Politikani Zafir Berisha është emëruar sot koordinator kombëtar për Siguri Kibernetike, një pozicion ky që e bën atë të jetë njeriu kryesor i Kosovës në këtë fushë. Por, me çka do të merret z.Berisha – që shquhet për gabime të shumta drejtshkrimore?
Siguria kibernetike është praktika e mbrojtjes së kompiuterëve, serverëve, pajisjeve mobile, sistemeve elektronike, rrjeteve dhe të dhënave nga sulmet malicioze nga grupet e caktuara private apo edhe shtetet.
Ajo njihet ndryshe edhe si siguri e informimit teknologjik, apo siguri e informacionit elektronik, përcjell Periskopi.
Kërcënimet globale kibernetike vazhdojnë të zhvillohen me një shpejtësi marramendëse, dhe Kosova nuk bën përjashtim nga një gjë e tillë.
Sipas një raporti nga RiskBased Security u zbulua që 7,9 miliardë rekorde ishin ekspozuar nga thyerjet e të dhënave vetëm në nëntë muajt e parë të vitit 2019. Këto shifra përbëjnë më shumë se dyfishin (112%) të numrit të rekordeve që ishin ekspozuar në të njëjtën periudhë në vitin 2018.
Tipet më të shpeshta të kërcënimeve të sigurisë kibernetike janë trillojëshe: Krimet kibernetike që përfshijnë akterë të vetëm apo grupe që targetojnë sisteme të ndryshme për përfitime financiare apo për të shkaktuar trazira; sulmet kibernetike që zakonisht përfshijnë mbledhje informacionesh për motive politike; terrorizmi kibernetik që ka për qëllim të minojë sistemet elektronike për të shkaktuar panik apo frikë.