
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Sejdi Hoxha, ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me aktvendimin për mandatarin e ri për formimin e qeverisë.
Hoxha tha se PDK do ta respektojë vendimin e Kushtetueses.
“Partia Demokratike e Kosovës nuk ka qenë palë e këtij procesi, bile nuk kemi dërguar as komente për aktvendimin. Ne kemi thënë që do ta respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Nesër presim ta kemi edhe një konferencë për media”
“Ky vendim duhet ta respektohet nga i gjithë spektri politik, që të mos cenohet rendi juridik. PDK-ja nuk ka asnjë lloj entuziasmi lidhur me aktvendimin edhe nuk na paraqet asnjë problem”.
Hoxha shtoi se Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të mbetet në opozitë.
“Qëndrim i Partisë Demokratike të Kosovës do të jetë se ne do të vazhdojmë të jemi në opozitë. PDK do të vijë në pushtet vetëm nëpërmjet zgjedhjeve, ne nuk do të kalkulojmë. Ne nuk do ta votojmë as qeverinë e re në tentativën e LDK-së”.
Deputeti i PDK-së theksoi se nuk pritet ndonjë mrekulli nga qeveria në ardhje.
Nuk presim ndonjë mrekulli nga kjo qeveri, sepse është dëshmuar që këta nuk janë të aftë të marrin vendime.
Nuk janë kushtet që të mbahen zgjedhjet sepse në kohë pandemie nuk jemi lejuar për vizita as për Bajram dhe lërë më zgjedhje.
Ne presim momentin e duhur që të shkojmë në zgjedhje dhe të fitojmë.