Kryetari i LDK-së, Lumiur Abdixhiku ka vizituar sot institucionin parashkollor “Yllkat”, në Prishtinë.
Ai, ka shkruar se premtimi i Qeverisë Kurti për 160 çerdhe për një mandat na del vetëm një mashtrim.
“Në planin e LDK-së, përtej koeficientit 125 do të përkujdesemi që çdo fëmijë, në gjithë vendin, nga mosha 3 vjeç të hyjë në programin e kopshtit”, ka thënë Abdixhiku.
Postimi i tij i plotë:
Me Albinën sot vizituam Institucionin Parashkollor “Yllkat”, në Prishtinë. Aty takuam edukatoret e këtij kopshti që çdo ditë kujdesen për 267 fëmijë.
Puna e tyre e çmueshme – në këtë kopsht e secilin tjetër në Kosovë – përveç mirënjohjes, meriton dhe kompensim të dinjitetshëm. Me propozimin tonë për koeficient, ky kompensim merr kuptim sepse për herë të parë paga e tyre bazë arrin në 650 euro.
Për fëmijët e familjet kosovare ndërsa, premtimi për 160 çerdhe për një mandat na del vetëm një mashtrim. Tash e dy vite nuk është ndërtuar as edhe një. Në planin e LDK-së, përtej koeficientit 125 do të përkujdesemi që çdo fëmijë, në gjithë vendin, nga mosha 3 vjeç të hyjë në programin e kopshtit.