×
  • Lajme
  • Lajme

    Çfarë parashihet me gjendjen e jashtëzakonshme?

    FrontOnline
    11 Korrik 2020

    Pas rritjes së numrit të personave të infektuar me koronavirus, që shkakton sëmundjen COVID -19, dhe rritjes së numrit të rasteve që kanë përfunduar me vdekje, Kosova është duke shqyrtuar mundësinë që të shpallë gjendje të jashtëzakonshme.

    Lidhur me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, ka paralajmëruar se pritet të vendosët të dielën në takimin e Këshillit të Sigurisë i Republikës së Kosovës, i cili aktualisht kryesohet nga Hoti.

    Megjithëkëtë, fjalën e fundit për këtë e jep Kuvendi i Kosovës.

    Në rast të shpalljes së gjendjes të jashtëzakonshme, Këshilli i Sigurisë ushtron funksione ekzekutive që kufizohen në funksionet që ndërlidhen në veçanti me gjendjen e jashtëzakonshme dhe drejtohet nga Presidenti i Republikës.

    Në gjendje të jashtëzakonshme sipas Kushtetutës së Kosovës presidenti pas konsultimit me Qeverinë dhe Kuvendin, mund të urdhërojë mobilizimin e Forcës së Sigurisë të Kosovës, për të ndihmuar në gjendjen e jashtëzakonshme.

    Kryeministri Hoti gjatë një takimi virtual të mbjatur me kryetarët e komunave të Kosovës ka sqaruar se gjendja e jashtëzakonshme nuk nënkupton paralizim të biznesit dhe institucioneve, por u jep autorizime institucioneve përkatëse të ndërmarrin masa të shpejta dhe fleksibile karshi situatës së krijuar.

    Kurse ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, në një postim në rrjetin social Facebook iu është drejtuar qytetarëve të Kosovës qe të respektojnë masat dhe siç ka shkruar ai të mos e imponojnë vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme.

    “Mos na impononi vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme. Nuk jemi qeveri represive, por shtet demokratik. Më dhemb shpirti ta shoh Kosovën e mbyllur”, ka shkruar Zemaj në Facebook.

    Krasniqi: Po rrezikohet shëndeti publik
    Valbon Krasniqi, ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), tha për Radion Evropa e Lirë se do të përkrahin çdo vendim të Qeverisë së Kosovës që shkon në favor të mbrojtjes së jetës së qytetarëve.

    Ai ka bërë të ditur se sa i përket situatës me COVID-19 është e rënduar jashtëzakonisht, shumë sidomos në dy – tre javët e fundit.

    “Është rritur në mënyrë të ndjeshme numri i pacientëve që po kërkojnë hospitalizim. Gjatë mbrëmjes së kaluar në nivel të Kosovës ishin mbi 280 pacientë të shtrirë në klinikat e QKUK-së dhe në spitalet regjionale. Situata po shkon duke u rënduar, por ne ende po arrijmë të menaxhojmë në aspektin klinik pacientët që po shtrihen në spital”, tha Krasniqi.

    Sa i përket çështjes së situatës së jashtëzakonshme, Krasniqi tha se është kompetencë e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik për të dhënë një vendim.

    Megjithatë, sipas tij, kriteret që duhet shikuar për këtë çështje përveç tjerash janë kriteri klinik, pra numri i pacientëve të shtrirë dhe kapaciteteve të sistemit shëndetësor për të pranuar këta pacientë si dhe kriteret tjera epidemiologjike.

    “Ajo që është me rëndësi është që qytetarët ta kuptojnë seriozisht situatën në të cilën jemi. Shëndeti publik i qytetarëve të Kosovës është duke u rrezikuar, shëndeti individual i secilit qytetarë është i kërcënuar seriozisht dhe secili duhet të kemi përgjegjësi për sjelljet dhe veprimet tona”, tha Krasniqi.

    Në Kosovë, që nga paraqitja e rasteve të para me koronavirus më 13 mars, numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 4.512, dhe 97 pacient kanë vdekur.

    Numri i vdekjeve të pacientëve është rritur nga fillimi i korrikut. Vetëm nga 1 korriku deri më 11 korrik janë shënuar 47 vdekje.

    Ndërsa, numri i rasteve aktive është 2.259.

    Lul Raka, mikrobiolog në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se përparësi e gjendjes së jashtëzakonshme është ulja e numrit të të prekurve dhe ulja e vdekshmërisë të rasteve me COVID 19, ndërsa pasojat janëshkatërrimi i ekonomisë, shëndetit mendor me dhunë përcjellëse në familje dhe pasoja të tjera.

    Sipas tij, zgjidhja e mundshme mund të jetë “të gjithë me maska”, ka shkruar Raka.

    Rukiqi: Gjendja e jashtëzakonshme mos të mbyllë ekonominë
    Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Berat Rukiqi në rrjetin social facebook ka shkruar se çdo gjendje e jashtëzakonshme, që përfshin mbyllje te bizneseve, do te jete fatale për ekonominë.

    “Nëse gjendja e jashtëzakonshme shpallet për të mundësuar masa me të rrepta në luftën me pandemine, atëherë këto masa të mos ndërmerren në kurriz të ekonomisë. Masat duhet te ndërmerren ndaj atyre bizneseve që nuk respektojnë rregullat dhe masat parandaluese”, ka shkruar Rukiqi.

    Në anën tjetër, kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahemti ka shkruar në facebook se ‘gjendja e jashtëzakonshme është instrument për të marr vendime më shpejtë dhe se kjo nuk nënkupton automatikisht masa të mbylljes’.

    Çfarë thotë Kushtetuta për gjendjen e jashtëzakonshme?
    Sipas Kushtetutës së Kosovës, presidenti i vendit vendos për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, në konsultim me kryeministrin, kur ka nevojë për masa emergjente të mbrojtjes; ka rrezik të brendshëm ndaj rendit kushtetues ose sigurisë publike, ka fatkeqësi natyrore, e cila prek tërë territorin e Republikës së Kosovës ose një pjesë të tij.

    Kufizimet mbi të drejtat dhe liritë e garantuara me këtë Kushtetutë, bëhen vetëm deri në shkallën e nevojshme, për sa më pak kohë që të jetë e nevojshme dhe në përputhje të plotë me këtë Kushtetutë.

    Me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, presidenti i Republikës së Kosovës shpallë menjëherë dekretin, i cili përcakton natyrën e kërcënimit dhe çfarëdo kufizimi për të drejtat dhe liritë. Në këtë rast, Kuvendi i Kosovës brenda 48 orë, mund të japë pëlqimin me dy të tretat (2/3) e votave të deputetëve të pranishëm dhe që votojnë.

    Nëse nuk jepet pëlqimi, dekreti i presidentit nuk ka forcë as efekt. Në një rast tjetër, nëse ka rrezik ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë publike në Republikën e Kosovës, ose ekziston një fatkeqësi natyrore në tërë territorin e Republikës së Kosovës ose një pjesë të tij, Kuvendi dyzet e tetë orësh, mund të japë pëlqimin e tij me shumicën e votave të të gjithë deputetëve dhe që votojnë. Nëse nuk jepet pëlqimi, dekreti i presidentit nuk ka forcë as efekt.

    Gjendja e jashtëzakonshme zgjat për aq kohë sa vazhdon të kërcënojë rreziku dhe nuk mund të zgjatë më shumë se për një periudhë prej gjashtëdhjetë ditësh.

    Me pëlqimin e shumicës së deputetëve të Kuvendit të pranishëm dhe që votojnë, gjendja e jashtëzakonshme, nëse është e nevojshme, mund të zgjatet për periudha pasuese prej tridhjetë ditësh, por jo më shumë se për nëntëdhjetë ditë shtesë gjithsej.

    Ndërkohë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi të cilit me Kushtetutë i takon që të shpallë gjendje të jashtëzakonshme është ftuar për intervistim nga Prokuroria Speciale në Hagë.

    Thaçi do të udhëtojë në Hagë të hënën (13 korrik).

    Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura

    Nga Rubrika
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku të hënën me bashkëpartiakët e tij, bëjnë homazhe te varri i ish-presidentit historik Ibrahim Rugova....
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga mërgimtarët më shumë vota. Ai thotë se kanë investuar shumë në ushtri e mbrotje,...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka takuar profesorin e tij, Xhaferin dhe pensionistë të tjerë, ku ka premtuar se viti...
    Të tjera
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryetari i Podujevës Shpejtim Bulliqi, ka shprehur pikëllim për vdekjen e Hilmi Ukës, i cili ishte mësimdhënës dhe drejtor shkolle. Ai tha...
    Vip22 Dhjetor 2024
    Ish-konkurrentët e edicionit të tretë të Big Brother VIP Kosova, Arioni dhe Diana janë fotografuar së bashku. Ata krijuan lidhje sa ishin...
    Vip22 Dhjetor 2024
    Leo është bërë nervoz pasi dështoi në sfidën për kapitenin e javës. Madje ai thotë se Fitimit nuk i duhet asgjë avantazhi...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Në pikën kufitare në Merdarë, sot është paraqitur një autobus me targa vendore, ku gjatë kontrollit të mjetit, janë selektuar për skanim...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur se viti 2024 ka qenë viti i pasaportës së vendit tonë. Përmes një postimi në...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Në një bisedë me një gazetar, Ilir Tahiri, kandidati për deputet i PDK-së, shprehu shqetësimin për qëndrimet e Albin Kurtit ndaj UÇK-së....

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.