Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, realizoi një takim virtual me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, me të cilin diskutuan për bashkëpunimin mes MKRS-së dhe Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, bën të ditur një njoftim nga MKRS’ja.
“Ministrja Dumoshi e informoi Ambasadorin Kosnett për projektet dhe planet që është duke i konkretizuar MKRS-ja në fushat që mbulon ministria, me theks projektet dhe mbështetjen e të rinjve në Kosovë. Ajo theksoi se ministria po punon në vazhdimësi që të ketë kujdesin e veçantë tash në këtë kohë të pandemisë që të plotësojë prioritetet e kërkesat e të rinjve dhe organizatave rinore”, thekson njoftimi.
“Ministrja Dumoshi tha se MKRS-ja ka rritur përkrahjen në mënyrë të vazhdueshme për të rinjtë e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Po ashtu gjatë takimit ministrja Dumoshi vlerësoi mbështetjen e Ambasadës në projektet për trashëgiminë kulturore”, thuhet në njoftim.
MKRS’ja ka bërë të ditur se “ministrja Dumoshi e falënderoi ambasadorin për bashkëpunimin e frytshëm që Ambasada ka pasur deri tani me ministrinë, në shumë projekte që kanë qenë të interesit të dyanshëm dhe pret që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen”.
Sipas MKRS’së, ambasadori Kosnett siguroi Ministren lidhur me interesimin e ambasadës për të vazhduar mbështetjen e punës së ministrisë, përfshirë këtu zhvillimin e mundësive ekonomike për rininë dhe përmirësimin e trashëgimisë kulturore të vendit, në kontekstin e zhvillimit të industrisë së turizmit.