
Qeveria në detyrë në krye me kryeministrin, Albin Kurti, në këtë qeverisje më së shumti njihet për shkarkimin e bordeve të ndërmarrjeve publike në Republikën e Kosovës, raporton portali Front Online.
Qeveria, për shkarkimin e bordeve ka marrë për bazë të gjeturat që janë bërë viteve të fundit, humbjet, nepotizmin, mosrealizimin e projekteve dhe shume të gjetura të tjera të cilat rezultuan në shkarkimin e anëtareve të bordeve.
Pas shkarkimeve të anëtarëve të bordeve, të cilët ishin emëruar në kohën kur në bashkëqeverisje ishin PDK, AAK, Nisma dhe AKR, Kurti ka emëruar anëtarë të tjerë të bordeve në këto ndërmarrje disa nga ta edhe anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Se a do të shkarkohen edhe anëtarët e bordeve të emëruar nga Kurti, për portalin Front Online, ka folur deputeti i AAK-së, Rasim Selmanaj, partia e të cilit pritet të qeverisë me vendin bashkë me LDK-në, Nisman dhe Listën Serbe.
Ai për Front Online tha se për çështjen e bordeve nuk kanë biseduar me LDK-në, e cila e ka mandatarin për formimin e Qeverisë.
“Në këtë fazë nuk ka qenë temë e jona çështja e bordeve të ndërmarrjeve publike”, tha Selmanaj për Front Online.
Selmanaj tha se synim i Qeverisë Kurti ka qenë t’i sjellë militantët e Vetëvendosjes në bordet e ndërmarrjeve publike.
“Gjatë procedurës se shkarkimeve të bordeve ka shkelje ligjore edhe ka shkarkime kolektive që thjesht ka qenë një fushatë me i ndjek, sipas tyre, njerëzit e partive të tjera dhe me i sjellë militantët e Vetëvendosjes. Ky është një proces që duhet me shikuar nga ana e qeverisë në bazë të ligjit nëse ata kanë bërë shkele ligjore ato shkelje duhet të evidentohen. Me sa jam i informuar bordet e shkarkuara kanë bërë ankesë në institucionet përkatëse dhe nuk përjashtohet mundësia që ata me u kthy në proces gjyqësor”, tha Selmanaj për Front Online.