Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka njoftuar se tashmë kanë pranuar vendimet e Qeverisë për masat e reja që janë ndërmarrë anti COVID-19.
Ahmeti ka thënë se tash e tutje maskat janë obligative, ndërsa orari i qarkullimit mbetet i njëjtë.
“Maskat janë obligative tash e tutje. Orari i qarkullimit mbetet i njëjtë 05-21. Mbyllen çerdhet. Nuk lejohen aktivitetet kulturore sportive e rekreative në hapësira të mbyllura (lojët, gym-at). Mbyllen tregjet e kafshëve dhe automjeteve. Pezullohen ceremonitë fetare. Ndalohet grumbullimi i më shumë se 5 personave në sheshet publike dhe parqe. Personat e moshuar dhe ata me sëmundje kronike mund të dalin vetëm në mëngjes 05-10, dhe 18-21”, ka shkruar ai në Facebook.
I pari i Prishtinës ka thënë se do të mundohen që të ua shpjegojnë qytetarëve në mënyrë sa më të thjeshtë këto vendime.
“Meqenëse edhe ne si komunë vendimet i kemi marr sot do të mundohemi që ti shpjegojmë dhe thjeshtojmë për ju si qytetarë për ta bërë implementimin e tyre më të lehtë”.
Ndryshe, që nga fillimi i pandemisë COVID-19 e deri më tani në Kosovë me virus janë infektuar 4 mijë e 931 persona, 2 mijë e 267 prej të infektuarve janë shëruar kurse janë regjistruar edhe 102 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje tjera shoqëruese.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka njoftuar se raste aktive në vendin tonë janë 2 mijë e 562.