
Qeveria Kurti ka tejkaluar 100 ditëshin e punë së saj, 50 si Qeveri me kompetenca të plota dhe 50 e këndej si Qeveri në detyrë.
Por, i pari i ekzekutivit, as pas kaq ditëve, nuk e ka publikuar asnjërin prej emrave të këshilltarëve të tij në ueb-faqen e kryeministrisë.
Në ekzekutiv e kanë pranuar një gjë të tillë, por mospublikimin e emrave e kanë e arsyetuar me një problem teknik që ka pasur ueb-faqja.
“Nuk është e qëllimshme. Keni plotësisht të drejtë. Kemi pasur problem me ueb-faqen e zyres së kryeministrit. Ka qenë duke u përditësuar ueb-faqja, tash se fundmi kanë dalë edhe emrat e kabine teti qeveritar, tash në këtë valë do të publikohet edhe lista e këshilltarëve”, u shpreh zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu për Front Online.
Ngjashëm, përbërjen e kabinetit nuk e kanë publikuar edhe disa prej ministrave të qeverisë së tij.
Nga 14 Ministra sa janë gjithsej 10 e kanë treguar përbërjen e kabineteve të tyre , 4 jo.
3 nga këta 4 ministra vijnë nga VV-ja dhe një tjetër nga LDK-ja.
Ministri i Financave nga radhët e VV-së, Besnik Bislimi nuk i ka bërë të ditur emrat e kabinetit të tij në ueb-faqen e ministrisë që e drejton.

Por, emrat e tyre Ministria ia ka dërguar portalit Front Online pas interesimit, ndonëse prapë nuk është bërë e ditur arsyeja se pse emrat e të njëjtëve s`janë publikuar edhe në ueb-faqen e Ministrisë.
Edhe dy ministrat e tjerë nga radhët e VV-së, Glauk Konjufca i Punëve të Jashtme dhe Rozeta Hajdari e Ministrisë se Tregtisë, Industrisë, nuk i kanë bërë të ditur emrat e kabineteve të tyre ne ueb-faqet e ministrive qe drejtojnë.

Veçse këta, ndryshe prej bashkëpartiakut të tyre Bislimi, nuk i kanë treguar ata as pas interesimit të portalit Front Online.
Njëjtë si ta ka vepruar edhe Ministrja tjetër e kësaj qeverie, Vlora Dumoshi e LDK-së, që udhëheq me Ministrinë e Kulturës.
Përbërja e kabinetit të saj mbetet e fshehtë.

I pyetur për këtë, analisti Ramush Tahiri, tha se emrat e kabineteve ministrore duhet të bëhen publike.
Ai për Front Online ka treguar edhe arysen se pse duhet të veprohet kështu
“Rregull është që të publikohet numri i këshilltarëve, cilët janë këshilltarët sepse Presidenti, Kryeministri nuk guxojnë të marrin çfarëdo këshilltarë. Ata duhet të jenë transparentë sepse marrin rrogë”, tregoi ai.