Shkruan Hisen Berisha:
Edhe sa do ta lejojnë partitë politike, shoqëria civile dhe mediat autonome, që Albin Kurti t’i mbajë në fushën e tij të lojës, duke ndjekur aferat politike (tullumbace politike), nga njëra në tjetrën, për të mos lejuar përqendrimin në temat që dëmtojnë interesat kombëtare, dhe falimentimin e shtetit në çdo aspekt.
Kjo do të thotë se qeverisja Kurti 2, mund të goditet në çdo segment, pra mund të ndërtohen kauza për secilin veprim e vendim politik në dëm të popullit dhe vendit. Për ta bërë këtë duhet konsistencë politike opozitare në çdo temë.
Përndryshe, nëse nuk bëhet tani, kur kjo qeveri e zhgënjimit dhe dëshpërimit të popullit po i numëron muajt e fundit të keqqeverisjes, atëherë a po planifikohet që ndaj këtij Kryeministri të dyshimtë dhe qeveritarëve të tij, të ngrihet padi për veprime dhe vendime politike antikushtetuese, kundër rendit ligjor e kushtetues të vendit, si dhe interesave të shtetit dhe qytetarëve të tij, që e pengojnë zhvillimin e demokracisë dhe gjeostrategjinë amerikane për rajonin.
Apo edhe ketë penalizim duhet të presim që ta bëjë DASH?!
Po ti shohim “tullumbaceve politike” do të shohim se si po e tërheq zvarrë tërë spektrin politik, shoqërinë civile dhe mediat, në fushën e tij të lojës, me slogane mashtruese, siç ishte këto ditë “e siguruam bukën e motmotit”. Ishte një deklaratë indikuese si fenomen për qytetarët tradicionalë, me të cilën u krekosën “piterpanët” e qeverisë!
Po nëse qenka kështu, pra nuk importojmë grurë apo as miell të gatshëm, atëherë pse e kemi bukën me të njëjtin çmim, si kur e kemi importuar grurin, si tani kur e prodhuam vetë sipas qeverisë? Pra, dikush po mashtron këtu?
Ku janë mullisit ta thonë, dhe fermerët të tregojnë të vërtetën se sa sipërfaqe tokë u mbollën.
Po vazhdohet me të njëjtën praktikë, qeveria po hedh “tullumbace” dhe të gjithë, spektri politik, shoqëria civile, e mediat po merren me to!
Pastaj po bëjnë betonimin e tyre në memorien qytetare, me plasimin gënjeshtrave të mëdha si “larja në liqe”, pastaj “paga mesatare në Kosovë është 780 euro”, “ulje impresionuese e papunësisë”, thirrja patetike-patriotike ndaj mërgimtarëve për padëgjueshmëri – “mos e paguani sigurimin në kufi”!
Pse duhet bërë kjo thirrje nëse janë ndarë 3.5 milion euro buxhet, nga taksat e punëtorëve në Kosovë, për t’ua kompensuar pagesën për sigurim mërgimtarëve në kufi?
Ndërkohë që dihet se mërgimtarët nuk vuajnë për 15 euro pagesë siguracioni në kufi, aq më pak që ato po i mbulon qeveria dhe merën nga të ardhurat e varfra të punëtorëve të Kosovës, por mërgimtarët po vuajnë se po presin me orë të tëra në pikë kalimet kufitare në mungesë të shtimit të kapaciteteve në personel dhe vendkalime, po ashtu, nuk janë krijuar as kushte sanitare për nevoja fiziologjike.
Vendimi tjetër populist e i varfër si logjika qeverisëse, që megjithatë ndikon emocionalisht te mërgimtarët, është se “lirohen nga pagesat administrative për të rregulluar statusin e shtetësisë”, e cila është një vlerë sa një pako “orbita”.
E për ta nxitur patriotizmin si kategori psikologjike që mbytë çfarëdo reagimi, nxorën tulumbacën e “retorikës së luftës dhe sulmit të mundshëm nga Serbia”. Në vlerësimin tim analitik ushtarak, është me probabilitet dukshëm më të ulët sesa rreziku nga zjarret që kanë përfshirë zonën turistike të “Prevallës”, ku qeveria po dëshmon praktikisht se sa i ka avancuar kapacitetet për reagim në raste emergjencash natyrore apo humane. Pra, po dëshmohet e kundërta e krekosjeve për rritje të buxhetit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. I tërë fokusi i qeverisë por edhe spektrit politik, shoqërisë civile e mediave do të duhej të jet parku nacional i Prevalles që po digjet, si rezultat i mos menaxhimit të zjarreve në Kosove, të gjith po merremi me uren dhe patriotizmin e qeverisë kundër PUN dhe QUINT.
Krahas kësaj teme të luftës që megjithatë prezenca e KFOR dhe deklarimet për përgjegjësitë që ka në çështjen e sigurisë së brendshme dhe pacenueshmërisë së territorit nga jashtë, afera tjetër politike me të cilën u arrit ti bëhet “overllap” këtyre “tullumbacëve qeveritare” ishte ajo e “RTK” me impakt në sigurinë kombëtare që tërhoqi vëmendjen në debate mediale, duke implikuar institucionet shtetërore, edhe Agjencinë e Inteligjencës së Kosovës, e institucione të tjera, dhe ende nuk u zbardh.
Nga kjo ndodhin arratisjet indikative e tanimë të ndjerit Faton Hajrizi, nga burgjet e qendrat korrektuese, pasi që paraprakisht u bë çarmatosja e personelit me vendim të Ministrisë së linjës, e i cili vdiq duke qenë “në dorë të shtetit”. Kjo i kaloj në “harresë politike” të spektrit politik, shoqërisë civile dhe medias, të gjitha temat që sfiduan ligjet e vendit.
As edhe pas varrimit “heroik” nuk mund dhe as duhet lejuar ti bëhet “overllap” pyetjeve, si u lejua të ikte duke i kaluar dy palë dyer të shtetit, ato të burgut dhe kufirin? Kështu “në duar të shtetit” vdiq edhe Astrit Dehari, i cili edhe ketë radhë duket se do u shërbej si kauzë elektorale, pikërisht bashkë partiakëve të tij që e shtynë në vetë/vrasje.
Pra, të dy kanë pasur një histori; Fatoni ka gjuajtur me armë qytetarë civilë dhe zyrtarët policor tw shtetit, Astriti i ka gjuajtur institucionet dhe zyrtarët e shtetit. Të dy vdiqën deri sa ishin “në duar të shtetit”!
Kurse rastit “RTK”, dhe “arratisja” iu bë “overllap” me aferën e presidentes në aeroportin e Shkupit për të cilin u kërkua raport zyrtarë nga kryeministri, e kjo nxori lakuriq Presidenten e cila megjithatë po të afektonte morali politikbërësit, nuk do të vazhdonte ta fyej identitetin e shtetit dhe moralin e popullit të cilin e përfaqëson si e parë e vendit.
Edhe kësaj aferë ende e pa zbardhur, tani po provohet të i bëhet “overllap” me tullumbacen patriotike “Ura” dhe hapjen e saj triumfalisht duke sfiduar Ata që po e garantojnë pacenueshmërinë e saj, të cilën e konsiderova si të drejtë në aspektin e shtrirjes së ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë, por dukie u harmonizuar ngushtësisht për çdo veprim, me partnerët ndërkombëtarë, me theks SHBA.
Është tejet kontraindikative kjo “hapje”, pasi që sipas deklarimeve në media, po e pret të ndodhë edhe Presidenti serb, kryeçetniku Vuçiq, mu për konsekuencat politike që pritën në raport me Veriun e vendit, siç u lexuan edhe qëndrimet e vendeve të QUINTit, e që mund të shkaktoj vendosjen e KFOR-it mbi urë, e pastaj kalimin e kësaj teme negocimi në dialogun e Brukselit.
Po a do të duhej që këto afera të kthehen në aktivizim politik e kauza të partive politike, shoqërisë civile dhe mediave, për goditjen e këtyre mashtruesve që po rrezikojnë shtetin?!
Pse nuk ka konsistencë në adresimin e çështjeve pa përjashtim, siç janë rasti “Banja e 24 e shtatorit ‘23” që ende s’ka epilog, as raport konkret? Po drejtohet gishti kah Prokuroria e Shtetit! Pse?
Prokuroria i ka tre vite afat ligjor që të ngrihet padi. Po pse po bëhet presion për ta ngutur procedurën?! Apo tenton qeveria që me një gurë të vrasë dy zogj?!
E para, ta vazhdojë luftën kundër institucionit të akuzës (ndërkohë që në sistemin gjyqësor e prokurorial ka instaluar njerëz që po të ekzistonte “ligji për lustracionin”, s’do të mund të ishin as pjesë teknike e sistemit të drejtësisë), dhe dyta, të ketë një aktakuzë të ngutshme pa u siguruar, analizuar e shteruar çdo argument, pa u kthyer analizat që priten, që kur të shkojë lënda në gjykatë të hidhet poshtë si e pa bazë?!
Pse do të mund të tentohej kjo? Sepse, qeveritarët aktual, nuk kanë interes të dënohet Radojçiq! E kjo duhet interpretuar, se janë në koordinim dhe brenda skenarit.
Tani pyetja e pritur është se cila do të jetë afera e ardhshme për të tërhequr vëmendjen nga problemet e shumta sociale për qytetarët?
Me siguri se komitetet politikbërëse që i udhëheq zonja “non grata”, do të na befasojnë me risi përplasëse mes nesh si qeveri e shtet dhe aleatëve që po e garantojnë ekzistencën tonë, duke nxitur patriotizmin antindërkombëtarëve me theks antiamerikan.
Më korrekte politikisht, do të ishte nëse do të bëhet temë një çështje e ndershme e ligjore si p.sh. pagat e minatorëve?
Derisa ministrat e tij shkojnë me eskorta policore deri te “Ujmani” për malverzime elektorale, si nuk e marrin asnjëri kurajën t’i vizitojnë minatorët në grevë tash e sa ditë?
Por “tullumbacja politike” që po e fryjnë në koordinim Vuçiqi i Beogradit me Kurtin e Prishtinës apo ndërmjetësit dhe këshilltarët e tyre përfaqësues, do të jetë një “balon kinez mbi Uashington” që duhet goditur luftarakisht.
Përndryshe, po implementohet tradhtia ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit politik të Kosovës si dhe objektivave kombëtare të kombit tonë.