Komuna e Ferizajt ka njoftuar se 50-vjeçari që vdiq sot derisa po punonte në projektin “Bashkimi i Qytetit”, është punonjës i kompanisë kontraktuese për kryerjen e punëve, raporton Express
“Pasditen e sotme, një ngjarje tragjike ndodhi në njërin nga segmentet e punës në projektin infrastrukturor “Bashkimi i Qytetit”, me ç’rast njëri nga punonjësit e kompanisë kontraktuese mori lëndime të rënda që pas përcjelljes në Spitalin e Përgjithshëm të Ferizajt, ndërroi jetë”, thuhet në njoftimin e Komunës.
Ndërkohë, rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Agim Gashi.
Gashi ka deklaruar se ende nuk dihen rrethanat se si ka ardhur deri te ky rast.
“Rreth orës 14:05 minuta kemi pranuar informatën se gjatë punimeve te nënkalimi i qytetit një punëtor i moshës rreth 50 vjeçare gjatë punës ka marrë lëndime në rrethana ende të panjohura. Menjëherë personin e kanë përcjellë në emergjencë, mjeku ka konstatuar se i njëjti ka ndërruar jetë nga plagët e marra”, ka thënë Gashi.
Gashi tha se hetuesit policorë dhe inspektorët e punës janë në vendin e ngjarjes.
“Hetuesit policorë dhe inspektoret e punës janë në vendin e ngjarjes, duke u marrë me rastin, me qëllim të ndriçimit të rrethanave se si ka ardhur deri te ky rast.”, ka deklaruar Gashi.