
Një pacient i diagnostikuar me pneumoni afër Parisit më 27 dhjetor në fakt ka qenë i infektuar me koronavirus, ka thënë mjeku i tij.
Kjo nënkupton që sëmundja e re ka mundur të ketë arritur në Evropë gati një muaj më herët sesa është menduar më parë.
Dr. Yves Cohen tha se pacientit i është bërë testi në atë kohë dhe ka dalë pozitiv për Covid-19, shkruan “BBC”.
Pacienti që tashmë është shëruar tha se nuk e ka pasur idenë se është infektuar me virus, sepse nuk ka qenë në asnjë zonë me raste të infektimeve.
Dr.Cohen, udhëheqës i mjekësisë emergjente në spitalin Avicenne afër Parisit, tha se pacienti ishte një burrë 43-vjeçar nga Bobigny, në verilindje të Parisit.
Ai i tha BBC-së se pacienti sigurisht është infektuar mes datave 14 dhe 22 dhjetor, sepse simptomat e koronavirusit shfaqen nga pesë deri në katërmbëdhjetë ditë pas infektimit.
Ky person ishte dërguar në spital më 27 dhjetor me simptoma që më vonë do të njiheshin si karakteristike për koronavirusin, përfshirë kollën e thatë, temperaturën dhe vështirësitë në frymëmarrje.