×
  • Bota/Rajoni
  • Bota/Rajoni

    Aktivistët shqiptaro-amerikanë: Shansi i dytë i Uashingtonit për takim nuk duhet shpërdoruar

    FrontOnline
    30 Qershor 2020

    Pas anulimit të takimit të planifikuar për 27 qershor mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, administrata e Presidentit Trump është shprehur e gatshme për të pritur palët në një takim të ri në të ardhmen e afërt.

    Njoftimi është mirëpritur nga disa aktivistë të komunitetit shqiptaro-amerikan, ndërkohë që figura të tjera të komunitetit mendojnë se Kosova nuk është e përgatitur për momentin për bisedime produktive dhe në interes të saj.

    Shtëpia e Bardhë ka hapur dritën e gjelbër për të pritur delegacionet e Kosovës dhe Serbisë në një takim të ri, pas dështimit të planeve për bisedimet e 27 qershorit. Në bisedimet e javës së kaluar me Ambasadorin Grenell, aktivistë shqiptaro-amerikanë thonë se ai e bëri të qartë që kjo mundësi nuk duhet shpërdoruar.

    “E shprehu një lloj frustrimi. Kishte një drojë që Amerika si shtet mundet të frustrohet me procesin; se atij mund t’i japin detyra të tjera duke konstatuar që palët nuk janë gati për marrëveshje. Pasi e bëmë takimin me grupin të nesërmen ai kishte takimin me presidentin Trump ku ai i ka kërkuar dhe presidenti ia ka dhënë dritën jeshile që të vazhdojë me procesin, si një shans të fundit, mund të them,” thotë Martin Vulaj, ish-drejtor i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan.

    Fokusi i takimit, si edhe më parë, mbetet tek temat ekonomike, por zoti Vulaj beson se këto bisedime krijojnë një energji të re që ai e sheh si një hap drejt një zgjidhjeje politike.

    Kryetari i Shoqatës Panshqiptare Vatra, Elmi Berisha beson se bisedimet e panumërta me ndërmjetësimin e evropianëve e kanë bërë të qartë se Shtetet e Bashkuara mbeten faktori i vetëm për të garantuar një zgjidhje në favor të Kosovës.

    “Realizimi komplet dhe njohja e ndërsjelltë mes Kosovës dhe Serbisë nuk bëhet nga Evropa, as sot, as nesër dhe mëtutje. Unë mendoj që në mënyrë përfundimtare çështja e Kosovës dhe Serbisë kryhet vetëm nëpërmes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ne duhet të kërkojmë fuqishëm që mos ta neglizhojmë”, thotë zoti Berisha.

    Kosova gjendet në një moment kritik, në pikëpamjet e shumë analistëve. Zoti Vulaj thotë se akt-paditë që po i paraqiten Gjykatës Speciale rrezikojnë të njollosin jo vetëm luftën e Kosovës, por mbarë çështjen shqiptare:

    “Nëse 11 krerë të UCK-së janë të akuzuar, tërë bota ka për ta pare sikur UCK-ja është e akuzuar dhe nëse UCK-ja është e akuzuar, Kosova është e akuzuar dhe rrjedhimisht edhe shqiptarizmi është i akuzuar. Krijohet një baraspeshim mes agresorit dhe viktimës… Në atë rast, pa mbështetjen e Amerikës, në duart e Evropës, unë shoh gjëra të errëta jo vetëm për Kosovën, por edhe për kombin tonë”, thotë zoti Vulaj.

    Aktivisti Richard Lukaj ndan të njëjtin shqetësim me zotin Vulaj. Ai sheh në akt-akuzat e fundit një kurorëzim të përpjekjeve të Serbisë për ta etiketuar Kosovën si “shtet i dështuar” dhe për të penguar një zgjidhje të statusit përfundimtar. Ky realitet, thotë zoti Lukaj, ndërlikohet edhe më tej nga situata e rënduar politike në vend.

    “Mos të kishte qenë një realitet politikisht që populli i Kosovës sot nuk është i kënaqur me realitetin e politikës në Kosovë, sot do të kishte pasur demonstrata në Prishtinë kundër këtyre veprimeve. Por prej këtij niveli kaq të thellë të pakënaqësisë gjendemi në një gjendje kur njerëzit janë duke pranuar diçka që të gjithë e dimë se nuk është e mirë për ne”, thotë zoti Lukaj.

    Aktivisti e mirëpret interesimin e Shteteve të Bashkuara në zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Por ai shprehet se përgatitjet për takimin ngrenë shumë pikëpyetje dhe dilema.

    “Dikush duhet të dalë me transparencë para se të bëhen mbledhjet dhe të thotë: Këto janë temat që kemi pranuar, këto gjëra do të bëjmë dhe do të dalim me një rezultat që pranohet. Përndryshe përfaqësuesit, kushdo që të jenë do të gjenden në një pozitë që do t’u imponohet një rezultat që ose do ta pranojnë ose do të kenë probleme, pasi nëse nuk e pranojnë, do t’i thonë ‘Jo’ Amerikës që është diçka e vështirë për çdo politikan në rajon, ose nëse e pranojnë do të përballen me popullin e vet për të shpjeguar se si dolën në këtë situatë shumë të dëmshme”, thotë zoti Lukaj.

    Zoti Lukaj kujton se Kosova u ndodh para disa vitesh para një zgjedhjeje të imponuar, me krijimin e Gjykatës Speciale. Ai këshillon se nuk duhet të vendosen afate kohore, apo objektiva në një kohë kur brenda vendit mungon koezioni politik.

    “Duhet një investim nga ekipi kosovar që të ketë një përgatitje dhe mbështetje nga populli kosovar që do të durojnë ato që do të dalin nga ky rezultat. Për momentin ne jemi shumë të përçarë politikisht dhe, për mendimin tim, hapi i parë për të mirën e Kosovës është unifikimi i palëve të politikës”, thotë zoti Lukaj.

    Aktivisti Martin Vulaj u bën jehonë këtyre shqetësimeve për zhvillimet e brendshme në Kosovë, por ai beson se mbështetja e Amerikës do të jetë faktori stabilizues në këto kohë të paqarta.

    “Arsyeja për të besuar në proces është sepse Amerika është e interesuar dhe (kjo çështje) po trajtohet në rangjet më të larta. Në vend që të jetë në tryezën e punës së Departamentit të Shtetit është në tavolinën e presidentit”, thotë zoti Vulaj.

    Këto përpjekje të administratës amerikane, shton zoti Vulaj, bëhen vetëm për interes të palëve ndërbiseduese, duke iu kundërvënë spekulimeve se administrata Trump sheh tek kjo çështje e hapur në Ballkan mundësinë për një fitore diplomatike që do t’i shërbejë në zgjedhje:

    “Kjo është diçka pothuajse qesharake. Cështja e Kosovës nuk është askund në horizont të fushatës dhe vëmendjes së publikut në Amerikë. Nuk e besoj se do të kishte ndikuar në asnjë mënyrë marrëveshja më e mirë e mundshme, e jo pastaj situata aktuale”, thotë ai.

    Mbetet ende e paqartë nëse dhe kur do të zhvillohet takimi i palëve në Shtëpinë e Bardhë dhe çfarë do të dalë prej tij. /VOA

    Nga Rubrika
    Bota/Rajoni22 Dhjetor 2024
    Presidenti rus Vladimir Putin mbajti bisedime në Kremlin të dielën me kryeministrin e Sllovakisë Robert Fico, në një vizitë të rrallë në...
    Bota/Rajoni22 Dhjetor 2024
    Ushtarët ukrainas janë trajnuar nga trupat e NATO-s që kur Rusia sulmoi Ukrainën në shkurt të vitit 2022. Zëri i Amerikës vizitoi...
    Bota/Rajoni22 Dhjetor 2024
    Një person i moshës 68-vjeçare është gjetur i pajetë në Vlorë. Sipas policisë, ai është rrahhur me sende të forta, raporton Euronews.al...
    Të tjera
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryetari i Podujevës Shpejtim Bulliqi, ka shprehur pikëllim për vdekjen e Hilmi Ukës, i cili ishte mësimdhënës dhe drejtor shkolle. Ai tha...
    Vip22 Dhjetor 2024
    Ish-konkurrentët e edicionit të tretë të Big Brother VIP Kosova, Arioni dhe Diana janë fotografuar së bashku. Ata krijuan lidhje sa ishin...
    Vip22 Dhjetor 2024
    Leo është bërë nervoz pasi dështoi në sfidën për kapitenin e javës. Madje ai thotë se Fitimit nuk i duhet asgjë avantazhi...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Në pikën kufitare në Merdarë, sot është paraqitur një autobus me targa vendore, ku gjatë kontrollit të mjetit, janë selektuar për skanim...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur se viti 2024 ka qenë viti i pasaportës së vendit tonë. Përmes një postimi në...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Në një bisedë me një gazetar, Ilir Tahiri, kandidati për deputet i PDK-së, shprehu shqetësimin për qëndrimet e Albin Kurtit ndaj UÇK-së....

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.