
Zyrtarë të Komunës së Prishtinës gjatë kohës së pandemisë me Covid-19 ishin ndër më të zëshmit në thirrjet e tyre për respektimin e masave të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës për të parandaluar përhapjen e këtij virusi.
Tani kryetari i kësaj komune po bën thirrje që këto masa të rishikohen edhe njëherë duke i lehtësuar ato.
Drejtori për Shëndetësi në këtë Komunë, Bujar Gashi, për Front Online e ka arsyetuar kërkesën e fundit e të parit të Prishtinës duke thënë se faza e dytë duhet të fillojë dhe se nuk duhet të ketë kthim në fazën e parë.
Kjo pasi sipas tij, edhe kërkesa e parë e zyrtarëve të Komunës së Prishtinës rezultoi e suksesshme.
“Prej 6-7 mars kur është bërë kërkesa nga ne, ka rezultuar që ato masa kanë qenë të duhura të cilat janë vendosur në Komunën e Prishtinës. Tanimë veç kaluan 2 muaj e më shumë nga ajo kohë, dhe lirimi dhe fillimi i fazës së parë që fillojë më 4 maj, atë që shohim në teren, masat që janë vendosur nuk respektohen me përpikëri nga qytetarët. Është vështirë të rikthemi edhe një herë nëse duhet të u përmbahemi masave, praktikisht bie që vazhdimi i fazë së dytë nuk do të ketë rikthim”, tha ai për Front Online.
15 raste aktive me Coronavirus në Prishtinë
Sipas drejtorit për Shëndetësi, Bujar Gashi, aktualisht në Komunë e Prishtinës nga 84 raste sa kanë rezultuar pozite me Covid-19, tanimë janë vetëm 15 aktive, 67 të shëruar dhe dy raste kanë përfunduar me fatalitet.
“Me numra jemi mirë. Dje ka qenë vetëm një rast. Prishtina vazhdon të jetë me numrin që e ka pasur me 84 raste pozitive, 67 të shëruar, 2 me fatalitet dhe 15 raste aktive që janë aktualisht. Këto dy-tri ditët në vazhdim presim të kemi ritestimin e këtyre rasteve dhe presim që edhe rastet aktive dhe tre prej tyre t’;i kemi të shëruar. Dhe praktikisht të shkojmë nga numri 0 i pacientëve aktiv me Covid-19”, ka pohuar Gashi për Front Online.
Komuna e Prishtinës: Fitër Bajrami të falet në shtëpi
Coronavirusi ka ndikuar që shumë prej festave në Kosovë të mos festohen si zakonisht.
Gjatë ditëve të fundit janë bërë thirrje të shumta që edhe ditën e diele, falja e namazit të Fitër Bajramit të mos bëhet në xhami por, në shtëpi.
Kjo duke iu shmangur grumbullimeve tradicionale që qytetarët bëjnë gjatë kësaj feste.
Këtyre thirrjeve ju është bashkuar edhe drejtori për Shëndetësi në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi.
Ai për Front Online ka ftuar qytetarët e Prishtinës t’i respektojnë masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës.
“E dimë që xhamitë nuk janë të hapura dhe është bërë thirrje që të mos jetë ajo forma tradicionale e festimit të kësaj feste. Të mos ketë lëvizje ose shkuarje të familjeve nëpër familje. Masat duhet t’i respektojmë, dhe duke i respektuar ato, atëherë nuk do të lejohen këto lëvizje. Po presim sot e nesër nëse do të ketë lëvizje më të shtuar. Thirrja është të mos ketë falje të namazit të Bajramit dhe nuk do të ketë shkuarje ndërmjet qytetarëve”, ka thënë më tutje Gashi.
Festa e Bajramit, në rast të daljeve masive- policia do t’i shtojë patrullat
Në kryeqytet pritet që gjatë ditëve të festës së Bajramit të shtohet edhe numri i policëve në pjesë të ndryshme të qytetit sipas nevojës.
“Policia dhe Inspektorati janë nën lëvizje dhe mbikëqyrje të respektimit të masave. Besoj që edhe ditën e diele dhe të hënën do të jenë në krye të detyrës në respektimin e masave që vijnë nga niveli qendror. Polica Rajonale e Prishtinës është pjesë e Shtabit të Komunës së Prishtinës dhe jemi në komunikim “online” edhe me policinë e Kosovës, dhe varësisht prej nevojave brenda orëve rritet numri i policëve nëse veç ka nevojë për tu rritur numri i mbikëqyrësve në teren”, tha ai për Front Online.
Gashi në fund ka kërkuar nga qytetarët që të respektohet secila masë mbrojtëse në mënyrë dhe që të evitohet infektimi me pandemisë Covid-19.
“E dimë krejt sa është e rëndësishme festa e Bajramit, festa më e madhe e jona sa i përket festave fetare. Dhe duhet të jemi të kujdesshëm. Të festojmë pa u dëmtuar në mënyrën më të mirë të mundshme duke i respektuar masat”, deklaroi Gashi për Front Online.