
Është përfolur që edhe Aleanca Kosova e Re (AKR) do të jetë pjesë e koalicionit për formimin e qeverisë së re, mirëpo Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk i ka filluar diskutimet me këtë parti për sa i përket kësaj çështje, raporton “Front Online”.
Sekretari i Përgjithshëm i AKR-së, Vesel Makolli, ka konfirmuar për “Front Online”, që deri tani nuk ka pasur diskutime me këtë parti, për sa i përket një koalicioni të mundshëm.
“Mund t`ua konfirmoj që deri para dy orëve nuk ka pasur asnjë diskutim me partitë e tjera për sa i përket koalicionit për formimin e qeverisë. Se çfarë do të ndodh më tej nuk dihet, por një gjë është e sigurt që diskutime nuk ka pasur. Ne jemi vazhdimisht në kontakt mes anëtarëve dhe nuk kemi diskutuar me parti tjera”, ka thënë ai për “Front Online”.
Në ndërkohë në mbledhjen që pati presidenti i vendit Hashim Thaci me përfaqësuesit e partive politike, Fatmir Matoshi nga kjo parti u deklarua se janë kundër shkuarjes në zgjedhjes por pro formimit të qeverisë së re në Kuvend.
Kështu edhe AKR-ja është përmendur si një ndër partnerët e LDK-së për ta formuar qeverinë së bashku me AAK-në, Nismën dhe me pakicat. Në ndërkohë kryetari i kësaj partie Behgjet Pacolli qysh nga fillimi i pandemisë COVID-19 është duke qëndruar në Zvicër dhe nuk gjendet në Kosovë. / Front Online/