Policia e Kosovës ka bërë të ditur se me datë 08.11.2020, rreth orës 10:45, është raportuar për një gjuajtje me armë zjarri në rrugën “Astrit Dehari” në Prishtinë. Me të marrë informatën, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë veprimet e nevojshme në konformitet me rrethanat e ngjarjes.
“Që në kontaktin e parë me viktimën janë ndërlidhur veprimet policore për hetimin dhe ndriçimin e rrethanave të ngjarjes, është ngritur dyshimin se i dyshuari, një mashkull 35 vjeç, i njohur për policinë, me veturën e tij, pasi i ka pamundësuar lëvizjen e veturës së viktimës, ka dalë nga vetura dhe ka shkrepur armën, veprim ky me të cilin ka shkaktuar rrezik të përgjithshëm”, ka thënë për Indeksonline, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
Ai ka thënë se në vazhdimësi të hetimit preliminare, me qëllim hetimin dhe ndriçimin e rrethanave të rastit janë ngritur dyshimet se i dyshuari pasi ka shkrepur armën, ka kanosur ankuesin, si dhe të njëjtin e ka goditur në kokë duke i shkaktuar lëndime.
Policia ka bërë të ditur se pas goditje në kokë viktimës i është ofruar trajtimi i nevojshëm mjekësor, ndërkohë që policia ka vazhduar me veprime të tjera operativo-hetimore dhe atyre të ekzaminimit.
Borovci ka thënë se në këtë rast është bërë këqyrja e vendit të ngjarjes, me qëllim kërkimin, gjetjen dhe mbledhjen e provave, dëshmive dhe të dhënave të tjera që do t’i shërbenin hetimit të mëtejmë.
“Gjithashtu pas marrjes së autorizimit nga prokurori i shtetit policia ka kryer edhe një operacion bastisjeje në adresën e të dyshuarit porse i njëjti nuk është gjetur aty. Hetimi është thelluar edhe më tej ndërkaq dinamika e veprimeve policore ka trasuar orientimin e zbardhjes së plotë të ngjarjes me fokus zbulimin e vendndodhjes dhe kapjen e të dyshuarit”, ka theksuar ndër të tjera Borovci.
Ai ka bërë të ditur sot më datë10.11.2020, i dyshuari është paraqitur në njësinë e hetimeve të përgjithshme të rajonit të Prishtinës, duke dorëzuar edhe armën që dyshohet të jetë përdorur në rastin në fjalë.
Borovci ka thënë se ndaj të dyshuarit policia ka shqiptuar masën e arrestit policor dhe me autorizimin e prokurorit të shtetit të njëjtin e ka dërguar në mbajtje prej 48 – orësh.