×
  • Lajme
  • Front TV
  • Front TV

    Bankat i mbijetuan pandemisë, arritën ta ruajnë likuiditetin pavarësisht vështirësive

    FrontOnline
    23 Qershor 2020

    Përhapja e pandemisë së Coronavirus ka shkaktuar dëme të mëdha në sektore të ndryshme të ekonomisë në Kosovë. Me gjithë vështirësitë që e kanë përcjell, sektori bankar në vend ka arritur ta ruaj likuiditetin dhe të mos e rrezikojë stabilitetin.

    Kështu ka vlerësuar drejtori i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija i cili konsideron se gjatë kohës së pandemisë Covid-19, bankat kanë rishikuar buxhetet e tyre dhe si rezultat i kësaj do të ketë një rënie në të hyrat si dhe në fitimet e bankave.

    Ai thotë se bankat i kanë shtyrë këstet e kredive për tre muaj dhe si rezultat i kësaj, sektori bankar ka pësuar një rënie në të hyrat e tyre, që paraqet një sfidë në vete dhe  ndërlidhet me likuiditetin e sektorit bankar.

    Sipas tij, në tre mujorin e parë të këtij viti, bankat kanë lëshuar 380 milionë euro kredi të reja, e që shifra është e ngjashme me atë të kësaj periudhe të vitit të kaluar.

    Por, periudha e dytë tre mujorëshe këtij viti ka rezultuar me rënie drastike. Vetëm 30 për qind e parashikimeve janë aprovuar.

    Në muajin prill janë aprovuar rreth 50 milionë euro kredi, që krahasuar me vitin e kaluar përfaqëson rreth 30 për qind të kreditimit të paraparë.

    Balija në intervistën për Front Online ka folur po ashtu edhe për funksionimin e bankave në kohë pandemie dhe rrezikun që u është shpërfaqur atyre gjatë kësaj periudhe.

    E, në lidhje me dëmin material që u është shkaktuar bankave gjatë kësaj periudhe pandemie, Balija ka thënë se duhet të pritet 12 muaj për të parë impaktin financiar.

    Intervista e plotë me drejtorin e Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija:

    Front Online: Si ka performuar sistemi bankar gjatë pandemisë Covid-19?

    Kjo ka qenë një periudhë e vështirë për të gjithë, gjithashtu për sektorin privat e në veçanti për sektorin bankar ka qenë sfiduese në shumë aspekte. Ka qenë sfiduese edhe në aspektin operativ për shkak se pandemia siç e dini ka shkaktuar një restrikcion të ekonomisë në përgjithësi dhe një restrikcion të lëvizjes së lirë të qytetarëve, mallrave dhe shërbimeve. Si rezultat i kësaj edhe sektori bankar është dashur që të bëjë ndryshime të mëdha operative në një kohë shumë të shkurtë brenda tërë territorit të Kosovës. Kjo ka paraqitur një sfidë operative, megjithatë e kemi tejkaluar edhe këtë dhe si sektor bankar të mbajmë shërbimet aktive në të gjitha kohët në mënyrë që qytetarët të kenë qasje në shërbimet financiare pa ndërprerje. Por, kjo ka qenë gjithsesi duke i respektuar masat e IKSHPK-së për të parandaluar përhapjen e Covid-19. Besoj që në fazën e parë të kësaj pandemie e kemi kaluar me një sukses mjaftë të madh. Megjithatë ka pasur një ndikim në afarizmin bankar për shkak se siç e dini është bërë shtyrja e pagesave të kredive. Kryesisht bankat i kanë shtyrë për tre muaj këstet e kredive dhe si rezultat i kësaj sektori bankar ka pësuar një rënie në të hyrat e tyre, që paraqet një sfidë në vete dhe zakonisht ndërlidhet me likuiditetin e sektorit bankar. Por, duke pasur parasysh që kjo është bërë në mënyrë selektive rast pas rasti, duke përzgjedhur vetëm rastet që kanë ndikuar negativisht nga Covid-19, atëherë sektori bankar ka arritur ta ruaj likuiditetin dhe të mos ta rrezikojë stabilitetin e sektorit bankar.

    Front Online: A ka rrezik që ky vit të jetë më i pasuksesshëm për bankat, pasi që ekonomia nuk ka performuar si duhet si pasojë e Covid-19?

    Gjithsesi pothuajse të gjitha segmentet e shoqërisë do të performojnë më dobët këtë vit, gjithashtu edhe sektori privat. Bankat kanë rishikuar buxhetet e tyre dhe si rezultat i kësaj besoj që do të ketë një rënie në të hyrat si dhe në fitimet e bankave. Por, kjo është e pritur. Këtë vit nuk jemi të përqendruar në fitim, këtë vit jemi të përqendruar në stabilitet, në tejkalimin e situatës së pandemisë, në mbrojtjen e stafit dhe klientëve të bankave. Kjo është mbi të gjitha për këtë vit. Pastaj, në vitet tjera po shpresojmë që do të mund të rikuperojmë humbjet të cilat janë shkaktuar gjatë këtij viti.

    Front Online: A janë bankat të gatshme ta rritin kreditimin për bizneset në këtë periudhë të pandemisë, dhe çka është dashur të bëjë Qeveria në këtë drejtim?

    Bankat nuk janë ndalur asnjëherë krejtësisht në kreditim. Nëse e shohim tre mujorin e parë të këtij viti, kemi pasur 380 milionë euro kredi të reja të aprovuara nga sektori bankar. Kjo shifër prej 380 milionë është e ngjashme me vitin e kaluar, që do të thotë nuk ka pasur shumë rënie. Ndërsa në tre mujorin e dytë kemi parë një rënie drastike në kreditim ku diku 30 për qind e parashikimeve që janë bërë, janë aprovuar. Respektivisht në muajin prill janë aprovuar rreth 50 milionë euro kredi, që krahasuar me vitin e kaluar përfaqëson rreth 30 për qind të kreditimit të paraparë. Prandaj, po presim që tre mujori i dytë të jetë më i dobët në aspektin e kreditimit, pastaj në tre mujorin e tretë nëse nuk kemi valë të dytë të pandemisë ose probleme tjera që e kufizojnë ekonominë e Kosovës, ndoshta do të kemi një rritje të vogël në krahasim me tre mujorin e dytë. Dhe në tre mujorin e fundit të vitit shpresojmë që të kemi një kreditim të plotë. Por, vështirë të thuhet për shkak që është e paparashikuar situata në aspektin shëndetësor.

    Front Online: Pavarësisht krizës, sipas të dhënave të fundit të BQK-së bankat në Kosovë kanë performuar me bilanc pozitiv. Si e shpjegoni ju këtë?

    Nuk mund të themi që kanë performuar mirë. Mund të themi që kanë pasur një stabilitet dhe qëndrueshmëri. Për shkak që siç e dini mbi 1.3 miliardë euro janë shtyrë në kredi. Që është një pjesë e konsiderueshme e portofolit kreditor. Në asnjë formë kjo nuk është normalitet për bankat, apo ndonjë avantazh. Përkundrazi është një situatë që nuk e kemi menduar asnjëherë që do të na ndodh si sektor bankar. Dhe nuk ka pasur as plane kontingjente për këtë situatë. Mirëpo, falë koordinimit me BQK-në dhe Qeverinë e Kosovës kemi arritur që të ndërmarrim hapa edhe për të krijuar fleksibilitet për bizneset dhe për qytetarët e Kosovës. Por njëkohësisht edhe duke e ruajtur stabilitetin e sektorit bankar. Por, asnjëherë nuk mund të themi që kemi performuar mirë, një performancë e mirë duket krejt ndryshe nga kjo çka po shohim tani.

    Front Online: Si qëndron sistemi bankar sa i përket depozitave, a ka pasur tërheqje të tyre gjatë periudhës së pandemisë?

    Për fat të mirë nuk ka pasur rënie në depozita që mund të potencohet. Bankat asnjëherë nuk e kanë kufizuar qasjen në financat ose në parat e gatshme për qytetarët. Përkundrazi, kemi bërë çmos që edhe në zonat e karantinuara të funksionojnë bankomatatet dhe të jenë të furnizuara me para kesh. Kemi pasur leje speciale nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) që të kalojmë në zonat karantinë dhe t’i mbushim bankomatet me rregull. Gjithashtu edhe t’i servisojmë sepse kohë pas kohe ka edhe prishje të bankomateve. Kjo ka qenë një sfidë në vete pasi që në fillim të pandemisë edhe MPB-ja ka hezituar që të na jep leje për të kaluar në ato zona. Mirëpo, më vonë është parë si shërbim esencial dhe ne kemi marrë aprovimin, lejen e veçantë. Kemi kaluar në ato zona dhe kemi mundësuar që qytetarët të kenë qasje të pandërprerë në paranë e gatshme. Gjithashtu edhe për bizneset kemi ofruar kemi ofruar të gjitha shërbimet, siç është deponimi i parasë së gatshme. Prandaj, është krijuar një cikël i shëndosh, ku çdo para e gatshme që është tërhequr nga sektori bankar ka shkuar me siguri në blerjen e konsumit bazik dhe pastaj është deponuar prapë në sektorin bankar. Prandaj, ka qenë një cikël i shëndosh i ruajtjes së depozitave dhe po besojmë që s’do të kemi asnjë vështirësi në këtë aspekt.

    Front Online: A keni bërë ndonjë analizë, sa është dëmi financiar në sektorin bankar si pasojë e pandemisë Covid-19?

    Është herët që të thuhet. Do të merr një periudhë rreth 12 muaj, për të parë impaktin real financiar në sektorin bankar. Vitin e ardhshëm besoj që do të mund të konstatojmë më mirë se cili do të jetë impakti.

    Front Online: Në treg së shpejti pritet të futet edhe një bankë e re, realisht a ka Kosova hapësirë për banka të reja?

    Po, Kosova ka hapësirë për banka shtesë. Banka të cilat kanë një plan të mirë të biznesit, që ofrojnë një alternativ dhe produkte të diverzifikuara për tregun e Kosovës. Ka pasur interesim nga banka të ndryshme. Siç ka njoftuar edhe BQK-ja ka pasur disa konsultime me banka potenciale. Mirëpo, ne si shoqatë e bankave nuk jemi të njoftuar nga ndonjë bankë e re që do të fillojë operimet, të paktën jo në këtë vit. Unë po mendoj që është rezultat i pandemisë së shfaqur që do t’i shtyj planet e bankave potencialisht që kanë planifikuar të jenë për këtë vit. Këtë vit nuk presim të kemi ndonjë bankë të re. Nëse ndryshon situata ne si Shoqatë e Bankave e mbështesim zgjerimin e sektorit bankar me oferta të reja.

    Front Online:  Si pasojë e krizës, Guvernatori ka paralajmëruar ulje të tarifave për shërbime bankare. Kur pritet të ndodh një gjë e tillë?

    Mendoj që më e mira është t’i lihet tregut çështja e tarifave. Sektori bankar ka 10 banka dhe ka alternativa të ndryshme për sa i përket tarifave. Besoj që edhe qytetarët në hulumtimin e tyre e kanë parë që bankat dallojnë shumë në tarifa. Dhe kemi edhe tarifa shumë simbolike si 0.50 cent pagesë mujore për mirëmbajtje të llogarisë bankare. Që do të thotë se ekziston një alternativë në tregun bankar për sa i përket tarifave, dhe nuk janë tarifat të gjitha të njëjta. Kjo dëshmon që sektori bankat dhe tregu bankar po arrijnë që të kenë çmime të ndryshme varësisht se çka preferon klienti. Secili biznes e ofron çmimin e vet për shërbimin e vet, ashtu siç e ofron edhe llojin dhe kategorinë e shërbimit. Prandaj, për qytetarët mbetet të hulumtojnë në treg dhe të shohin se cila bankë i plotëson kërkesat e tyre dhe cila është me çmim më konkurrente për nevojat e tyre. Nuk besoj që do të ketë nevojë për ndonjë ndërhyrje të rregullatorit apo të shteti në tarifa. Sepse kjo e çrregullon tregun dhe e distorton konkurrencën e lirë. Modelet e njëjta janë duke u praktikuar çdo kund në vendet e zhvilluara, ku sektori bankar e zhvillon konkurrencën e vet, dhe në bazë të konkurrencës lëvizin edhe çmimet.

    Nga Rubrika
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku të hënën me bashkëpartiakët e tij, bëjnë homazhe te varri i ish-presidentit historik Ibrahim Rugova....
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga mërgimtarët më shumë vota. Ai thotë se kanë investuar shumë në ushtri e mbrotje,...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka takuar profesorin e tij, Xhaferin dhe pensionistë të tjerë, ku ka premtuar se viti...
    Të tjera
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryetari i Podujevës Shpejtim Bulliqi, ka shprehur pikëllim për vdekjen e Hilmi Ukës, i cili ishte mësimdhënës dhe drejtor shkolle. Ai tha...
    Vip22 Dhjetor 2024
    Ish-konkurrentët e edicionit të tretë të Big Brother VIP Kosova, Arioni dhe Diana janë fotografuar së bashku. Ata krijuan lidhje sa ishin...
    Vip22 Dhjetor 2024
    Leo është bërë nervoz pasi dështoi në sfidën për kapitenin e javës. Madje ai thotë se Fitimit nuk i duhet asgjë avantazhi...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Në pikën kufitare në Merdarë, sot është paraqitur një autobus me targa vendore, ku gjatë kontrollit të mjetit, janë selektuar për skanim...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur se viti 2024 ka qenë viti i pasaportës së vendit tonë. Përmes një postimi në...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Në një bisedë me një gazetar, Ilir Tahiri, kandidati për deputet i PDK-së, shprehu shqetësimin për qëndrimet e Albin Kurtit ndaj UÇK-së....

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.