Partia Socialdemokrate njofton se sot kanë pranuar tri ftesa nga Policia e Kosovës.
“Aktivistët Zgjim Hyseni, Frashër Krasniqi dhe Gëzon Kastrati janë ftuar për intervistim në Njësinë e Hetimeve të Përgjithshme në Lagjen e Muhaxherëve”, njofton PSD.
“Sërish, arsyeja është aksioni që kemi zhvilluar kundër Gjykatës Speciale. Një aktiviteti krejt të rëndomtë i kanë dhënë kualifikim të veprës penale. Kur organizojmë aksione simbolike apo forma tjera të protestës ne ushtrojmë liritë dhe të drejtat tona. Këtë insistim të Policisë nuk mund ta kuptojmë ndryshe veçse si përpjekje për disiplinim. Gjykata Speciale është e “ndjeshme” ndaj kritikës sepse është arbitrare dhe e padrejtë. Kundërshtimi i kësaj Gjykate është interes publik dhe shërbim për drejtësinë. Tash që ajo po e vazhdon funksionimin pa mandat, ajo është vetë vendi i skandalit”, thuhet tutje në reagimin e partisë.
Ndryshe, ftesat për intervistim të njëjtit i kanë marrë edhe para disa ditësh.