
Komuna e Gjilanit, në kuadër të programit të realizimit të katërshes infrastrukturore, ka asfaltuar 9 rrugë në fshatin Livoҫ të Epërm.
Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, ka thënë se tani janë duke punuar në në finalizimin e rrugës “Skifter Arifi” që është një hapje.
“Kohë më parë janë asfaltuar rrugët te Jabuqtë, derisa tash jemi në Livoҫ të Epërm. Nuk do të mbetet rrugë pa u ndërtuar me të gjitha elementet përcjellëse”, ka thënë Haziri.
Ai ka konfirmuar se do të vazhdojnë realizimin e projekteve në Livoҫ të Poshtëm, Malishevë të Epërme, rrugën Zabel-Uglarë, rrugën “Enver Miftari” në qytet, sikurse që ka thënë se do të inicohen edhe projekte të tjera.
Në njoftimin e Komunës thuhet se kosto e ndërtimit të rrugëve në Livoҫ të Epërm është mbi 370 mijë euro.