Ministri i Punëve të Jashtme i Gjermanisë, Heiko Maas, ka thënë se vendi i tij do t’i mbrojë njerëzit e vet, pas vrasjes së një personi në Berlin, ku dyshohet se ishte e përfshirë Rusia.
Kryediplomati gjerman u takua të martën në Moskë me homologun rus, Sergei Lavrov, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Maas tha se vrasja në një park të Berlinit e një personi me prejardhje nga Gjeorgjia, për të cilën prokurorët gjermanë besojnë se është kryer nga një organ shtetëror rus, ka qenë një barrë serioze në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Duke folur në një konferencë të përbashkët për gazetarë me homologun rus, ministri gjerman tha se Gjermania do të bëjë gjithçka që mundet për t’i mbrojtur njerëzit e vet, qoftë në internet, qoftë në hapësira të tjera.
“Vrasja në Tiergarten, për të cilën prokurorët besojnë se është organizuar nga një organ i shtetit rus, ka peshuar seriozisht në marrëdhëniet tona, prandaj e bëra të qartë se do ta mbrojmë sigurinë e njerëzve tanë, në internet dhe jashtë tij”, tha kryediplomati gjerman.
Kjo vrasje ndodhi në gusht të vitit të kaluar. Personi i vrarë ishte një burrë 40 vjeç nga Gjeorgjia. Policia gjermane e ka arrestuar një rus për këtë rast.