
Glauk Konjufca ka 14 ditë që nuk është bërë i “gjallë”.
Zhdukja e tij disa ditore u theksua më shumë kur ai mungoi në mbledhjen e kryesisë së partisë të mbajtur më 4 maj.
Këtë mungesë të tij shumëkush e lidhi me ftohjen e raporteve mes tij e liderit të partisë, Albin Kurti, shkaku i përplasjeve për ish-këshilltarin, Shkëlzen Gashi dhe çështjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Anëtari i kësaj partie, njëherësh zv. kryeministër në detyrë, Haki Abazi e pranon se brenda VV-së mund të mos ketë gjithmonë qëndrime të unifikuara.
Veçse diçka e tillë, për të, është tregues i demokracisë që mbizotëron brenda partisë të cilës ai i takon.
Ai, në një bisedë telefonike për Front Online, ka mohuar se ka përçarje në taborin e tyre partiak.
“Absolutisht jo nuk ka përçarje, është në bazën e sulmeve që po orkestrohen prej partive qe po mundohen në mënyrë jokushtetuese me ardhë në qeveri. Absolutisht jam i sigurt që nuk ka ndodh një gjë e tillë. Kjo tregon demokracinë e brendshme, për të cilën shumë shpesh është diskutuar, mes Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme. Brenda VV-se si subjekt politik ekziston një rrymë e madhe e debateve, diskutimeve, e opinioneve, të cilat mund të mos jenë krejt uniforme”, u shpreh ai për Front Online.
Se nuk ka përçarje brenda VV-së, e thotë edhe njohësi i rrethanave politike, Shkodran Ramadani.
Mirëpo, ky pretendon se brenda subjektit të drejtuar nga Kurti, ka tensione, epilogu i të cilave nuk dihet dhe varet varësisht prej menaxhimit të tyre.
“Ka pasur disa tensione mes krerëve të kësaj partie. Për disa arsye. E para se si është menaxhuar raporti me SHBA-të, hapat e njëanshëm për prishjen e marrëveshjes dhe e treta për ish-këshilltarin, Shkelzen Gashi. Mund të themi se ka tensione, por nuk dihet ende se ku do të përfundojnë. Vetëvendosja edhe në të kaluarën ka pasur tensione dhe nuk ka ditur të menaxhojë. Nuk mendoj që do të ketë largime për momentin. Mbeten vetëm tensione dhe varësisht si menaxhohen ashtu do të jete epilogu. Nëse nuk menaxhohet mirë, situata, mund të përshkallëzohet dhe mund të çojë në dalje. Epilogu nuk dihet”, u shpreh Ramadani për Front Online.
Konjufca në zgjedhjet e 6 tetorit i kishte marrë mbi 76 mijë vota duke u treguar si një figurë jashtëzakonisht e fuqishme brenda Vetëvendosjes./Front Online/