×
  • Lajme
  • Lajme

    Dështojnë seancat gjyqësore, ato online veç “në plan”

    FrontOnline
    19 Gusht 2020

    Në gjykatat e Kosovës, një numër i madh i seancave nuk po mbahen ose edhe po dështojnë si pasojë e pandemisë. Aty po trajtohen vetëm rastet urgjente, kurse ende po punohet në planin për kalimin e mbajtjes së seancave në formën online. Në këtë periudhë, sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, efikasiteti i punës ka rënë në masë të madhe.

    Në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, thonë se aktualisht gjykatat e Kosovës punojnë me kapacitete të limituara, për shkak të pandemisë, por edhe për shkak të pushimeve verore.

    “Kemi vështirësi shumë. Ka shumë seanca që po dështojnë për shkak të pandemisë. Në seanca nuk paraqiten dëshmitarë, nuk paraqiten mbrojtësit e të akuzuarve…”, tha kryesuesi i këtij këshilli, Skënder Çoçaj.

    Ai shtoi se momentalisht punohet vetëm me lëndë të caktuar dhe që janë më urgjente.

    “Fokusi kryesor është te lëndët me paraburgim, te lëndët e shënjestruara, te lëndët që janë në rrezik që të kalojnë afatin prej tre muajsh, siç janë lëndët penale dhe rastet e dhunës në familje”, tha Çoçaj.

    Edhe kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni thotë për Radion Evropa e Lirë se po punohet me staf të reduktuar, por mundohen që të mos dështojnë seancat e rasteve urgjente.

    “Po punohet sidomos për rastet që kanë të bëjnë me paraburgim ose rastet që kanë të bëjnë me shkeljet e detyrave zyrtare”, tha Hyseni.

    IKD: Gjyqtarët po dështojnë të administrojnë seancat

    Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) vlerëson se që nga marsi i këtij viti – kur në Kosovë u paraqitën rastet e para me koronavirus – efikasiteti i punës në sistemin e drejtësisë ka rënë në masë të madhe.

    Drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj, thotë se jo rrallë herë gjyqtarët nuk ushtrojnë kompetencat dhe përgjegjësit e tyre në raport me prokurorët dhe avokatët apo edhe palët e tjera në procedurat gjyqësore.

    “Gjyqtarët nuk janë në gjendje të kontrollojnë dhe të administrojnë seancat gjyqësore dhe jo rrallë herë vjen edhe deri te shtyrja e seancave gjyqësore. Në bazë të Kodit Penal dhe ligjeve të tjera që rregullojnë çështjet civile dhe administrative, gjyqtarët mund të shqiptojnë gjoba, mund të marrin masa ndaj prokurorëve dhe palëve në procedurë nëse nuk e respektojnë autoritetin e gjykatës. Fatkeqësisht gjyqtarët këtë të drejtë nuk e zbatojnë në praktikë asnjëherë, e që ndikon në uljen e autoritetit të tyre, e me këtë edhe në mosmenaxhimin e duhur të seancave gjyqësore”, tha Miftaraj.

    Ndërkaq, kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Behar Ejupi, tha për Radion Evropa e Lirë, se avokatët aktualisht kanë vështirësi të mëdha në ushtrimin e profesionit të tyre për shkak të pandemisë së koronavirusit.

    Ai thotë se puna e avokatëve është e lidhur ngushtë me punën e gjykatave dhe prokurorive dhe se sipas tij, seancat në gjykata nuk janë duke dështuar për shkak të mosprezencës së avokatëve.

    “Oda e Avokateve në anëtarësi të vet ka mbi 1,080 avokatë. Kështu që, sa u përket avokatëve nuk shtyhen seancat. Mirëpo seancat shtyhet për shkak të vendimeve që ka marrë Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial”, tha Ejupi.

    “Kemi kërkuar që të krijohen kushte për mbajtjen e seancave ashtu siç janë edhe rekomandimet e institutit [IKSHPK], me qëllim që të ruhet shëndeti dhe të mos bëhet shkelje e të drejtave dhe lirive të personave të cilët janë në procedurë, e që kanë nevojë edhe për avokat”, shtoi Ejupi.

    Seancat online, në pritje të planit

    Drejtuesit e Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe atij Gjyqësor thanë për Radion Evropa e Lirë, se ende janë duke punuar rreth planit për fillimin e mbajtjes së seancave gjyqësore në formën online, por diçka e tillë nuk ka nisur ende.

    Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Skënder Çoçaj thotë se për mbajtjen e seancave online po shikohen në radhë të parë aspektet ligjore dhe ato teknike.

    “Duhet të ketë gatishmëri edhe nga të gjitha palët që të marrin pjesë në seanca online. Ne jemi në diskutime me Këshillin Prokurorial, me Prokurorin e Shtetit, me Odën e Avokatëve në mënyrë që të organizohemi që qysh nga shtatori… nuk po them menjëherë sepse tash shtatori gati erdhi, por në shtator do të fillojmë me seanca gjyqësore online”, tha Çoçaj.

    Zyrtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës kanë thënë se grumbullimi i lëndëve të pazgjidhura vazhdon të jetë problem, i cili gjyqësorin po e përcjellë në vazhdimësi për dy dekada.

    Ndryshe, në një raport të Këshillin Prokurorial të Kosovës, thuhet se nga gjithsej 806 prokurorë e staf administrativ, 68 persona kanë qenë të infektuar me koronavirus, kurse deri në fundjavën e kaluar, 23 nga ta vazhdojnë të jenë ende pozitivë me koronavirus.

    Prokuroritë e Kosovës aktualisht po punojnë me staf të angazhuar deri në 40 për qind, të cilët janë me punë në zyra, kurse pjesa tjetër punon nga shtëpitë. Ndërkaq, sipas të dhënave nga Këshilli Gjyqësor, aktualisht 32 persona, zyrtarë ligjorë edhe gjyqtarë janë të infektuar me koronavirus, ndërsa 4 të tjera janë në vetizolim pasi kanë pasur kontakte me persona të infektuar. /rel/

    Nga Rubrika
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku të hënën me bashkëpartiakët e tij, bëjnë homazhe te varri i ish-presidentit historik Ibrahim Rugova....
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga mërgimtarët më shumë vota. Ai thotë se kanë investuar shumë në ushtri e mbrotje,...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka takuar profesorin e tij, Xhaferin dhe pensionistë të tjerë, ku ka premtuar se viti...
    Të tjera
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryetari i Podujevës Shpejtim Bulliqi, ka shprehur pikëllim për vdekjen e Hilmi Ukës, i cili ishte mësimdhënës dhe drejtor shkolle. Ai tha...
    Vip22 Dhjetor 2024
    Ish-konkurrentët e edicionit të tretë të Big Brother VIP Kosova, Arioni dhe Diana janë fotografuar së bashku. Ata krijuan lidhje sa ishin...
    Vip22 Dhjetor 2024
    Leo është bërë nervoz pasi dështoi në sfidën për kapitenin e javës. Madje ai thotë se Fitimit nuk i duhet asgjë avantazhi...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Në pikën kufitare në Merdarë, sot është paraqitur një autobus me targa vendore, ku gjatë kontrollit të mjetit, janë selektuar për skanim...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur se viti 2024 ka qenë viti i pasaportës së vendit tonë. Përmes një postimi në...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Në një bisedë me një gazetar, Ilir Tahiri, kandidati për deputet i PDK-së, shprehu shqetësimin për qëndrimet e Albin Kurtit ndaj UÇK-së....

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.