
Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka paralajmëruar padi për shpifje ndaj ministres në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila akuzoi të njëjtin se gjoja ishte ai që më 2017 kishte përuruar vagonët e riparuar në Serbi.
“Vagonët janë dërguar për riparim në Zrenjanin në Serbi për herë të parë më 2017, sapo janë blerë, në procedurë të nisur në kohë të Qeverisë Mustafa e të përuruar në kohë të Qeverisë Haradinaj, nga Ministri Pal Lekaj”, shkroi Rizvanolli në një postim në Facebook.
E Lekaj tha se ai nuk ka qenë ministër në kohën kur Rizvanolli pretendon të jenë përuruar vagonët në fjalë.
“Artane Rizvanolli, do t’ju padis për shpifje! Qeveria Haradinaj është votuar më 9 shtator 2017, ndërsa unë zyrtarisht e kam marrë detyrën e Ministrit më 11 shtator 2017. Prandaj, deklaratat dhe akuzat tuaja ndaj meje, se kinse kam dhënë tender një kompanie serbe, janë të pavërteta dhe cenojnë rëndë reputacionin tim”, tha Lekaj.
Ai shtoi se për deklaratat e Rizvanollit do t’i drejtohen organeve të drejtësisë “dhe do të kërkojmë përgjegjësi ligjore për shpifje”.
“Regjimit Kurti po i vjen fundi. E vërteta nuk mbulohet me propagandë”, shkroi Lekaj, teksa publikoi dokumentin e zbardhur nga Rizvanolli edhe lajmin kur Qeveria Haradinaj kishte marrë detyrën, ku shihet se ka shpërputhje të datave.
Reagim pati edhe nga vetë partia e Lekajt, Aleanca.
Sipas të dhënave online, në kohën kur flet Rizvanolli, ministër i Infrastrukturës ka qenë Lutfi Zharku.
Kujtojmë se në publik është zbardhur një kontratë e riparimit të vagonëve të kompanisë “TrainKos”, riparim ky që është bërë në Zrenjanin të Serbisë gjatë vitit 2024, kur me vendin ka qeverisur LVV-ja e Albin Kurtit.