
Banka Ekonomike sot është sulmuar nga një sulm kibernetik. Këtë e pranon vetë banka përmes një shkrimi adresuar mediave. Por, gjithashtu siguron se të gjitha të dhënat dhe llogaritë e klientëve të saj janë të sigurta.
Banka njofton se menjëherë pasi ka ndodhur rasti janë njoftuar të gjitha organet kompetente dhe të njëjtat janë duke e hetuar rastin.
Tutje, klientëve të Bankës Ekonomike, kjo e fundit ju kërkon falje për shqetësimet që mund të kenë pasur.
Gjithashtu, banka siguron se të gjitha mjetet në llogaritë e klientëve të saj janë plotësisht të sigurta.
Banka Ekonomike bëri thirrje të mos publikohen informatat personale të klientëve të tyre sepse kjo vepër cilësohet si vepër penale.
Më poshtë gjeni njoftimin e plotë:
Të nderuar klientë dhe qytetarë,
Me qëllim të informimit të drejtë dhe evitimit të shqetësimeve eventuale të klientëve tanë, njoftojmë të gjithë klientët se Banka Ekonomike ka qenë cak i një sulmi kibernetik, ku për pasojë një numër i caktuar i sistemeve janë infektuar me virus dhe të njejtin e kemi izoluar me kohë duke siguruar që janë zbatuar masat më të larta të sigurisë në këtë aspekt.
Banka Ekonomike menjëherë pasi që ka ndodhur rasti, ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm ligjor duke njoftuar të gjitha organet kompetente dhe të njëjtat janë duke e hetuar rastin.
Banka Ekonomike i siguron të gjithë klientët e saj, se të gjitha llogaritë dhe mjetet e klientëve tanë, si dhe të dhënat e tyre janë të sigurta, pasiqë ky sulm ka të bëjë me rrjedhjen e informatave që lidhen me fushën e privatësisë.
Banka Ekonomike edhe një herë ju kërkon falje të gjithë klientëve për shqetësimet eventuale që mund të kenë pasur, por deshirojmë të theksojmë edhe njëherë se nuk ka hapësirë për shqetësim lidhur me mjetet e tyre në Bankën Ekonomike, pasi që të njëjtat janë të sigurta.
Për fund, njoftojmë të gjithë personat që publikimi i informatave personale në mënyrë të pa autorizuar përbën vepër penale, prandaj edhe kërkojmë që menjëherë të ndalet shpërndarja e këtyre informatave.