Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë që ka mundësi që presidenti i vendit, Hashim Thaçi të dorëhiqet para konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale.
“Presidenti Thaçi, ka thënë që jep dorëheqje nëse konfirmohet aktakuza, por kjo gjasa që të ndodhë edhe më herët. Mesazhi i tij [Thaçit], ka qenë edhe për partitë politike që po tentonin të merren vesh, por pas kësaj nuk besoj që do të qëndrojë në atë periudhë, pasi do të merret me aktakuzën”.
Ahmeti në Rubikon në Klan Kosova, ka thënë që individët do të mbrohen në Gjykatë, ndërsa Kosova në opinionin publik.
“Kemi të bëjmë me prokurorë që janë jashtëzakonisht të fortë; janë tre më të fortit në Amerikë. Këto aktakuza nuk besoj që janë hajgare dhe nuk janë të thjeshta.
“Ne për çdo javë do të kemi tituj të gazetave në mediumet botërore për vrasje të nacionaliteteve tjera nga Kosova, por ata që janë qëllim-keq do të thonë që janë nga UÇK-ja. Kjo gjë me këtë Qeveri dhe me këtë situatë politike, mendoj që mbrojtja jonë do të jetë katastrofale pasi nuk kemi strategji”, është shprehur Ahmeti.