×
  • Lajme
  • Lajme

    Bashkëpunimi pozitë – opozitë konsiderohet jetik për forcimin e pozicionit të Kosovës në dialog me Serbinë

    FrontOnline
    26 Gusht 2020

    Liderët e koalicionit qeverisës dhe njohësit e rrethanave politike kanë kërkuar unitetet të spektrit politik për dialogun me Serbinë. Ata kanë thënë se bashkëpunimi i pozitës dhe opozitës për këtë proces do ta forconte pozicionin e Kosovës në Uashington dhe në Bruksel.

    Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë të martën se proceset politike nëpër të cilat po kalon Kosova kërkojnë bashkëpunimin e të gjithë aktorëve politikë.

    “Proceset politike me të cilat po ballafaqohet vendi kërkojnë bashkëpunim dhe besim reciprok të të gjithë aktorëve. Dialogu me Serbinë për njohje reciproke, qoftë në Uashington apo në Bruksel, do të jetë më përmbajtjesor dhe më i qëndrueshëm nëse aksionarë të këtij dialogu janë pozita dhe opozita. Ndërkaq, strategjia e dialogut duhet të jetë çështje që diskutohet dhe formulohet nga kryeministri dhe kabineti i tij i ngushtë me partnerët e koalicionit dhe liderët e opozitës”, ka deklaruar Mustafa.

    Ai ka kërkuar nga partnerët e koalicionit që të mos flasin në publik për strategjinë e Kosovës në këtë proces. “Pa marrë parasysh arsyen dhe nevojën e komunikimit me publikun, duhet të kemi kujdes që për strategjinë tonë të mos marrë vesh Serbia përmes debateve në studiot tona televizive dhe përplasjeve të brendshme, sepse kjo në start e dëmton pozicionin dialogues të kryeministrit tonë”, ka vlerësuar Mustafa.

    Një ditë më parë liderët e koalicionit qeverisës janë takuar për të gjetur një gjuhë të përbashkët për këtë proces, para takimit të Uashingtonit, i cili do të mbahet më 4 shtator.

    Pas takimit, lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se partnerët e koalicionit qeverisës janë pajtuar për këtë takim. “Ka qenë një shqetësim i përbashkët dhe, në fund, një marrëveshje e përbashkët, që Kosova do të vazhdojë të marrë pjesë në dialog, me agjendë të qartë, me principe të qarta.

    Ato kompromise që i ka bërë Kosova, heqja e taksës dhe reciprociteti dhe të gjitha ato kërkesa për t’u kthyer në dialog, i ka bërë për njohje. Ne shkojmë në dialog për njohje”, ka thënë ai.

    Edhe njohësit e rrethanave politike kanë bërë thirrje për unitet rreth këtij procesi.

    Analisti Faton Abdullahu mendon se mosuniteti i spektrit politik do ta dëmtojë pozicionin e Kosovës në këtë proces.

    “Po vazhdojmë të mos jemi unikë si në këtë qeveri, si në atë para kësaj, edhe përkundër faktit se po bindemi pandalshëm sa agresive, por edhe e bashkuar është Serbia kundër nesh. Sa më të përçarë aq më shumë do të zvogëlohen mundësitë që të përfitojmë ndonjë gjë nga dialogu me Serbinë”, ka deklaruar Abdullahu për gazetën “Epoka e re”.

    Sipas tij, nuk e ndihmon askush Kosovën nëse spektri politik është i përçarë.

    “E pakuptueshme prej nga kjo prirje noshalante për të mos u bërë bashkë së paku në përballje me Serbinë. Të përçarëve nuk u ndihmon as Zoti e as Amerika. Shqiptarëve u është rikthyer një e metë e vjetër ku, inati po u bëhet më i madh se arsyeja e ky inat u vjen, si duket, nga grykësia për të shnukur sa më shumë pushtet. Nuk shpresoj shumë se kjo do të tejkalohet lehtë ndërmjet partnerëve të koalicionit aktual”, ka thënë Abdullahu.

    Kurse analisti tjetër Ilir Ibrahimi ka bërë me dije se spektri politik nuk duhet ta shfrytëzojë çështjen e dialogut me Serbinë për interesa të brendshme të luftës ndërpartiak.

    “Mospajtimet e partnerëve të koalicionit nuk janë të shëndosha në procese të tilla, ku interesi vital i vendit është në pyetje. Fatkeqësisht, spektri politik i Kosovës për një kohë të gjatë e ka shfrytëzuar çështjen e dialogut dhe çështje të tjera të politikës së jashtme për interesa të brendshme të luftës ndërpartiake. Qeveria e Kosovës duhet të ndërtojë një konsensus sa më të gjerë për dialogun. Fatkeqësisht, një gjë të tillë nuk po e shohim ende dhe kjo kam frikë do të vazhdojë të na dëmtojë”, ka thënë ai për gazetën “Epoka e re”.

    Sipas Ibrahimit, për çështje të interesit nacional nuk duhet të ketë inate dhe teke personale.

    “Spektri politik i Kosovës është i vetëdijshëm se dialogu me Serbinë është i një rëndësie nacionale. Këtë duhet ta dëshmojë edhe me veprime konkrete. Për çështje të interesit nacional nuk mund të ketë inate dhe teke personale, por të gjithë duhen bërë bashkë për ta çuar atë interes përpara. Nëse kemi arritur të bëhemi bashkë në kohë lufte, atëherë është pakuptueshme se si nuk arrijmë ta bëjmë një gjë të tillë sot kur jemi shtet i pavarur”, ka deklaruar ai.

    Por opozita vazhdon të refuzojë që t’i bashkohet qeverisë në procesin e dialogut me Serbinë. Ish-ministri i Punëve të Jashtme dhe zyrtari i lartë i Vetëvendosjes, Glauk Gonjufca, ka akuzuar partitë në pushtet se me këtë proces po e aktualizojnë marrëveshjen e Brukselit për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe (AKS), të cilën e ka rrëzuar Gjykata Kushtetuese.

    Në një konferencë për media, në pesëvjetorin e nënshkrimit të kësaj marrëveshje, Konjufca ka thënë se si “Zajednica”, rrezik për Kosovën paraqet edhe projekti për ndarje ose shkëmbim të territoreve me Serbinë.

    “Sot është 5-vjetori i nënshkrimit të Zajednicës, në të cilën e pat hedhur nënshkrimin kryeministri i atëhershëm Isa Mustafa. Fatmirësisht marrëveshja u hodh poshtë nga Kushtetutesja, pasi në 23 pika u shpall jokushtetuese, por për shoqërinë, shtetin dhe popullin tonë ka qenë shumë tronditëse deri në cilën pikë mund të shkojnë politikanët që e përfaqësonin vendin në atë kohë”, ka thënë ai, duke shtuar se tani në tavolinë të bisedimeve janë dy opsionet.

    “Pse po ia kushtojmë këtij projekti të rrezikshëm këtë konferencë? Në vend që të shpallej e vdekur Zajednica pas vendimit, ajo është më aktuale se kurrë tash kur jemi në prag të asaj që po quhet faza finale e dialogut. Fatkeqësisht në LDK dhe në partitë e PAN-it ka dy lloj të politikanëve, pro Zajednicës dhe pro shkëmbimit të territoreve. Prandaj duhet të ngrehim këtë çështje, pasi është vetëm LV-ja që i refuzon dhe i kundërshton të dyja”, ka thënë Konjufca.

    Sipas tij, këto duhet të kundërshtohen nga të gjithë ata që përfaqësojnë Kosovën në dialog.

    “Edhe shkëmbimi, edhe Zajednica janë sinonime të ndarjes së Kosovës. Zajedenica është njëfarë bosnjëzimi i Kosovës”, ka thënë Konjufca

    Nga Rubrika
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga mërgimtarët më shumë vota. Ai thotë se kanë investuar shumë në ushtri e mbrotje,...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka takuar profesorin e tij, Xhaferin dhe pensionistë të tjerë, ku ka premtuar se viti...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Policia ka njoftuar se njësitet policore të Drejtorisë së Kryeqytetit, kanë implementuar një plan operativ në tregun e automjeteve, ku kanë sekuestruar...
    Të tjera
    Vip22 Dhjetor 2024
    Ish-konkurrentët e edicionit të tretë të Big Brother VIP Kosova, Arioni dhe Diana janë fotografuar së bashku. Ata krijuan lidhje sa ishin...
    Vip22 Dhjetor 2024
    Leo është bërë nervoz pasi dështoi në sfidën për kapitenin e javës. Madje ai thotë se Fitimit nuk i duhet asgjë avantazhi...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Në pikën kufitare në Merdarë, sot është paraqitur një autobus me targa vendore, ku gjatë kontrollit të mjetit, janë selektuar për skanim...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur se viti 2024 ka qenë viti i pasaportës së vendit tonë. Përmes një postimi në...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Në një bisedë me një gazetar, Ilir Tahiri, kandidati për deputet i PDK-së, shprehu shqetësimin për qëndrimet e Albin Kurtit ndaj UÇK-së....
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosoës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka vazhduar ta prezantojë planin e tij për sektorin e sportit. Përveç Stadiumit...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.