
Ministri i jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj sot ka mbërritur për vizitë zyrtare në Luginën e Preshevës. Në fokusin e këtij takimi është gjendja e shqiptarëve në komunat Presheva, Bujanoc dhe Medvegjë si dhe platforma e përbashkët shqiptare për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare në Serbi.
“Shqiptarët në Luginën e Preshevës duhet të jenë të bashkuar që punët të bëhen edhe më mirë. Nuk është zgjidhja për bojkot në emër të narracioneve kombëtare. Lista e përbashkët e partive shqiptare për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare nuk duhet të akuzohet mbi baza kombëtare, sepse kjo nismë është nisur me ndjenjat më të pastra kombëtare, për të bashkuar interesat e shqiptarëve përmes një platforme të përbashkët”, theksoi ministri Cakaj, përcjell INA.
Ai theksoi se gjatë vizitës do të takoj jo vetëm përfaqësuesit e komunave, partive politike, por edhe me shoqërinë civile, operatorët ekonomik, etj.
Në Agjendën e zbardhur nga Këshilli Kombëtar Shqiptar bëhet e ditur se diplomati shqiptar vizitën do ta nis ditën e mërkurë në Preshevë ku do të takojë liderët politik, nënshkrues të Marrëveshjes për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare me Listën „ Alternativa Demokratike Shqiptare- Lugina e Bashkuar „.
Në Preshevë, ministri Cakaj do të ketë takim edhe me kryetarin e komunës, Shqiprim Arifi, do t’ i bëjë vizitë Shkollës së Mesme, „ Skënderbeu „, parkut industrial si dhe do të bashkëbisedojë me qytetarët.
Ditën e dytë të vizitës, Cakaj i’a ka kushtuar Bujanocit. Mëngjesin do ta fillojë me një takim pune me kryetarin e komunës, Shaip Kamberi, për të vazhduar me atë të KKSH-së, Ragmi Mustafa.
Poashtu, ministri do të vizitoj Sh.M.“ Sezai Surroi „, Degën e fakultetit ekonomik, zyren ndërlidhëse të OSBE-së, etj.
Në ditën e tretë dhe të fundit, ministri Cakaj ka paraparë të qëndrojë në Medvegjë, aty do të takojë këshilltarët shqiptarë, do të vizitojë shkollën fillore.