Policia në Hagë ka bërë të ditur të dielen se i ka arrestuar 37 protestues, të cilët në shpërfillje të ndalesës së vënë nga gjykata, kanë protestuar kundër rregullave të distancimit social, të vëna për frenimin e përhapjes së koronavirusit.
Rreth 200 protestues kanë marrë pjesë në demonstratën e së dieles, një numër ky shumë më i vogël sesa ai i një jave më parë, kur disa mijëra kishin qenë pjesëmarrës në një proteste të ngjashme, raporton Reuters, transmeton KOHA. Organizatorët iu kishin bërë thirrje qytetarëve të qëndronin në shtëpi këtë javë, pasi që gjykata të premten kishte vendosur se protesta shkel kufizimet mbi tubimet publike.
Protestuesit thonë se politika që u kërkon qytetarëve të qëndrojnë 1.5 metra larg njëri-tjetrit është jodemokratike dhe duhet të hiqet.
Holanda ka regjistruar më shumë se 50.000 të infektuar me COVID-19 dhe mbi 6.000 vdekje që nga mesi i marsit.