
Barnatorja “BM PHARM” në fshatin Krushë të madhe në Rahovec është përballur me disa shkelje serioze të evidentuara nga Inspektorati Farmaceutik gjatë një kontrolli të kryer më 5 maj 2026. Dokumentacioni i inspektimit tregon se problemi nuk ishte vetëm mungesa e farmacistit përgjegjës në vendin e punës. Gjatë të njëjtit kontroll, inspektorët kanë evidentuar edhe produkte medicinale të paautorizuara për tregun e Kosovës, për të cilat subjekti nuk kishte paraqitur dëshmi për prejardhjen e tyre. Sipas procesverbalit të inspektimit, farmacist përgjegjës i licencuar në “BM PHARM” ishte Gazmend Demiri, por në momentin kur inspektorët kanë hyrë në barnatore ai nuk ndodhej në vendin e punës. Në barnatore ishte vetëm Enisa Shehu, teknike e farmacisë, me licencë KO-53253/A-05-4.
Kliko këtu për ta shkarkuar të plotë raportin e Inspektoratit Farmaceutik
Raporti i Inspektoratit Farmaceutik per barnatoren BM Pharm
Këtë situatë Inspektorati nuk e ka trajtuar vetëm si mangësi organizative, por si shkelje të dispozitave që rregullojnë funksionimin e barnatoreve dhe dispensimin e produkteve medicinale. Në dokumentacionin zyrtar inspektorët i referohen Ligjit për Produkte dhe Pajisje Medicinale, sipas të cilit barnatorja duhet të sigurojë praninë e farmacistit të licencuar gjatë gjithë orarit të punës. Po ashtu, është evidentuar se Ligji për Shëndetësi përcakton që barnat e përshkruara nga mjeku ose stomatologu mund të jepen vetëm nga farmacisti i licencuar ose në praninë e tij. Inspektorati i është referuar gjithashtu Udhëzimit Administrativ për funksionimin e barnatoreve, sipas të cilit, në rast se farmacisti përgjegjës mungon, bartësi i licencës duhet të sigurojë një farmacist zëvendësues.
Për këtë arsye, përmes procesverbalit nr. 0110321, subjektit i është dhënë urdhër i qartë që të mos operojë pa praninë e farmacistit përgjegjës ose të farmacistit zëvendësues. Rasti nuk ka përfunduar vetëm me konstatimin e kësaj shkeljeje. Dokumentacioni tregon se raporti është shoqëruar edhe me Vendimin me gjobë nr. 10/HB-006/PF-26.
Inspektimi evidentoi edhe produkte të paautorizuara
Gjatë të njëjtit kontroll, Inspektorati Farmaceutik ka evidentuar edhe një problem tjetër. Në barnatore janë gjetur produkte medicinale të paautorizuara për tregun e Kosovës, ndërsa për to pala nuk ka paraqitur dokumentacion që do të dëshmonte prejardhjen e tyre, përfshirë faturën e blerjes. Sipas raportit, produktet janë evidentuar në procesverbal dhe më pas janë konfiskuar nga Inspektorati Farmaceutik. Për një pjesë të produkteve është realizuar edhe fotografim si provë materiale. Ky konstatim ka shtuar një dimension tjetër në rastin e “BM PHARM”, pasi nuk bëhej më fjalë vetëm për mungesë të personelit profesional të kërkuar me ligj, por edhe për gjurmueshmërinë e furnizimit me produkte medicinale. Inspektorët kanë konstatuar se barnatorja duhet t’i blejë produktet medicinale vetëm nga subjekte që posedojnë licencë farmaceutike për qarkullim me shumicë.
Në rastin konkret, mungesa e dokumentacionit për prejardhjen e produkteve ka ngritur pikëpyetje se prej cilit furnizues ishin siguruar ato dhe nëse zinxhiri i furnizimit ishte në përputhje me kërkesat ligjore.
Front Online ka siguruar dosjen e plotë të inspektimeve të Inspektoratit Farmaceutik në barnatoret në gjithë Kosovën, për periudhën 1 janar 2025 – 30 qershor 2026, dhe do ta publikojë atë në tërësi – Vazhdimi 65