
Qysh nga fillimi i përhapjes së pandemisë COVID-19 në Kosovë e deri më tani, 11 zyrtarë policorë kanë rezultuar pozitiv me këtë virus.
Në një përgjigje me shkrim për “Front Online”, Zyra për Informim në Policinë e Kosovës, ka njoftuar se deri më tani janë shëruar 2 persona teksa të infektuar rezultojnë të jenë edhe 9 të tjerë, raporton “Front Online”.
E për t`ua lehtësuar punën në këto ditë të vështira me pandeminë COVID-19, PK-ja ka liruar një numër të zyrtarëve policorë dhe të stafit civil që kanë probleme shëndetësore.
“Referuar situatës dhe rrethanave te krijuara nga pandemia COVID -19, Policia e Kosovës një numër te zyrtareve policor te cilët kane sëmundje te renda dhe një pjese te stafit civil i ka liruar, përderisa një pjese e tyre sipas nevoje kryejnë detyra administrative përmes pajisjeve elektronike”, thuhet në përgjigjen e PK-së dhënë portalit Front Online.
Vetizolimit nuk i kanë shpëtuar edhe një pjesë e gardianëve të sigurisë të cilët në Kosovë kanë ardhur nga vende të tjera.
“Disa zyrtar që janë sugjeruar për vetizolimi dhe izolimi i detyruar ka rrjedhe me rekomandim te Ekipeve Mjekësorë neper pikat kufitare, ( pas ardhjes se tyre nga vende te ndryshme si ; Zvicër, Londër, Serbi, Amerike, Gjermani etj.). Çdonjëri prej tyre ka Udhëzimet nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe nga Ekipet Mjekësore ne pikat Hyrëse te Kosovës . Po ashtu ne te gjitha rastet kur dyshohet se ndonjë zyrtar i PK-se mund te jete infektuar me virus, nga institucionet kompetente iu bëhen analizat”, thuhet ndër të tjera aty.
Shërohet nga Coronavirusi një polic nga Malisheva dhe një nga Prishtina
Një zyrtar policor nga Komuna e Malishevës është shëruar nga Coronavirusi. Këtë gjë e ka konfirmuar për “Front Online”, zyra për Informim në PK.
“Një rast në Malishevë, zyrtari ka qenë i liruar nga puna, ne pushim si rast i veçantë shëndetësor dhe i njëjti nuk ka pasur kontakt me ndonjë zyrtar policor. Zyrtari policor, i cili ka pasur Rezultatin pozitiv ne COVID-19 , ne dy testet e kryera ne IKSHP me date 23.04.2020 ka rezultuar Negativ “, ka konfirmuar PK-ja.
Nga Coronavirusi është shëruar edhe një zyrtare policore nga Prishtina. PK-ja ka njoftuar se e njëjta gjatë kohës kur rezultoi me Coronavirus ishte e vendosur në vetë karantinë.
5 policë Mitrovicës së veriut, në karantinë
Policia e Kosovës ka njoftuar se 5 policë nga veriu i Mitrovicës janë pozitiv me virusin COVID-19.
“Pesë raste në Veri të Mitrovicës zyrtaret janë duke u monitoruar (gjenden karantine)”, ka bërë të ditur PK-ja për “Front Online”.
Ndërsa me nga dy raste të zyrtarëve policorë me Coronavirus janë edhe qyteti i Pejës dhe ai i Suharekës. Të 4 këta sipas PK-së janë në vetë izolim.
“Dy raste në Pejë, (zyrtarët janë të vetizoluar në shtëpi). Dy raste në Suharekë zyrtarët kanë qenë duke punuar bashkë (janë të vetizoluar në shtëpi)”, bën të ditur polica. /Front Online/