
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka marrë dekretin nga Presidenti për ta formuar Qeverinë pas shkarkimit të Qeverisë Kurti. Derisa, LDK-AAK-Nisma po tentojnë ta bëjnë Qeverinë, Vetëvendosja dhe PDK-ja po kërkojnë të mbahen zgjedhjet e parakohshme pas Pandemisë me Covid-19.
Se sa është i gatshëm Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të organizojë proces zgjedhor në kohë pandemie, Front Online ka marrë përgjigje nga zyrtarët kompetentë.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë për Front Online se nuk mund të japin përgjigje për aspektet që kanë të bëjnë me shëndetin e qytetetarëve, se a duhet të mbahen këto zgjedhje në kohë pandemie.
Ai tha se KQZ-ja do t’i përmbushë detyrat e veta kushtetuese dhe ligjore.
“KQZ-ja është institucion i përhershëm kushtetues që detyrë kryesore ka organizimin e zgjedhjeve kurdo që i kërkohet. Sikurse në të kaluarën, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përmbushë detyrat e veta kushtetuese dhe ligjore. Ndërkaq, lidhur me situatën specifike në të cilën ndodhemi për shkak të pandemisë, ne nuk mund të japim një përgjigje për aspektet që kanë të bëjnë me shëndetin e qytetarëve pasi janë institucionet tjera përkatëse dhe profesionale që e kanë fushë të përgjegjësisë së tyre”, tha Elezi për Front Online.
Sa i përket zgjedhjeve në Podujevë, thotë se ky proces është ndërprerë në momentin kur Presidenti ka vendosur për shtyrjen e datës së zgjedhjeve.
“Siç e dini, më 14 mars Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kërkuar nga Presidenti i Republikës shtyrjen e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Podujevës për shkak se në të njëjtën ditë kemi pranuar rekomandim nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës që të pezullohen përkohësisht zgjedhjet e 15 marsit në këtë komunë për të parandaluar përhapjen e COVID-19 në Republikën e Kosovës. Menjëherë pas vendimit të Presidentit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për ndërprerjen e zbatimit të planit operacional për organizimin e këtyre zgjedhjeve. Prandaj, edhe për këtë çështje, përgjigjja e KQZ-së është e njëjtë, si më lartë”, tha Elezi për Front Online.
LEXO EDHE:
LVV-ja kërkon të rishpallen zgjedhjet në Podujevë, LDK-ja dhe PDK-ja të gatshëm për garë