos Emergjente Fiskale për këtë periudhë, por, vlerësoi që e njëjta është e pamjaftueshme dhe kërkon plotësim, duke shtuar që është e gatshme të kontribuojë në tejkalimin e krizës ekonomike.

    Në debatin dhe orvatjet për rimëkëmbjen e sektorit privat gjatë kësaj periudhe ka kontribuar edhe Oda Ekonomike e Kosovës, duke theksuar vazhdimisht shqetësimet e saj në lidhje me falimentimin e bizneseve private dhe shprehur interesim të ofrojë mbështetje për Qeverinë e Kosovës me propozime për mbështetjen e sektorit privat në kohë krize.

    Megjithatë sipas guvernatorit Mehmeti, shteti kosovar për kapërcimin e kësaj gjendje ka mundësine e marrjes së huave nga institucionet financiare ndërkombëtare (Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, etj.).

    Këtë e konfirmon edhe Banka Botërore, e cila thekson se Kosova që kur filloi kriza ka pasur nja avantazh krahasuar me vendet e tjera, pasi kishte borxhin më të vogël publik nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe kishte situatë të stabilizuar fiskale. Edhe në këtë institucion janë të mendimit se duhet të përdoret borxhi dhe hapësira fiskale që të ndihmohet ekonomia reale, sepse mungojnë të gjitha burimet e tjera të financimit.

    Krahas kësaj vetëm nga BB, bëjnë me dije se janë destinuar mbi 100 milionë dollarë si ndihmë për shtetin e Kosovës, gjysma nga to për mbështetje të sektorit shendetësor dhe pjesa tjetër për projekte që do të përmirësonin jetën e qytetarëve si dhe për t’i ndihmuar qeverisë si dhe 25 milionë dollarë për Fondin Kosovar për Garanci Kreditore pikërisht për të siguruar likuiditet për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Tani sipas Bankës Botërore është në dorën e Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës që e para të nënshkruaj kurse e dyta të ratifikojë këto marrëveshje që do të ndikonin në ringjalljen ekonomike që kjo situatë të tejkalohet dhe shume biznese të shpëtohen nga falimentimi.

    Teksa edhe në Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës vlerëson se zbatimi në plotëni i mjeteve dhe ndihmesave që ka premtuar qeveria për bizneset është i nevojes imediate, meqë kriza disa mujore dhe humbjet e mëdha që janë shkaktuar janë fare pak ose vështirë të tejkalueshme nëse ky sektor nuk merr përkrahje nga dora e shtetit. Sipas tij është momenti i fundit për reflektim nga ana e pushtetit pasi një gjë e tillë është në funksion të ruajtjes së stabilitetit financiar dhe mbështetjes së ekonomisë së vendit.

    Nga Rubrika
    Ekonomi18 Dhjetor 2024
    Arkitekti Përparim Rama kishte propozuar mega projekte për Komunën e Prishtinës para tri viteve, kur ishte zgjedhur kryetar i Prishtinës, por premtimet...
    Bota/Rajoni16 Dhjetor 2024
    Bitcoin ka arritur në një rekord të ri, duke kapur vlerën e 106 mijë dollarëve përpara se të binte në rreth 105...
    Ekonomi13 Dhjetor 2024
    KESCO ka njoftuar se për sot dhe një pjesë të ditës së nesërme kanë importuar energji elektrike mbi 3.5 milionë euro. Sipas...
    Të tjera
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryetari i Podujevës Shpejtim Bulliqi, ka shprehur pikëllim për vdekjen e Hilmi Ukës, i cili ishte mësimdhënës dhe drejtor shkolle. Ai tha...
    Vip22 Dhjetor 2024
    Ish-konkurrentët e edicionit të tretë të Big Brother VIP Kosova, Arioni dhe Diana janë fotografuar së bashku. Ata krijuan lidhje sa ishin...
    Vip22 Dhjetor 2024
    Leo është bërë nervoz pasi dështoi në sfidën për kapitenin e javës. Madje ai thotë se Fitimit nuk i duhet asgjë avantazhi...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Në pikën kufitare në Merdarë, sot është paraqitur një autobus me targa vendore, ku gjatë kontrollit të mjetit, janë selektuar për skanim...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur se viti 2024 ka qenë viti i pasaportës së vendit tonë. Përmes një postimi në...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Në një bisedë me një gazetar, Ilir Tahiri, kandidati për deputet i PDK-së, shprehu shqetësimin për qëndrimet e Albin Kurtit ndaj UÇK-së....

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.