
Rreth 80 kosovarë të cilët kanë mbetur të bllokuar në shtetin kroat, pas përhapjes së pandemisë së Coronavirusit, janë duke pritur që të kthehen në Kosovë, raporton portali FrontOnline.
Lajmi për portalin “FrontOnline”, e ka konfirmuar ambasadori i Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli.
Ai tha se personat të cilët po presin që të kthehen në Kosovë i kanë të zgjidhura çështjet esenciale për jetesë, pasi ata janë duke punuar në shtetin kroat.
E, atyre qytetarëve kosovarë që u ishte ndërprerë puna në këtë shtet, u ishte organizuar kthimi dhe ata tashmë gjenden në Kosovë.
“Të gjithë ata që nuk kanë qenë duke punuar deri në fund të muajit mars tashmë janë kthyer në Kosovë. Ata të cilët janë aktualisht në Kroaci, fatmirësisht nuk janë problem social pasi që deri në këtë moment janë duke punuar dhe i kanë të zgjidhura çështjet esenciale për jetesë’, deklaroi ai.
Kasapolli tha se janë duke pritur konfirmimin e institucionet të Republikës së Kosovës për kthimin e këtyre 80 personave nga Kroacia.
“Ne jemi në pritje të konfirmimit nga institucionet e Republikës se Kosovës për mundësinë e kthimit sa më të shpejtë të gjithë atyre që kanë paraqitur kërkesë për kthim. Ky numër për momentin sillet rreth 80”, tha ai për Front Online.
Kasapolli: Kosovarëve në Kroaci u ka dalë në ndihmë Ambasada dhe bashkatdhetarët
Ambasadori i Kosovës në Kroaci, për FrontOnline tha se, personat të cilët kanë pasur nevojë për mirëqenie i’u ka dalë në ndihmë Ambasada dhe bashkatdhetarët të cilët jetojnë në Kroaci.
“Ne i kemi udhëzuar të gjithë shtetasit e Kosovës të kontaktojnë Ambasadën për çdo kërkesë që kanë në raport me mirëqenën e tyre. E theksova edhe më lartë, të gjitha rastet emergjente janë trajtuar dhe ne nuk kemi për momentin raste të tilla ku qytetarët tanëjanë lënë pa përkujdesje. Për më tepër, neve na kanë dalë në ndihmë edhe bashkatdhetarët tonë në Kroaci, të cilët në raste emergjente kanëofruar ushqim dhe strehim duke na lehtësuar neve menaxhimin e situatës”, tha Kasapolli për Front Online.
Deri tani në Kosovë janë kthyer 200 qytetarë nga Kroacia
Sipas ambasadorit Kasapolli, që nga përhapja e Coronavirusit e deri më tani rreth 200 kosovarë janë kthyer nga Kroacia.
Ai tha se në mesin e tyre ka pasur raste emergjente dhe persona të cilët kanë mbetur pa punë në këtë vend.
“Deri më tani, Ambasada e Republikës së Kosovës në koordinim me institucionet e Republikës së Kosovës në Prishtinë, ka arritur që të realizoj kthimin e rreth 200 bashkatdhetarëve tonë nga Kroaci për në Kosovë. Këtu kryesisht kanë hyrë rastet emergjente dhe rastet e personave që kanë mbetur pa punë në Kroaci” deklaroi ai për Front Online.
Kroacia së fundi ka hapur me të madhe dyert për qytetarët të cilët dëshirojnë të punojnë në këtë shtet.
Front Online ka raportuar nëvazhdimësi për “ikjet masive” të qytetarëve drejt Kroacisë për një jetë më të mirë./Front Online/