
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës Blerta Deliu-Kodra, ka reaguar pas rastit tragjik që ndodhi dje në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.
Ajo ka thënë që ky rast nuk duhet të neglizhohet nga institucionet, raporton “Front Online”.
“Vetëvrasja e 26 vjeçarit nga Gjilani në Qendrën e Karantinimit nuk mundet asesi të neglizhohet nga institucionet duke u kaluar me aq lehtësi. Neglizhimi dhe injorimi i pamëshirshëm ndaj gjendjes së tij shëndetësore edhe asaj mendore, e apeluar disa herë nga viktima dhe familjarët e tij, siç e dëshmon babai i viktimës, përbën veprim penal”, ka thënë ajo.
Për sa i përket përmendjes së dorëheqjes nga ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ajo ka theksuar se ky veprim nuk e shfajëson përgjegjësinë penale që bart ai.
“Dorëheqja e “menduar’ si veprim moral nuk shfajëson përgjegjësinë penale që bart Ministri i Shëndetësisë dhe shefi i tij. Dorëheqja është më e pakta që mund të ndodhë pas një jete të humbur. Ndonëse, as dorëheqja nuk do ta mund dhimbjen e familjes që humbi fëmijën e vetëm. Tashmë kur Prokuroria Themelore ka konfirmuar nisjen e hetimeve shpresoj se përgjegjësit e kësaj ngjarje të dhimbshme do të dalin para drejtësisë”, ka shkruar ajo në një postim në “Facebook”./Front Online