
Një inspektim i kryer pas një ankese në barnatoren “O2 Pharmacy” në Prishtinë ka përfunduar me konfiskimin e disa produkteve medicinale dhe shqiptimin e gjobës ndaj subjektit. Inspektorati Farmaceutik ka kryer kontrollin më 19 maj 2026, pas dyshimeve për operim me produkte medicinale të paautorizuara, raporton Front Online.
Kliko këtu për ta shkarkuar të plotë raportin e Inspektoratit Farmaceutik
Raporti i Inspektoratit Farmaceutik për O2 Pharmacy
Sipas raportit, gjatë kontrollit të produkteve dhe pajisjeve medicinale janë gjetur produkte pa banderolë, për të cilat pala nuk ka ofruar dëshmi për prejardhjen e tyre.
Dokumenti identifikon konkretisht produktet e gjetura: Pregnyl 5000 IU – 4 copë, NovoRapid – 1 copë, Lantus – 4 copë, Levemir FlexPen – 3 copë.
Produktet janë regjistruar në procesverbal dhe janë konfiskuar nga Inspektorati Farmaceutik, raporton Front Online.
Inspektorati konstatoi se “O2 Pharmacy” kishte licencë të vlefshme, por produktet e evidentuara gjatë inspektimit ishin të paautorizuara për qarkullim në tregun e Kosovës.
Sipas raportit, barnatorja duhet t’i blejë produktet medicinale vetëm nga subjekte që posedojnë licencë për qarkullim farmaceutik me shumicë.
Inspektorati ka urdhëruar që në barnatore të punohet vetëm me produkte dhe pajisje medicinale të autorizuara për qarkullim në tregun e Kosovës.
Rasti nuk ka përfunduar vetëm me konfiskim. Raportin e ka shoqëruar Vendimi me gjobë nr. 10/LM-003-26.
Front Online ka siguruar dosjen e plotë të inspektimeve të Inspektoratit Farmaceutik në barnatoret në gjithë Kosovën, për periudhën 1 janar 2025 – 30 qershor 2026, dhe do ta publikojë atë në tërësi – Vazhdimi 68