
Agjencia Kosovare e Privatizimit duket se do t`i shpëtojë mbylljes.
Mbijetesën asaj pritet t`ia vazhdojë prishja e koalicionit mes dy partive, Lëvizjes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, që ishin zotuar se do t`ia vënin drynin kësaj ndërmarrje gjatë mandatit të tyre.
Në Lidhjen Demokratike të Kosovës nuk kanë pranuar të flasin nëse shuarja e AKP-së vazhdon të jetë prioritet i tyre edhe në Qeverinë e re, raporton Front Online.
Megjithatë edhe po të ekzistojë një vullnet i tillë brenda LDK-së, ai nuk do të përkrahet përbrenda partnerit të saj të mundshëm për krijimin e Qeverisë, AAK-së.
“Tash për tash është duke funksionuar në bazë të ligjit dhe nuk mund të anulohet. Nuk e kemi diskutuar atë punë sepse e dijmë që ajo funksion në bazë të ligjit. Tani për tani ajo funksion në bazë të ligjit dhe është në rregull. Ky është qëndrimi ynë”, u shpreh Haki Shatri për Front Online.
E, në Nismën Socialdemokrate thonë se do të dalin me një qëndrim rreth kësaj teme vetëm pasi të kenë biseduar, për të, me partnerët e mundshëm të koalicionit.
“AKP-ja mund të shuhet nëse voton për diçka të tillëParlamenti i Republikës së Kosovës. Është një temë të cilën ne dhe partnerët e koalicionit nuk e kemi diskutuar ende. Kur ta diskutojmë do të dalim me njëqëndrim”, u shpreh Endrit Shala, deputet i NISMA-s.
Ndërkohë, njohësit e ekonomisë besojnë se AKP-ja nuk do të mbyllet nga qeverisja e re, raporton Front Online.
‘Sebep’ për këtë, sipas analistit ekonomik, Safet Gërxhaliu, janë lidhjet e ngushta që në të kaluarën LDK-ja dhe dy partitë e tjerat, AAK e Nisma, kanë pasur me proceset e privatizimit.
“Vet fakti që këto parti kanë qenë të kaluarën pjesë e proceseve të privatizimit apo njerëzit e tyre politikë, kanë qenë ata që njëfarë forme i kanë shfrytëzuar frytet e revolucionit dhe tranzicionit, do të jetë mjaft e vështirë. Është e vështirë të zbatohet ajo që është planifikuar në marrëveshjen mes VV-së dhe LDK-së. Dua të besoj që LDK-ja duhet të dëshmojë implementim të një partneritetit që e ka pasur me VV-në. Vështirësia me e madhe e shuarjes se AKP-së është se shumë njerëz, qoftë në Parlament apo aktivitetet të ndryshme politike, janë përfituesit më të mëdhenj nga procesi i privatizimit. Nuk e besoj që i korruptuari e lufton korrupsioni dhe nuk besoj që i kriminalizuari do ta ngrit zërin kundër krimit”, theksoi ai.
Vazhdimin e funksionimit të AKP-së, analisti tjetër, Mustafë Kadriaj, e lidh me emrin e mandatarit të ri për kryeministër, Avdullah Hoti.
“Besoj që tanimë po i kalon mandati qeverisë aktuale dhe në këtë rast besoj që qeveria e ardhshme, e edhe duke e njohur si LDK-në po ashtu edhe kryeministrin që do të vjen të Hotit, në bazë të asaj që e njoh, ai i ka gjithmonë parimet e tregut dhe besoj që nuk do ta shuaj. Nuk besoj se do të shuhet dhe nuk duhet të shuhet”, theksoi ai për Front Online.
Qeveria në detyrë e udhëhequr nga Kryeministri Kurti me datën 10 mars me anë të një vendimi i kishte pezulluar aspektin vendimmarrës Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Atë kohë, votën pro këtij vendimi, në kabinetin qeveritar, e patën dhënë edhe ministrat e LDK-së. /Front Online