
Dy automjete dhe 5 persona kanë qenë pjesë e atentatit me snajper ndaj Ardian Çapjas që ishte i mirëorganizuar, por jo me fundin e dëshiruar të atyre që kishin marrë përsipër këtë detyrë.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se hetimet janë intensive, por pa bashkëpunimin e familjarëve, apo të vetë të plagosurit e këtij atentati do të jetë e vështirë zbardhja e ngjarjes. Gjithsesi, mendohet se një makinë e dytë që ka qenë pjesë e “eskortës së atentatorëve” është identifikuar dhe Policia është vënë në kërkim.
Madje, është përcaktuar edhe lloji i makinës një volksëagen me ngjyrë të errët, që ka shoqëruar autorët e atentatit, pasi ata dogjën makinën e parë e në të cilën lanë edhe armët e zjarrit.
Kamerat e sigurisë nuk kanë prodhuar asgjë, por Policia nuk është kufizuar vetëm në ditën e atentatit. Ekspertë të teknologjisë në Policinë e Shtetit po rishohin për më shumë se një javë të gjitha lëvizjet pranë vilës së Ardian Çapjas dhe familjarëve të tij.
Ajo që deri më tani është e sigurt lidhet me armën e kalibrit snajper 8.65 milimetrash, ose e thënë ndryshe me saktësi maksimale dhe e përdorur nga profesionistë dhe jo amatorë.
Ky fakt ka shtuar dyshimet për Policinë, nëse atentatori ka qenë thjesht një anëtar bande me konflikte me fisin Çapja, apo një i paguar për të kryer këtë atentat.
Të gjitha dyshimet janë që atentatori të ketë qenë i paguar dhe ndaj është zgjedhur profesionist. Mes shumë pistave policia dyshon se personi që hapi zjarr nga Krasta dhe kishte në shënjestër Ardian Çapjan mund të ketë qenë ish ushtarak.
Por këto janë të dhëna paraprake dhe në zhvillim e sipër në varësi të provave të grumbulluara. Gjithsesi, procedurialisht atentati është përfshirë në dosje hetimi. Eshtë regjistruar si dosje më vete me akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë.