×
  • Bota/Rajoni
  • Bota/Rajoni

    A do të prekë COVID-19 popullatën e re, sikur Gripi Spanjoll i vitit 1918?

    FrontOnline
    03 Gusht 2020

    Coronavirusi dhe sëmundja që shkakton ky virus, COVID-19, në fillim të përhapjes, ka prekur kryesisht personat më të moshuar, ata me shëndet më të dobët dhe grupet e pakicave etike. Sidoqoftë, shkencëtarët kanë frikë se të rinjtë, që po e shijojnë verën janë në radhë – ashtu siç kishte ndodhur edhe me pandeminë e Gripit Spanjoll më 1918.

    “Ajo që kemi parë më 1918 ishte një ndryshim i virusit. Vala e dytë ishte më ndryshe nga vala e parë dhe preku një grup tjetër njerëzish, kryesisht të rinjtë”, tha për Radio BBC 4, profesori Roger Kirby, president i Shoqërisë Mbretërore të Mjekësisë.

    Mjeku, Hans Kluge, drejtor për Evropën në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH), gjithashtu paralajmëroi se janë duke marrë raporte nga autoritetet civile dhe shëndetësore, se ka një numër më të lartë të infektimeve të reja te të rinjtë e moshës 20 deri në 35 vjet. Kluge tha se ai ka dy vajza dhe se e kupton që të rinjtë “nuk duan të humbasin verën”.

    “Por, ata janë përgjegjës për veten e tyre, prindërit e tyre, gjyshërit dhe komunitetin dhe ne e dimë sesi të sillemi mirë dhe shëndetshëm, pra t’i përdorim ato njohuri”.

    Efektet afatgjate shëndetësore

    Pandemia e Gripit Spanjoll shpërtheu në mars të vitit 1918 dhe preku kryesisht të moshuarit dhe të sëmurët gjatë Luftës së Parë Botërore. Deri në gusht të 1918-ës, kishte shpresë se pandemia do të përfundonte, por vdekja mbizotëroi përsëri nga shtatori deri në nëntor. Virusi pësoi ndryshime dhe preku të rinjtë, njerëz të shëndetshëm.

    Ekspertët kanë frikë se COVID-19 mund të kalojë nëpër një lakore “W”, ngjashëm siç ndodhi me Gripin Spanjoll, që është pandemia më vdekjeprurëse në histori, duke prekur rreth 500 milionë njerëz dhe duke marrë jetën, sipas disa vlerësimeve, ndërmjet 17 deri në 50 milionë njerëzve në mbarë botën. Gripi Spanjoll, në fillim ka pasur lakoren “U”, me një numër të madh të vdekjeve në mesin e një popullate shumë të vjetër dhe shumë të re. Më pas, lakorja u bë “W”, duke prekur edhe njerëzit e shëndetshëm të moshave 25-35 vjeçare.

    “Tashmë e kemi thënë dhe do ta themi përsëri: të rinjtë nuk janë të pamposhtur. Të rinjtë mund të infektohen, të rinjtë mund të vdesin dhe të rinjtë mund ta transmetojnë virusin te të tjerët”, paralajmëroi shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus pas fjalimit të kolegut të tij Kluge, raportoi Euronews.

    Zyrtarët gjermanë dhe francezë thanë se të rinjtë më pak praktikojnë distancën fizike dhe kanë më shumë kontakte si dhe janë më pak të shqetësuar për mundësinë e infektimit, gjë që është e gabuar.

    Të dhënat e mbledhura deri më tani sugjerojnë se rreziku i zhvillimit të sëmundjes së rëndë ose fatale nga coronavirusi, rritet në mënyrë dramatike me moshën.

    Për shembull, në Mbretërinë e Bashkuar, shkalla e vdekshmërisë në muajin prill, për moshat 25 deri 29-vjeçare ishte 7,7 në 100,000 njerëz, krahasuar me 4,249 vdekje në 100,000 njerëz, të moshës 80 deri në 84 vjet.

    OBSH paralajmëroi të enjten, më 30 korrik, se edhe një infeksion i butë me COVID-19 mund të rezultojë në pasoja shëndetësore afatgjate. Mjekja Maria van Kerkhove, udhëheqëse teknike në OBSH për COVID-19, tha se lodhja ekstreme, gulçimi dhe vështirësia për t’u rikthyer në aktivitetet normale, janë disa nga efektet afatgjate që njerëzit kanë pasur, pasi kanë kaluar një infeksion të butë të coronavirusit.

    Michael Ryan, drejtor ekzekutiv i Programit për emergjenca të OBSH-së, gjithashtu citoi prova të ndryshimeve të inflamacioneve të zgjatura në sistemin kardiovaskular të pacientëve.

    Ai theksoi se ende dihet pak për implikimet afatgjate të virusit. Megjithatë, si Ryan ashtu dhe van Kerkhove u bënë thirrje njerëzve që të mbajnë maska, të lajnë duart rregullisht dhe të shmangin vendet e mbushura me njerëz. Ndërkaq, sa i përket klubeve të natës, që të dy thanë se vendet e tilla i shohin si nxitës të transmetimit të virusit.

    Nga 8 mijë në 17 milionë

    Kanë kaluar gjashtë muaj prej kur OBSH-ja e shpalli coronavirusin e ri emergjencë globale shëndetësore – alarmi më i lartë i mundshëm sipas ligjit ndërkombëtar – dhe ende numri i rasteve të reja po rritet. Kur u shpall pandemia, ishin rreth 8,000 të infektuar dhe 170 të vdekur.

    Deri në fund të korrikut, janë regjistruar më shumë se 17 milionë të infektuar dhe rreth 668,000 vdekje, sipas të dhënave të mbledhura nga Universiteti Johns Hopkins dhe numri i përgjithshëm i të infektuarve është dyfishuar në gjashtë javët e fundit.

    Në dy javët e fundit, rritja më e madhe e numrit të të infektuarve është regjistruar në Luksemburg, Spanjë, Portugali, Kroaci, Rumani, Belgjikë, Itali, Mbretëri të Bashkuar, por edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor.

    Numri real i të infektuarve është më i lartë sepse disa njerëz nuk kanë fare simptoma dhe të tjerët mund të kenë marrë një rezultat të rremë negativ të testit. Disa të tjerë nuk janë testuar fare.

    Sipas OBSH-së, në Suedi në mes të qershorit ka pasur një rritje të mprehtë të rasteve të personave të infektuar me coronavirus të moshës nën 49-vjeçare. Që nga atëherë, rastet për këtë grupmoshë janë në rënie, por aktualisht ka më shumë raste të të infektuarve të grupmoshës 20-29 vjeçare në 100,000 banorë, sesa çdo vend tjetër në botë.

    Në Irlandë, që nga 28 korriku, pothuajse 60 për qind e të gjitha rasteve të konfirmuara me COVID-19 janë raportuar se janë të moshës 45-vjeçare.

    Në Izrael, rritja e fundit e rasteve është e lidhur me shpërthimin e epidemisë në shkolla. Sipas të dhënave më të fundit, rreth një e pesta e rasteve është regjistruar në mesin e personave të moshës 10 deri në 19 vjeç, dhe një e pesta në grupmoshën 20 deri në 29 vjeç, raportoi BBC.

    “Ajo që po hasim tani është kthimi i transmetimit brenda komunitetit pas lehtësimit së masave izoluese. Ne duhet të jemi të qartë, efektiviteti i mbylljes është vetëm i përkohshëm. Rastet e reja do të shfaqen sa herë që hiqen masat e kufizimit fizik, për sa kohë që virusi po qarkullon”, tha për Telegrafin profesori Jose Vazquez-Boland, drejtori i Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Universitetin e Edinburgut.

    Shmangni tubimet

    Për të zbutur rritjen e numrit të rasteve, profesor David Hunter, ekspert për epidemiologji dhe mjekësi në Departamentin e Shëndetit Publik Nuffield në Universitetin e Oksfordit, këshillon popullsinë që të shmangë ngjarjet të cilat janë “super-përhapëse”, të mbajnë maska dhe të punojnë nga shtëpia kur është e mundur.

    “Ajo që ne dimë tani, dhe ajo që nuk ishte e qartë në mars, është se një numër i madh i rasteve ishin rezultat i të ashtuquajturave ngjarje super-përhapëse. Vlerësimet tregojnë se rreth 10 për qind e të infektuarve, infektuan rreth 80 për qind të rasteve të reja –jo sepse ishin super-përhapës, por sepse ishin në ambiente të mbyllura. Nëse njerëzit këndonin ose bërtisnin – ato janë koret, kishat, pubet dhe baret ku dëgjohet muzikë me zë të lartë – këto janë vende ku një person mund të infektojë, në disa raste, 50 ose 100 vetë”, paralajmëroi profesori Hunter për Huffington Post.

    Ai këshillon që “nuk duhet të mbani maskë nëse ecni vetëm, por nëse i afroheni dikujt dy metra, vendoseni atë – veçanërisht nëse jeni në ambient të mbyllur”. /Rel/

    Nga Rubrika
    Bota/Rajoni22 Dhjetor 2024
    Prej shumë vitesh Irlanda njihet si një strehë e gjigandëve amerikanë të teknologjisë, duke ndërtuar qendra të shumta të dhënash që konsumojnë...
    Bota/Rajoni22 Dhjetor 2024
    Një zyrtar gjerman ka thënë se policia ka pasur kontakte më parë me të dyshuarin e akuzuar për sulmin në një turmë...
    Bota/Rajoni22 Dhjetor 2024
    Është gjetur pa shenja jete një burrë 57-vjeçar në fshatin Bruz Zallë të Malësisë së Krujës. Bëhet e ditur se ai ishte...
    Të tjera
    Vip22 Dhjetor 2024
    Xheneta ka dhënë disa doza qortimi ndaj Drilonit për siç tha ajo, se nuk di të shkruajë e të lexojë shqip. Sipas...
    Vip22 Dhjetor 2024
    Këngëtarja dhe ish-banorja e Big Brother VIP Kosova, Ana Kabashi shpesh ndan fotografi me ndjekësit e saj në rrjetet sociale. Edhe sot...
    Bota/Rajoni22 Dhjetor 2024
    Një helikopter i një spitali u rrëzua mëngjesin e së dielës në Turqinë jugperëndimore, duke vrarë të katër personat në bord. Dy...
    Vip22 Dhjetor 2024
    Kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, Sali Berisha përmes një postimi në Facebook ka thënë se ndalimi i TikTokut është, siç u...
    Bota/Rajoni22 Dhjetor 2024
    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka publikuar në Facebookun e tij pamje nga Porti i Durrësit. Ai është shprehur se numri i...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Pritjet për të hyrë në Kosovë përmes pikave kufitare te Dheu i Bardhë, dhe në Muçibabë po zgjasin një orë. E në...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.