×
  • Lajme
  • Lajme

    Demokraci Plus: Komuna e Prishtinës për rikonstruktimin e kulmit të objektit të ri, shpërbleu kompaninë që ka një histori mashtrimi në prokurim publik

    FrontOnline
    08 Maj 2024

    Demokraci Plus ka publikuar analizën “Rënia e kulmit të objektit të Komunës së Prishtinës – alarm për luftimin e korrupsionit në prokurim publik”. Kjo analizë e shkurtër ka për qëllim të shpalosë raste të caktuara të mashtrimeve në prokurim publik e të cilat nuk janë sanksionuar nga organet përgjegjëse për to, raporton Ekonomia Online.

    Po ashtu, analiza dëshmon që edhe kur kompanitë apo pronarët e tyre janë dënuar nga gjykatat për mashtrime në prokurim publik, dënimet kanë qenë shumë të buta gjë që nuk ka ndikuar në dekurajimin e kompanisë për të vazhduar me mashtrime të njëjta.

    Ardit Dragusha, nga organizata Demokraci Plus, ka paraqitur dy raste se si Komuna e Prishtinës, në janar të vitit 2023 ndau mbi 700 mijë euro për rikonstruktimin e kulmit të objektit të ri të komunës, duke shpërblyer një kompani që ka një histori mashtrimi në prokurim publik.

    “Me datën 18 janar 2024, si pasojë e punimeve të dobëta, erërat rrëzuan kulmin e objektit të ri të Komunës së Prishtinës, duke shkaktuar dëme materiale dhe lëndime në njerëz. Kjo ngjarje shpërfaqi pasojat që shkaktohen nga mungesa e sanksionimit të kompanive të cilat në vazhdimësi shkelin Ligjin e Prokurimit Publik (LPP). Komuna e Prishtinës, në janar të vitit 2023 ndau 700,000.002 euro për rikonstruktimin e kulmit të objektit të ri të komunës. Me kontratë u shpërblye kompania ‘NBT-ING Sh.P.K.’, e cila ofertoi me 386,096.29 euro, apo rreth 313,903.71 euro më e ulët se sa vlera e parashikuar për këtë aktivitet. Kompania që u shpall fituese e kontratës dhe zhvilloi punimet në kulmin e objektit të komunës, ka një histori mashtrimi në prokurim publik”, ka thënë ai.

    “Rasti i parë kompania NBT-ING Sh.P.K., në vitin 2018 kishte ofertuar me dokumente të falsifikuar prej 1,000,000.00 euro, të iniciuar nga Komuna e Suharekës. Për këtë mashtrim, Gjykata Themelore në Prizren – Dega Suharekë, me aktgjykimin nr. 341/2019 të datës 29.06.2021, e kishte shpallur fajtor pronarin e kompanisë, për veprën penale falsifikim i dokumenteve dhe i shqiptoi gjobë prej 900.00 euro. Rasti i dytë Kompania NTB-ING Sh.P.K., vazhdoi të fitojë kontrata publike, siç ishte tenderi “Renovimi i objektit të Prokurorisë Speciale”, me vlerë të parashikuar 999,800.00 euro. Në këtë aktivitet të prokurimit i zhvilluar në vitin 2020, kjo kompani mashtroi sërish duke ofertuar me dokumente të falsifikuara. Për këtë rast, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, me aktgjykimin nr. 450/2021 të datës 10.10.2022, e kishte shpallur fajtor pronarin e NTB- ING Sh.P.K. për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik, duke e gjobitur me 2,000.00 euro dhe dënuar me një vit burgim. Ky aktgjykim u vërtetua edhe nga Gjykata e Apelit me vendimin nr. 602/2022, i datës 12.01.2023. Pra, pavarësisht dy rasteve të dënimit me vendim nga gjykatat kompetente në vitin 2018 dhe 2020 për mashtrim në prokurim publik, kompania NTB-ING Sh.P.K prap ofertoi dhe fitoi tenderin nga Komuna e Prishtinës në vitin 2023 për rikonstruktimin e kulmit të objektit të ri të komunës. Kjo për shkak se autoritetet kontraktuese (Komuna e Suharekës në rastin e parë dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës në rastin e dytë) nuk kishin bërë kërkesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik (OSHP) për diskualifikimin e kompanisë përkatëse dhe rrjedhimisht eliminimin e saj nga mundësia për të konkurruar prapë në tenderë publik”, ka thënë ai.

    Egzona Kozhani, nga kjo organizatë, ka thënë se problem është që gjykatat po shqiptojnë sanksione të buta të cilat nuk po rezultojnë në përmirësimin e gjendjes në terren pavarësisht përcaktimeve të Kodit Penal.

    Sipas saj, pavarësisht se Kodi Penal në fuqi kishte paraparë dënim me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vite, për këdo që falsifikon një dokument, pronari i kompanisë NBT-ING Sh.P.K., në rastin e parë është dënuar me vetëm 900.00 euro gjobë, ndërsa në rastin e dytë, edhe pse Kodi Penal i ri i miratuar në vitin 2019, vetëm sa ka rritur masën e sanksionimit me burg për raste të tilla, pronari i kompanisë u dënua me 2,000.00 euro gjobë dhe një (1) vit burgim.

    “Këto dallime po shpërfaqin një mos përputhje në vendimmarrje në organet kompetente, gjithashtu po inkurajojnë operatorët ekonomik që të vazhdojnë me kryerjen e këtyre veprimeve”, ka thënë ajo.

    Në fund analiza ka ofruar disa rekomandime për institucionet relevante me qëllim përmirësimin e sistemit dhe rritjes së integritetit në prokurimin publik.

     

    Në këto vende nuk do të ketë rrymë për shkak të punimeve
    Nga Rubrika
    Lajme19 Maj 2024
    Një përleshje ka ndodhur mes disa familjarëve në qytetin e Shtimes, ku tre prej tyre kanë përfunduar në spital. Rreth orës 19:33,...
    Lajme19 Maj 2024
    Pedagogia dhe ish-zëvendës ministrja, Nora Malaj tha se martesa e bërë mes dy grave në tarracën e institucionit të Bashkisë së Tiranës,...
    Lajme19 Maj 2024
    Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) organizoi mbajtjen e Testit Kualifikues, në kuadër të procesit të rekrutimit të njëzetekatër (24) prokurorëve të rinj...
    Të tjera
    Bota/Rajoni19 Maj 2024
    Vjen reagimi i parë nga SHBA në lidhje me rrëzimin e helikopterit me të cilin udhëtonte presidenti i Iranit Ebrahim Raisi dhe...
    Lajme19 Maj 2024
    Nënsekretarja amerikane për Diplomaci Publike, Liz Allen, ka takuar presidenten Vjosa Osmani në Prishtinë. Ambasada e SHBA-së në Kosovë, përmes një komunikate...
    Sport19 Maj 2024
    Sulmuesi shqiptar Mirlind Daku, ka vazhduar me performancën e shkëlqyer në elitën e futbollit të Rusisë. Reprezentuesi i Kombëtares së Shqipërisë, ka...
    Lajme19 Maj 2024
    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka parashikuar që gjatë javës që vjen do të mbajë kryesisht mot i paqëndrueshëm në Kosovë. E hënë...
    Sport19 Maj 2024
    Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk që të dy kanë fituar një mal me para nga lufta e tyre për kampionin e padiskutueshëm...
    Lajme19 Maj 2024
    Njëzet ekipe shpëtimi dhe dronë janë dërguar në zonën ku helikopteri në të cilin ndodheshin presidenti iranian, Ebrahim Raisi dhe ministri i...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.