
Njëri ndër universitetet më të njohura dhe më të mira në botë, Universiteti i Kejmbrixhit, ka njoftuar se të gjitha ligjëratat gjatë vitit të ardhshëm akademik do të mbahen “online”.
Ky institucion arsimor është i pari në Britaninë e Madhe që merr vendim për mbajtjen e ligjëratave nga largësia për vitin akademik 2020-2021, shkruan “CNN”.
“Universiteti është duke u përshtatur vazhdimisht ndaj ndryshimit të këshillave sipas situatës së pandemisë. Duke marrë parasysh se ka gjasa që distance sociale do të vazhdojë të kërkohet, universiteti ka vendosur të mos ketë ligjërata në klasë gjatë vitit të ardhshëm akademik”, tha një zëdhënës i këtij universiteti.
Ligjëratat në klasë pritet të rifillojnë pas verës së vitit 2021, por ligjëratat me grupe më të vogla të studentëve mund të fillojnë të mbahen edhe më herët, nëse ato përputhen me kërkesat për distancë sociale, tha zëdhënësi.