
Inspektorati Farmaceutik ka evidentuar një varg mangësish në kompaninë “Njësia AGS 1” në Prishtinë, e cila ushtron veprimtarinë e qarkullimit me shumicë të pajisjeve medicinale.
Inspektimi është kryer më 22 prill 2026, ndërsa raporti është hartuar me referencë 10/F-019-2026, raporton portali Front Online.
Kliko këtu për ta shkarkuar të plotë raportin e Inspektoratit Farmaceutik
Raporti i Inspektoratit Farmaceutik për AGS 1
Sipas dokumentacionit të Inspektoratit, subjekti operonte me licencë pune për qarkullim farmaceutik me shumicë të pajisjeve medicinale dhe kishte person përgjegjës profesional Dr. Gramos Boshnjaku, ndërsa si staf profesional përmendet edhe Dafina Kastrati.
Megjithatë, kontrolli ka evidentuar se kompania nuk posedonte një sërë Procedurash Standarde të Operimit – PSO, të cilat Inspektorati i ka klasifikuar si mangësi të mëdha.
Në raport janë evidentuar gjithsej tetë mangësi të mëdha: mungesa e regjistrit të PSO-ve, mungesa e PSO-së për pranimin e pajisjeve medicinale, mungesa e procedurës për sistemin FEFO, mungesa e PSO-së për DDD, mungesa e procedurës për ruajtjen dhe asgjësimin e pajisjeve me afat të skaduar dhe të papërdorshme, mungesa e procedurës për kushtet e ruajtjes gjatë transportit, mungesa e procedurës për tërheqje emergjente nga tregu – Recall; si dhe mungesa e PSO-së për vetë-inspektim, raporton portali Front Online.
Inspektorati ka evidentuar gjithashtu se subjekti nuk kishte organogram të ndarë me personat përgjegjës dhe hallkat e raportimit, ndërsa personi përgjegjës nuk kishte dokument të shkruar që përcaktonte detyrat dhe përgjegjësitë për ruajtjen dhe menaxhimin e pajisjeve medicinale.
Në kategorinë e mangësive kritike raporti shënon se nuk kishte të tilla, megjithatë numri i procedurave të munguara ngre pyetje për mënyrën se si dokumentoheshin dhe kontrolloheshin proceset e rëndësishme të kompanisë, raporton portali Front Online.
Front Online ka siguruar dosjen e plotë të inspektimeve të Inspektoratit Farmaceutik në barnatoret në gjithë Kosovën, për periudhën 1 janar 2025 – 30 qershor 2026, dhe do ta publikojë atë në tërësi – Vazhdimi 67