×
  • Lajme
  • Lajme

    Gjykatat serbe vazhdojnë t’i ftojnë kosovarët për vuajtje të dënimeve

    FrontOnline
    08 Gusht 2020

    Gjykatat e Serbisë po vazhdojnë të dërgojnë ftesa për vuajtjen e dënimit në qendrat korrektuese të këtij shteti për personat që kanë vendbanim në Kosovë. Një gjë e tillë ka ndodhur edhe gjatë dy vjetëve të fundit.

    Nga Gjykata Themelore në Leskovc, në jug të Serbisë, siç është konfirmuar për Radio Evropa e Lirë (REL), janë dërguar dhjetëra ftesa për qytetarët e Kosovës, qoftë ata serbë apo shqiptarë, me kërkesën që të lajmërohen për vuajtje të dënimit me burg në qendrat korrektuese në Nish apo Qupri.

    Nga gjykatat e Leksovcit është konfirmuar gjithashtu se askush nuk është përgjigjur në ftesat e dërguara.

    Selimi: Ftesat kthehen si të parealizuara

    Ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Selim Selimi ka konfirmuar për REL se ministria që ai udhëheq, ka hasur në ftesa të tilla dhe të njëjta janë kthyer prapa si të paekzekutuara, pasi që kanë qenë “në kundërshtim me sistemin juridik të Republikës së Kosovës”.

    “Vetëm sot (7 gusht) janë kthyer dy të këtilla”, ka konfirmuar ministri Selimi.

    Sipas ministrit kosovar, ftesat për vuajtje të dënimit kryesisht kanë të bëjnë me veprat që pretendohet se janë kryera ose që dyshohet që janë kryer gjatë viteve të 90-ta dhe nuk i referohen veprave për krime të luftës.

    Kosova dhe Serbia, sipas ministri Selimi, bashkëpunojnë konform marrëveshjes së arritur në vitin 2013 dhe e cila është plotësuar në vitin 2015. Në mungesë të bashkëpunimit të drejtpërdrejtë me autoritete serbe, krejt kjo zhvillohet nëpërmjet të Zyrës së Përfaqësuesit Special të BE-së në Kosovë dhe përmes Zyrës së BE-së në Serbi.

    “Fatkeqësisht këtu kemi pengesa që na shkaktohen vazhdimisht”, ka nënvizuar ministri i Drejtësisë, Selim Selimi duke mos precizuar se për cilat pengesa bëhet fjalë.

    Një ftesë të këtillë nga Gjykata Themelore në Leskovc vitin e kaluar e ka pranuar pjesëtari i ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe invalidi i luftës, Hashim Mecinaj nga Skenderaj. Në ftesën e datës 1 korrik të vitit 2019, nga ai është kërkuar që të lajmërohet për vuajtje të dënimit në kohëzgjatje prej 13 vjetësh.

    Për REL kanë konfirmuar se Gjykata e Apelit në Leskovc, atë e ka dënuar me vendim të plotfuqishëm për dy vepra të terrorizmit. Ftesa e Gjykatës së Leskovcit, Mecinajt i është dorëzuar nëpërmjet Gjykatës Themelore të Mitrovicës.

    Ministri Selimi thotë se ka pasur raste në të kaluarën kur shtetasit e Kosovës janë njoftuar me pretendimet e gjykatave serbe përmes këtyre ftesave nga Ministra e Drejtësisë, pasi shtetasit “nuk kanë qenë në dijeni fare për proceset gjyqësore ndaj tyre dhe as për dënimin në mungesë, çka përben shkelje flagrante të drejtave të njeriut”.

    Gjykata në Leskovc: Do të dërgojmë më shumë ftesa për burg në Kosovë

    Novica Dimitrijeviq, zëvendëskryetar i Gjykatës Themelore të Leskovcit, konfirmon se ky institucion i ka dorëzuar të gjitha ftesat. Ai precizon se në rast të mosparaqitjes në institucionin përkatës, pason masa e lëshimit të fletë-arrestit.

    “Si shqiptarëve ashtu edhe personave të përkatësive tjera në Kosovë, ftesat iu dërgohen kryesisht nëpërmjet postës. Në rastet kur posta nuk funksionon, ftesat, ndonëse në numër dukshëm më të vogël, dërgohen nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, konform marrëveshjes për ndihmën e ndërsjellë juridike, e cila është arritur në negociata në mes të Beogradit dhe Prishtinës”, ka shpjeguar Dimitrijeviq.

    Për shkak të mosparaqitjes në ftesat e dërguara, qytetarët e Kosovës rrezikojnë që emrat e tyre të paraqiten në fletë-arreste dhe rrjedhimisht të arrestohen dhe ekstradohen nëse lëvizin jashtë vendit.

    Ftesat kontestuese të gjykatave

    Katarina Goluboviq, presidente e Komitetit të juristëve për të drejtat e njeriut, i cilëson kontestuese ftesat e gjykatave serbe, që po iu dërgohen qytetarëve të Kosovës.

    Ajo thotë se aktgjykimet iu referohen veprave të kryera shumë kohë më herët, para arritjes së Marrëveshjes për gjyqësorin, për të cilën ishin dakorduar kryeministrat e atëhershëm të Kosovës dhe Serbisë, Isa Mustafa, përkatësisht Aleksandar Vuçiq.

    “Bëhet fjalë për vepra të cilat në esencë janë politike, ndërsa gjykatat nuk do duhej që të merren me këto, meqë bëhet fjalë për lojëra politike”, nënvizon Goluboviq.

    Ajo thekson se marrëveshja për ndihmën e ndërsjellë juridike nuk mundëson zbatimin e këtyre vendimeve, meqë ato kryesisht i referohen sulmit ndaj rendit kushtetues të Serbisë.

    Pavloviq: nuk ekziston as minimumi i mundësisë për një gjykim të drejtë

    Mihailo Pavloviq, avokat nga Beogradi, rikujton numrin e madh të proceseve gjyqësore që janë zhvilluar kundër shqiptarëve të Kosovës në pjesën e dytë të viteve të 90-ta. Ai konsideron se shqiptarët, atëbotë, nuk e kanë pasur as minimumin e mundësisë për gjykim të drejtë.

    “Ata persona i janë nënshtruar gjyqeve të rastit. Ata janë gjykuar brenda natës”, thotë Pavloviq. Ai shpjegon se proceset gjyqësore kryesisht kanë përfunduar pa asnjë provë dhe se dënimet që janë shqiptuar ishin në kohëzgjatje prej shumë vjetësh, ndërsa veprat me të cilat ishin ngarkuar shqiptarët e dënuar, kryesisht ishin vepra për terrorizëm dhe veprimtari armiqësore.

    “Ata nuk kanë pasur as përkthyes. Disa nga ata as që e kanë ditur se për çfarë po gjykohen. Aktakuzat janë bazuar kryesisht në pranimin e tyre dhënë policisë, për të cilat ata më vonë kanë thënë se janë detyruar ta bëjnë si pasojë e torturës dhe keqtrajtimit”, shpjegon Pavloviq.

    Krejt kjo, sipas avokatit Pavloviq, i bën kontestuese të gjitha ftesat e gjykatave serbe.

    Gjykimet në mungesë

    Dejan A. Vasiq, avokat nga Mitrovica, tërheqë vërejtjen se për veprat në fjalë, vendimet në gjykata janë marrë pas luftës në Kosovë, në periudhën kur gjykatat në Kosovë që punonin me sistemin serb, u bartën në Serbi.

    “Bazuar në përvojën time, ka qenë e pamundur që shqiptarëve të akuzuar t’iu dorëzohet aktgjykimi, sepse atëbotë nuk ka funksionuar posta në mes të Kosovës dhe Serbisë. Për personat e dënuar me burgim, është lëshuar urdhër-arresti dhe shumica e tyre janë arrestuar gjatë udhëtimit jashtë vendit dhe janë dërguar për vuajtje të dënimit”, tha Vasiq.

    Ndërkohë, në bazë të fletë-arresteve nga Serbia, në të kaluarën janë arrestuar ish-kryeministrat e Kosovës, Ramush Haradinajdhe Agim Çeku si dhe presidenti aktual, Hashim Thaçi.

    Procedurat e ekstradimit në secilit rast të mësipërm kanë përfunduar me lirimin e tyre.

    Nga Rubrika
    Lajme09 Nëntor 2024
    Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin John Hopkins në SHBA tha se beson që raportet e kryeministrit Albin Kurti me administratën Trump...
    Lajme09 Nëntor 2024
    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka takuar sot fermerët nga Deçani me të cilët ka folur për...
    Lajme09 Nëntor 2024
    Kreu i NISMA-s për Kosovën, Fatmir Limaj, ka njoftuar për një tubim që ka mbajtur në Zvicër me bashkatdhetarët. Limaj ka shkruar...
    Të tjera
    Lajme09 Nëntor 2024
    Profesori i së Drejtës Kushtetutese, Kadri Kryeziu, ka deklaruar se Qeveria Kurti nuk ka pasur raporte të ngrohta me qeverinë amerikane.Këtë kontest,...
    Bota/Rajoni09 Nëntor 2024
    Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, në 35-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit, ka thënë se liria nuk mund të merret kurrë si...
    Sport09 Nëntor 2024
    Përzgjedhësi Franco Foda ka publikuar listën për dy ndeshjet e ardhshme të Kombëtares së Kosovës në muajin nëntor në kuadër të Ligës...
    Bota/Rajoni09 Nëntor 2024
    Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, ka mbërritur në Kievi të shtunën për një vizitë të paralajmëruar...
    Lajme09 Nëntor 2024
    Në radhën e tubimeve “Turneut të Ndryshimit”, Lidhja Demokratike e Kosovës gjatë ditës së shtunë është mbledhur në Pejë. Kreu i kësaj...
    Bota/Rajoni09 Nëntor 2024
    Është arrestuar një person i moshës  40-vjeçare në Tiranë. Dyshohet se ai ka lëvizur me armë dhe me lëndë narkotike, shkruan Abcnews.al...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.