
Partia Demokratike e Kosovës ka ndërruar qëndrim dhe tani po kërkon që pas pandemisë me Covid-19, vendi të shkojë në zgjedhje.
Anipse kjo parti në takimin që kishte me Presidentin, Hashim Thaçi, u deklarua se janë për formimin e një qeverie të re, tani kanë ndryshuar qëndrimin duke kërkuar zgjedhje të parakohshme.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, në një intervistë për “Front Online”, ka theksuar se tanimë kjo parti është e fokusuar në menaxhimin e pandemisë Covid-19, duke shtuar që janë të gatshëm për zgjedhje posa të krijohen kushtet.
Për sa i përket çështjes së pezullimit të dekretit të presidentit Thaçi për mandatarin për krijimin e qeverisë së re, ajo tha se PDK-ja, i beson çfarëdo vendimi që del nga kjo gjykatë.
Prishja e koalicionit qeveritar në mes të LVV-së dhe LDK-së, sipas deputetes së PDK-së, Blera Deliu-Kodra, ka nxitur një krizë politike pikërisht në kohë të pandemisë me Covid-19.
“Në pikën e zhvillimit të pandemisë, qeveria nxiti një krizë politike dhe ndodhi edhe prishja e koalicionit qeveritar. Kjo natyrisht që ka qenë e papritur për shkak që vendi në atë kohë kishte nevojë për një stabilitet politik e nuk kishte nevojë për prodhim të krizave që i krijojë koalicioni qeveritar, në një afat fare të shkurtër të qeverisjes së këtij koalicioni”, ka thënë ajo, për “Front Online”.
Deliu: U bënë seleksionime se kush duhet të vendoset në karantinë në Konvikte
Shqetësim ajo ka shprehur edhe për mënyrën e seleksionimit të personave që janë vendosur në karantinë.
Ajo ka theksuar që ka pasur seleksionim të personave që janë vendosur në konvikte.
“Ju jeni dëshmitarë të seleksionimit të personave që i kanë ngritur shqetësimet partitë opozitare. Disa qytetarë kanë gëzuar privilegjin që të mos qëndrojnë të izoluar për javë të tëra, përderisa ka pasur qytetarë që janë selektuar dhe nuk i kanë respektuar masat e kërkuara të karantinës”, ka thënë ajo.
Deliu-Kodra nuk e la pa e përmendur edhe rastin e djalit nga Gjilani i cili humbi jetën në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.
“Natyrisht rasti më i ndejshëm dhe më i rëndë ka qenë rasti fatal i vdekjes së 25-vjeçarit, pra humbjes së jetës së një të riu që e ka përshkallëzuar edhe më tepër këtë gjendje, prandaj po konsiderojmë që ka munguar një qasje dhe një vullnet politik i kësaj qeverie për të adresuar pandemisë. Fundja është dashur që të kërkohet edhe me tepër angazhim nga të gjitha subjektet politike”, ka thënë ajo për Front Online.
Deputetja Deliu: Qeveria pak punë për 100 ditë, Kurti i shkeli premtimet
Deputetja e partisë më të madhe opozitare i ka numëruar 100 skandale të Qeverisë “Kurti” për 100 ditët e qëndrimit në pushtet.
Për deputeten Blerta Deliu-Kodra, 100 ditshi i qeverisë “Kurti” është karakterizuar me pak punë dhe me shumë fjalë.
“ Natyrisht që krahas fjalëve, intervistave, statuseve politike të cilat kanë qenë shumë të theksuara gjatë kësaj faze, ne kemi parë fare pak punë dhe angazhim të kësaj qeverie duke filluar nga prishja e raporteve me ShBA-të, tek shkeljet e Kushtetutës, prandaj tek 1000 testet që janë marr nga Serbia, 100 mjekë që kanë hyrë nga Serbia në Kosovë e deri tek deklaratat e turpshme për UÇK-në”, ka thënë ajo për Front Online.
Sipas saj, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka shkelur edhe premtimet e tij, duke përmendur kështu edhe çështjen e largimit të taksës.
“Ajo që vlen të theksohet është që të gjitha ato premtime elektorale të cilat qeveria Kurti dhe vet kryeministri në largim Kurti i ka deklaruar gjatë gjithë kohës janë parime që ai i ka shkelur, përfshirë çështjen e taksës që e ka diskutuar shumë gjatë sa ka qenë përfaqësues i opozitës dhe ka pasur një diskurs tjetër në qasjen e tij në qeveri, e deri tek bordet e ndërmarrjeve publike”, ka thënë ndër të tjera ajo.
Deliu: PDK-ja i beson Gjykatës Kushtetuese, jemi të gatshëm për zgjedhje
Vendimi për pezullimin e dekretit të presidentit të vendit Hashim Thaçi, për mandatarin për krijimin e qeverisë së re, sipas Blerta Deliu-Kodra, ka qenë i duhur. Kjo pasi që ajo ka theksuar që PDK-ja i beson çdo vendimi që del nga kjo gjykatë.
“PDK-ja ka besuar gjithmonë në këtë institucion dhe natyrisht ne edhe sot po e shfrytëzojë rastin që të kërkojë nga partitë politike që të tregojnë respekt ndaj vendimeve të këtij institucioni. Ne do ta presim vendimin final dhe çfarëdo që do të jetë ky vendim, si subjekt politik do ta respektojmë në përpikëri”, ka thënë ajo, për “Front Online”.
Ndërsa për sa i përket zgjedhjeve të reja, ajo ka thënë se janë më se të gatshëm, kurdo që të krijohet situata e favorshme për mbajtjen e tyre.
“Jemi duke punuar shumë në terren. Ne jemi të gatshëm që sapo të krijohen kushtet të mendojmë për një qeveri legjitime dhe të kthehemi tek sovrani në mënyrë që edhe ai të përcaktojë udhëheqjen e këtij vendi”, ka thënë ndër të tjera ajo.
Deputetja e PDK-së: Vendit i duhet stabilitet politik e jo vakum institucional
Për sa i përket punës së qeverisë në luftimin dhe menaxhimin e pandemisë Covid-19, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra ka thënë se qeveria në detyrë “Kurti”, është jashtë funksioni dhe se nuk mund të adresojë shqetësimet e qytetarëve për sa i përket pandemisë.
“Vendit ajo që çfarë më së shumti i duhet është një stabilitet politik dhe assesi një vakum institucional për të menaxhuar me situatën dhe gjendjen e pandemisë në vend. Në radhë të parë kjo qeverisje nuk mund që të sponsorizoj ligje në Kuvend, është jashtë funksionit dhe nuk mund ta kryej detyrën e vet një qeveri e cila është e shkarkuar. Vendi ka nevojë që të ketë një qeveri legjitime e cila do t`i adresojë këto shqetësime të qytetarëve dhe që do të menaxhojë jo vetëm këtë fazë të pandemisë por edhe fazën e dytë që është fazë e rikuperimit në aspektin ekonomik dhe në aspektin social”, ka thënë ajo për Front Online.