×
  • Ekonomi
  • Biznes

    Komunat pa investime kapitale, bizneset pa punë

    FrontOnline
    25 Shtator 2022

    Mitrovica e Jugut është vetëm njëra nga komunat e Kosovës, që gjatë këtij viti nuk ka nisur asnjë projekt kapital, të financuar nga Qeveria e Kosovës.

    Në Ligjin për buxhet të vitit 2022 parashihen dhjetëra projekte kapitale në këtë komunë, përfshirë shenjëzimin në komunikacion, rregullimin dhe riparimin e rrugëve, të shtretërve të lumenjve, pastaj investime në administratë, shëndetësi, arsim e deri te renovimi i stadiumit “Adem Jashari”.

    Nënkryetari i komunës, Arian Tahiri, konfirmon shkurtimisht se në asnjërin prej këtyre projekteve nuk kanë nisur punimet.

    Sazan Ibrahimi, nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, thotë se probleme nga mungesa e investimeve kapitale kanë gati të 38 komunat e vendit.

    “Në mungesë të investimeve, as jeta e qytetarit nuk mund të përmirësohet. Në zhvillimin ekonomik lokal ndikon edhe qasja në rrugë, kanalizim, ujësjellës etj. Në mungesë të saj, pengohet edhe zhvillimi i kompanive private, të cilat janë promotorë jashtëzakonisht të mëdhenj të punësimit”, thotë Ibrahimi për Radion Evropa e Lirë.

    Në komunën e Suharekës, e cila ndodhet rreth 80 kilometra larg Mitrovicës së Jugut, gjendet kompania private “Eurofamis”, e cila merret me ndërtimtari.

    Pronari i kësaj kompanie, Ilir Bytyçi, thotë për Radion Evropa e Lirë se, viteve të kaluara, ka qenë i përfshirë në projekte kapitale të financuara nga shteti dhe se ka pasur mbi 120 punëtorë.

    Këtë vit thotë se nuk ka pasur oferta për tenderë dhe se numri i punëtorëve i ka rënë në 20.

    “Përveç numrit të punëtorëve, edhe puna e biznesit është vështirësuar”, thotë ai.
    Buxheti i shtetit të Kosovës këtë vit është mbi 2.7 miliardë euro. Nga kjo shumë, mbi 720 milionë euro janë planifikuar për shpenzime kapitale.

    Në Raportin 6-mujor Financiar, të publikuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e Kosovës, thuhet se për projekte kapitale janë shpenzuar vetëm pak mbi 79 milionë euro dhe pranohet se ka normë më të ulët të ekzekutimit.

    Sipas raportit, në periudhën e njëjtë të vitit paraprak, për të njëjtin qëllim janë shpenzuar rreth 129 milionë euro, kurse në vitin 2020 rreth 92 milionë euro.

    Nga vlerësimet e Institutit GAP, i cili monitoron punën e institucioneve të Kosovës, del se realizimi i investimeve kapitale në gjysmën e parë të vitit 2022 është më i ulëti në dekadën e fundit.

    Pse kanë rënë investimet kapitale?

    Radio Evropa e Lirë ka pyetur Ministrinë e Financave për arsyen e mosekzekutimit të mjeteve për projekte kapitale, por nuk ka marrë përgjigje.

    Në Raportin Financiar thuhet se norma e ulët e ekzekutimit “është kryesisht rezultat i dinamikës së pagesës së faturave të fundvitit fiskal 2021, të cilave u është dhënë prioritet që të paguhen para datës 31 dhjetor, 2021, dhe të mos barten në vitin vijues”.

    Bartja e pagesës së faturave të fundvitit në vitin vijues fiskal “zakonisht jep një pasqyrë më të lartë të shpenzimeve kapitale për gjysmën e parë të vitit” – gjë që nuk ka ndodhur këtë vit, thuhet në raport.

    Sipas tij, dinamika më e ulët e investimeve është edhe rezultat i ngadalësimit të punëve nga ana e operatorëve ekonomikë, për shkak të rritjes së çmimeve të materialit ndërtimor.

    Për kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, arsye e mosrealizimit të projekteve kapitale është, po ashtu, mosfunksionalizimi i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

    “Aty ka qenë ajo hallka, ku për sa kohë, nuk ka qenë i kompletuar Bordi i OSHP-së…”, thotë Rafuna.

    Organi Shqyrtues i Prokurimit, për më shumë se një vit, nuk ka qenë funksional. Në qershor të këtij viti, Kuvendi i Kosovës ka votuar për përbërjen e re të bordit të tij.

    Ky organ, që ndryshe njihet si Gjykata e Tenderëve, është institucioni kryesor që merret me shqyrtimin e tenderëve publikë.

    Rafuna thotë se Qeveria duhet të gjejë mënyra për t’i zhbllokuar investimet kapitale, sepse ka rënë qarkullimi financiar i bizneseve.

    Sipas tij, dinamika e ulët e realizimit të investimeve rrit shkallën e papunësisë dhe, rrjedhimisht, zvogëlon mirëqenien e qytetarëve.

    Si mund të gjendet zgjidhja?

    Autoritetet kompetente duhet t’i ndihmojnë bizneset e angazhuara në punë publike që të përballojnë çmimin e lartë të produkteve, thotë Rafuna.

    “Këtë praktikë e kemi parë edhe në Shqipëri dhe në vende të tjera, ku Qeveria ka subvencionuar nivelin e çmimit”, thotë ai.

    Nga Ministria e Financave e Kosovës kanë thënë në fillim të këtij muaji se kanë hartuar Projektligjin për punë publike, për të përshpejtuar dinamikën e zbatimit të investimeve kapitale në pjesën e dytë të vitit.

    Ministri Hekuran Murati ka thënë se të gjitha punët publike do të mbështeten “me kompensim për çmimet e rritura”, por nuk ka sqaruar se në çfarë forme ose me sa për qind.

    Në Kosovë, norma e inflacionit ka arritur në 13 për qind në muajin gusht, krahasuar me 0.2 për qind sa ka qenë gushtin e vitit 2021, tregojnë të dhënat e Agjencisë së Statistikave.

    Vetëm kostoja e ndërtimit, këtë vit, ka pasur rritje për rreth 20 për qind, krahasuar me vitin e kaluar.

    Çmimi i çimentos, që është një nga materialet më të përdorura ndërtimore në Kosovë, është rritur tri herë.

    Sipas përfaqësuesve të kompanive për prodhimin e betonit, çmimi i çimentos ka lëvizur nga 82 euro për ton, sa ka qenë në janar të këtij viti, në afër 130 euro.

    Rritja e inflacionit gjetkë në botë ka nisur vitin e kaluar, për shkak të çrregullimeve në tregje që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit, por ka vazhduar me ritëm më të shpejtë pasi Rusia ka nisur luftën në Ukrainë, në fund të shkurtit. /REL/

    Rame Lahaj, ambasador i VISA Infinite kartelës së Bankës TEB
    Nga Rubrika
    Ekonomi07 Maj 2024
    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka marrë pjesë në Këshillin Kombëtar për Ekonomi dhe Investime, ku tha se nëpërmjet dialogut dhe bashkëpunimit...
    Ekonomi07 Maj 2024
    Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njofton se më 14 maj 2024 do të mbahet ankandi i gjashtë për vitin 2024. Në këtë...
    Ekonomi06 Maj 2024
    Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, derisa sa ka folur për situatën ekonomike në vendin tonë ka theksuar se...
    Të tjera
    Lajme07 Maj 2024
    Ngritja e aktakuzës për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, nuk mund të bëhet derisa shumica e provave janë jashtë vendit për...
    Sport07 Maj 2024
    Besiktas dhe Ankaragucu janë takuar sot (e martë) në kuadër të ndeshjes së dytë të fazës gjysmëfinale të Kupës së Turqisë. Pasi...
    Bota/Rajoni07 Maj 2024
    Një delegacion i Hamasit ka mbërritur në Kajro për të ndjekur negociatat për armëpushim në Gaza, thuhet në një deklaratë nga grupi....
    Lajme07 Maj 2024
    Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka thënë se Albin Kurti i ka shkaktuar dëme Kosovës në dialog me marrëveshjen e...
    Bota/Rajoni07 Maj 2024
    Kuvendi i Shqipërisë shpall objektiv strategjik kombëtar, pavarësisht ngjyrave politike, anëtarësimin e vendit tonë në Bashkimin Evropian në vitin 2030. Ky është...
    Vip07 Maj 2024
    Sot është gjysmëfinalja e parë e festivalit madhështor “Eurovision Song Contest” i cili këtë vit po mbahet në Malmo të Suedisë, pas...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.