×
  • Opinione
  • Opinione

    Pse po shkëlqejnë të rinjtë e Kosovës?

    FrontOnline
    24 Korrik 2021

    Vitet e fundit, shqiptarët kosovarë po shkëlqejnë në sport, në muzikë, në media e kudo. Shumë njerëz, kryesisht në Shqipëri, pyesin si me habi se si është e mundur që një shtet aq i ri të nxjerrë aq talente. Kjo nuk ka lidhje me shtetin. Shteti i Kosovës njimend është shtet i ri por shqiptarët kosovarë nuk janë popull i ri.

    Shqiptarët kosovarë janë bij e bija të fiseve kreshnike të Gegnisë. Janë pasardhësit e një geni vital i cili ka jetuar në malet e Drenicës, Rugovës, Beranës e Konjuhut, Sharit dhe Pazarit të Ri si dhe në malet e Shqipërisë së sotme gjeografike. Në varësi të rrethaneve, luftrave, pushtimeve dhe dyndjeve, ata kanë lëvizur, herë në male thellë, herë në fusha e zabele.

    At Zef Pllumi në librin e tij me titull “Histori kurrë e shkrueme”, tregon për një vajzë nga Mirdita e viteve 1930 e cila, ngaqë nuk kishte pranuar të martohej me pahir, ishte arratisur dhe kishte shkuar në Tiranë. Punonte dhe shërbente si kujdestare në familjen e një doktori a nënpunësi. Familja ishin habitur prej edukatës dhe fisnikërisë së saj. Mesazhi i habisë ishte kështu: si ka mundësi që atje thellë në malet dhe fshatrat e Mirditës të rritej një vajzë kaq e edukuar e sojnike, sikur të ishte vajzë e ndonjë familjeje fisnike konservatore europiane! At Zef Pllumi, mesa mbaj mend, shkruan se shumë familje e fise fisnike e kalorsiake, janë ngjitur dhe janë ndry në male për shkak të pushtimeve, luftrave dhe trazirave. Atje kanë marrë me vete dhe kanë ruajtur genin fisnik, zakonet dhe mënyrat e sjelljes.

    Jo vetëm në atë çka quhet Gegni por edhe në Sul e Zagori, në Gramoz, Çermenikë e në Tomor, ka pasur grupacione familjesh dhe fise të cilat janë ngjitur për tu mbrojtur e për të jetuar sipas mënyrës së tyre, me zakonet e tyre, me genin dhe me vitalitetin e tyre. Përfytyroni, mes lisash, midis lëndinave, buzë lumenjve e shpateve, me borën dhe me stuhinë, jetonin ata të cilët, cilido kronikan dhe udhëtar që i pa e i njohu, shkroi për ta e i përjetësoi, sikur kishte parë në vitet 1800, njerëzit e Perandorisë Romake apo Mbretërisë së Maqedonisë së Lashtë.

    Konferenca e Londrës e vitit 1913, krijoi Shqipërinë shtet në këta kufinj që kemi sot. Me operacion kirurgjikal i preu trupit të Shqipërisë tendinat dhe muskujt kryesorë. Mbetën jashtë Kosova, Janina, Dibra e Madhe, Manastiri. Siç vajton At Gjergj Fishta tek poema Çohi t’Dekun: “Mbaroi Kosova, Janina hupi e ndoshta Tepeleni/ shkoi Manastiri, Dibra e Gjakova/ vendet ma t’mira ne na i mori shkau/ e çka asht ma zi, aj vlla me vlla na ndau”. Siç mund ta lexojmë, në përfytyrimin e kohës, ato që mbetën jashtë Shqipërisë Londineze, ishin vendet më të mira të shqiptarëve. Ishin vendet kyçe, vendet kryesore, vendet vitale. Me mbetjen e tyre jashtë, krahinat e tjera të Shqipërisë së mbetur u varfëruan tmerrsisht. Sepse Shqipëria verilindore nuk kishte Gjakovën, Prizrenin dhe Dibrën, qytetet e veta natyrore. Juglindja nuk kishte më Manastirin. Jugperendimi nuk kishte më Janinën, kryeqendrën e vet. Është si t’i heqësh sot Kamzës Tiranën, Devollit Korçën, Malsisë së Madhe Shkodrën, Shijakut Durrësin. Mbetën shumë keq. Edhe krahinat e mbetura, mbetën keq pa krahinat e tyre natyrale. Ndodhi tmerri, dobësimi, defaktorizimi, prerja e gjymtyrëve.

    Kosova u martirizua veçanërisht. Llogaritet të jenë vrarë e shpërngulur rreth 200 mijë shqiptarë. Kosova martire, qëndroi. I qëndroi genocidit, shtypjes strukturore, qëndroi edhe përballë Traktatit të Lozanës për shkëmbimin e popullsive me qëllim për të shpërngulur sa më shumë shqiptarë kosovarë në Turqi dhe, për ta mbushur Kosovën me kolonë serbë e malazezë.

    Plot 32 vite pas Konferencës së Londrës, ndodhi goditja e dytë. U instalua komunizmi.

    Komunizmi në Kosovë fliste serbisht dhe menjëherë u perceptua si pushtim i ri. Komunizmi në Kosovë istalohej 4 vite pas “Kohës së Shqipnisë”. Koha e Shqipnisë u quajt koha kur Italia e Gjermania pushtuan Shqipërinë dhe realizuan Shqipërinë e Bashkuar. Nacionalistët e qeverive në Tiranë, dërguan në Kosovë mësues shqiptarë për shkollat, dërguan nënpunës dhe xhandarë, shqiptarët kosovarë u bënë ministra e kryeministra e deputetë në Tiranë. Kosova e pa bashkimin kombëtar, jetoi vetëm 3 vite me Tiranën kryeqytet. Dhe ripushtimi i rimobilizoi përsëri për qëndresë.

    Në Shqipëri komunizmi foli shqip. U maskua mirë. Përdori patriotizmin dhe flamurin. Vrau ose izoloi familjet dhe fiset vitale e nacionaliste për të forcuar pushtetin. Pastaj nisi bluarjen e njeriut shqiptar. E zhveshi nga çdo ndjenjë kombëtare. E dhunoi. E poshtëroi. E varfëroi së tepërmi. E demoralizoi. Ia zyrtarizoi veset e pazyrtarizuara. E devitalizoi. Ia gërryeu krenarinë. E uli shqiptarin shumë poshtë, në statusin e mirëfillt të skllavit.

    Ndërsa në Kosovë situata ishte paksa ndryshe. Jugosllavia e ndërtuar mbi Bashkim-Vllazërim, si formulë për të ndejtur bashkë 5 kombe e kufizoi disi shovenizmin serb. Pavarësisht pjesëmarrjes së shumë shqiptarëve kosovarë në Jugosllavi, makineria e bluarjes nuk ishte aq e thellë. U ndoq tradita, oda, feja, zakoni, kënga epike e rapsodike e cila glorifikonte luftrat e shkuara dhe ngazëllente për luftrat e ardhshme dhe për çlirimin dhe bashkimin kombëtar. Ata nuk u kënduan arave të grurit dhe aksioneve të partisë.

    Vetëdija e shqiptarëve kosovarë mbeti e lartë. Ata shkuan në vendet europiane por, nuk shkuan për tu arratisur nga Kosova. Shkuan duke e mbajtur mendjen dhe shpirtin në Kosovë. Duke kënduar dhe ëndërruar për çlirimin e saj. Për gjuhën shqipe, për flamurin, për Kosovë pa sundim sllav, për Bashkimin Kombëtar. Kudo ku shkuan organizuan shoqatat patriotike për të mbajtur gjallë shqiptarin.

    Pas shpalljes së Pavarësisë u hodh idea për “Komb Kosovar”. Ide strategjike e agjenturore për ta ndarë Kosovën nga Shqipëria. Ose nëse përdor një varg në Ilir Shaqirit, nga “Trungu i Shqipes”. Mirëpo shqiptarët kosovarë befasuan përsëri. Ata e refuzuan dhe po e hedhin në koshin e mbeturinave ketë ide.

    Shqiptarët kosovarë janë pjesë e Kombit Shqiptar, pjesë e Trungut të Shqipes. Gjuha e tyre është shqip, kënga e tyre shqip, historia e tyre është shqip, vuajtja dhe gëzimi i tyre janë shqip. Shteti i Kosovës nuk është krijuar si mjet për tu ndarë nga Trungu i Shqipes. Përkundrazi, ai shtet është mjeti për të përmbushur qëllimet shekullore. E cilat janë qëllimet shekullore? Nuk janë as kombi kosovar, as diçka e ngjashme. Janë gjuha shqipe, jetesa të lirë si shqiptarë, përparimi si shqiptarë. Po të kishin dëshiruar të ishin diçka tjetër e jo shqiptarë ose ishin asimiluar në Jugosllavi ose ishin asimiluar në vendet e Bashkimit Europian apo në Zvicër. Nuk e kanë bërë, bash pse qëllimi shekullor ka qenë të jetojnë si pjesë e Kombit Shqiptar.

    Kosova prijese e shqiptarizmit

    Nëse deri para 20 vitesh prijëse e Kombit Shqiptar ka qenë Shqipëria, sepse Shqipëria ka pasur institucione, ka pasur më shumë mjete, më shumë financa, sot edhe Kosova është prijëse e Kombit Shqiptar. Kosova është hisedare njëlloj sa Shqipëria. Është e barabartë me Shqipërinë. Dy shtetet janë si dy motorë të një avioni. Që të dy e shtyjnë kombin përpara drejt përparimit.

    Sot rinia e Shqipërisë, brezi i ri, ata të cilët janë të pahelmuar me formulat enveriane “Vëllezërit kinezë e miqt kosovarë”, admirojnë sportistët shqiptarë kosovarë, duartrokasin këngëtarët, këndojnë këngët e tyre, pëlqejnë politikanët dhe personat publikë të Kosovës. Nderojnë dëshmorët dhe adhurojnë herojnt e luftës së fundit çlirimtare. Rinia vitale e Kosovës iu ka dhënë atyre përfaqësim, krenari, emocion e ngazëllim. Kombi Shqiptar ka nisur të funksionojë në natyralitetin e vet.

    Prince Coffee House tani edhe në Lipjan
    Nga Rubrika
    Opinione30 Prill 2024
    Nga: David Robson / The Atlantic Në vitin 1986, miliona filipinas dolën në rrugët e Manilës, duke protestuar në mënyrë paqësore (në...
    Opinione29 Prill 2024
    Shkruan: Mero Baze Ilir Meta i bëri të gjitha sa mundi. Në fillim hipi në hekura, pastaj në kodrat e Lieqnit, më...
    Opinione28 Prill 2024
    Nga: Raffaele Huang (me kontributin e gazetarit Dave Sebastian) / The Wall Street Journal (titulli origjinal: What Is TikTok Worth? Guesses Range...
    Të tjera
    Lajme30 Prill 2024
    Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, deklaroi se kushdo që sot thotë që Kosova ka më shumë sovranitet në veri të...
    Bota/Rajoni30 Prill 2024
    Turizmi malor dhe investimet për rigjallërimin e tij vijojnë të mbeten një prioritet, tashmë i përforcuar me një paketë të re të...
    Lajme30 Prill 2024
    Ish ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj sociacionin e ka quajtur “përbindësh”. “Pjesa e fundit e kushtëzimit është ai neni 7...
    Sport30 Prill 2024
    Sulmuesi i Përfaqësueses së Kosovës, Edon Zhegrova, është nominuar për çmimin e futbollistit më të mirë të vitit në elitën e futbollit...
    Lajme30 Prill 2024
    Nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk dëshiron zgjedhje. Ai ka...
    Lajme30 Prill 2024
    Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, ka thënë se vendi i tij nuk do të merret me çështjen e njohjes së...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.